ArtKontakt në Lëkurs
Një miks artesh prêt Kalaja e Lëkursit në fundgusht. Në datat 27 – 28, gusht në kalanë e Lëkursit, zhvillohet festivali “ArtKontakt, 08”, i cili do të përmbajë art, video dokumentarë, spektakël, muzikë, danc modern, lexime poetike aktoriale, debat kulturor, ku do tëdiskutohet mbi ripërdorimin e kështjellave, dhe përvojat europiane në këtë drejtim, si dhe shkembim përvojash dhe idesh, mbi praktikat artistike bashkëkohore. “ArtKontakt”, ka lindur si një iniciativë e një grupi studentësh shqiptarë dhe venecianë, për të promovuar imazhin e Shqipërisë në Venecia, në vitin 2001. Një ide që u zgjerua duke vijuar me edicione të tjera, ku u trajtuan tema kulturore të vendeve të Ballkanit. Në vitin 2005, ishte organizimi i pavionit shqiptar, për herë të parë në Bienalen e Venecias, nga “ArtKontakt”. Më pas ky aktivitet vijoi në Shkodër, Tiranë, Porto Plermo, Gjirokastër, dhe këtë vit në Sarandë. Sipas organizatorëve, një prej qëllimeve të këtij aktiviteti është hyrja në rrjetin kulturor mesdhetar, që synon promovimin e pasurisë kulturore nëpërmjet gjuhës së artit avangardë. Ishte menduar që ashtu si vitin e kaluar, ky festival arti, të realizohej në kalanë e Porto Palermos, e cila nga një zonë ku hija e luftës ndihej gjithandej, u vu në shërbim të artit dhe komunikimit. Edhe pse një gjë e tillë nuk u bë e mundur këtë vit, megjithë spostimin dhe kompleksitetin që krijoi në aspektin organizitiv, drejtori i “ArtKontakt-it” Andi Tepelena, shprehet i kënaqur që një ngjarje e tillë po organizohet në një tjetër hapësirë kulturore siç është kalaja e Lëkursit. Pjesëmarrja pritet të jetë e gjerë me pjesmarjen e 50 artistëve, shqiptarë dhe të huaj, kryesish të rinj. Ndër emrat e artistëve pjesëmarrës mund të përmendim, Robert Aliaj, Aldo Aliprandi, Arben Bajo, Nensi Bego, Gedmond Lushka, etj. Nuk do të mungojnë pjesët e dancit nga kompania e Gjergj Prevazit, apo udhëtimet e “Poetekës”.