Kënga jehon në Strugë
Struga prej dy ditësh ka veshur petkun e një feste mbarë popullore. Aty ka filluar festivali folklorik mbarë kombëtar me pjesmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë, “Këngë Jeho”. Të gjitha trupat pjesmarrëse kanë nisur paraklimin e shoqërive kulturore nëpër rrugët e qytetit për kënaqësinë e artëdashësve dhe pushuesve të shumtë që ndodhen në Strugë. Një flamur i madh kombëtar prej disa metrash shpaloset gjatë parakalimit. Kombinime të shumta ngjyrash, farfuritje veshjesh si xhubleta, fustanella, tirqet, sharku, xhokja, shamitë dhe opingat me xhufka… Një atlas artistik dhe kolor veshjesh, si një pashaportë dalluese për kulturën shqiptare. Nga Kaçaniku i Kosovës vjen një kostum popullor 150- vjeçar. Është ruajtur në sëndyk brez pas brezash dhe është veshur sot nga një djalë i ri. Buçet kënga dhe vallja nëpër rrugët e Strugës. Dëgjohet lahuta dhe fyelli. Grupet parakalojnë përbri lumit Drin. Të gjitha grupet drejtohen drejt qendrës kulturore, atje ku do të zhvillohen koncertet. Nderin për ta hapur siparin e këtij festivali e kanë grupet popullore të ansamblit popullor të Universitetit të Prishtinës dhe shkolla e mesme artistike e baletit “Lorenc Antoni” nga Prizreni. Një valle dasme tepër e ngrohtë, më pas figurat e mjelmave dhe një flamur i madh kombëtar që shpaloset në skenë, duke dhënë mesazhin se të gjithë shqiptarët na mbulon ky flamur kombëtar. Më pas mbrëmja vazhdoj me trupat e tjera “Shpresa”, nga Veleshta, grupi “Drita” nga Livadhjaja dhe më pas grupi tjetër “Shqiponja” nga Kaçaniku. Shpirti i trazuar i kaçanikasve që janë vrarë e prerë për flamur. Çdo vijë melodike e tyre të mbush kraharorin. Në natën e dytë janë ngjitur në skenën e festivalit shoqëria kulturore “Emin Duraku” dhe “Karshiaka” të dyja nga Shkupi, “Xheladin Zeqiri” nga Tetova, “Valët e liqenit” nga Ladorishta dhe ansambli popullor nga Librazhdi. Festivali do të vazhdojë një javë dhe aty do të marrin pjesë mbi 30 trupa konkuruese.