Kristaq Rama, përmbushja e profecisë
I ati, një shofer i thjeshtë nuk e kishte dhunti profetizimin, por atë ditë diç i ndjeu zemra. Nuk u gabua. “Atë ditë të nxehtë të 31 korrikut të vitit 1932, kur Linda unë, në Durrës, në një shtëpi të vogël dy katëshe, në kodrën ku sot është zbuluar Amfiteatri i vjetër, u thye një qyp i madh antik, që e mbanin në oborr për grumbullimin e ujit të shiut. Kur e mori vesh babai, jo vetëm që nuk i bërtiti motrës për zararin që bëri, sepse kishte gëzimin e djalit të parë, por duke qeshur shtoi: “Për hajër na qoftë, se kur të rritet djali na e bën më të madh e më të bukur”. Shofer ishte Vlash Rana dhe nuk e kishte zakon të profetizonte, por këtë herë, sikur e parandjeu se i biri do të merrej tërë jetën me baltë”. Kështu shkruan skulptori Kristaq Rama në kujtimet e tij, që mbyllen në mars të vitit 1989. Disa ditë më parë ishte ditëlindja e tij. Do të mbushte 76 vjeç. Por iku shpejt. Në muajin prill u mbushën plot 10 vjet, që kur ndërroi jetë. Kishte ende shumë për të dhënë. Shumë ide mbetën në letër, të tjera përgjysmë. Megjithatë janë kaq shumë vepra, të shpërndara nëpër Shqipëri, që mbajnë firmën e Artistit të Popullit, Kristaq Rama… Janë vepra të mëdha monumentale. Të krijuara vërtetë me porosi nga “lartë”, por që mbetën po aq madhështore e fisnike edhe pas ndërrimit të sistemeve. Mjaft të kujtojmë vepra të tilla, si “Nënë Shqipëri” në varrezat e dëshmorëve, në Tiranë, monumentin e “Pavarësisë” në Vlorë, “Shote Galicën” në Kukës, e shumë të tjera. Rama nisi shkollimin në Liceun Artistik në Tiranë, për të vijuar në Akademinë e Leningradit. Ishte një i ri aktiv, që u dallua, jo vetëm në art, por edhe në sporte. U pranua në rininë komuniste. Më vonë, kandidat partie, do të ishte deputet në Kuvendin Popullor dhe vazhdimisht do të mbante poste drejtuese në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Ministrinë e Arsimit, Akademinë e Arteve, etj. Por ky angazhim ecte paralelisht me krijimtarinë e tij. Në monografinë, kushtuar artitit, studjuesja Suzana Varvarica Kuka i bën një analizë gjithë krijimtarisë së Ramës. Një ndërthurje e kujtimeve vetjake me studimin e thellë të veprës së tij. Si një ish-studente e Ramës, Kuka e mban mend fare mirë takimin e parë me artistin, por edhe në vijim. “Kristaqi ishte një burrë me një trup të lartë dhe me fizikun e një sportisti. Kishte një portret të bukur, me tipare të spikatura, me flokë të zeza të krehura art, që rrumbullakosnin një kokë me përmasa të rregullta. Fizionomia e tij të ngjallte respekt. Tregonte një histori, një ndodhi, apo diçka për të qeshur në një mënyrë të veçantë. Vishej me sqimë dhe pëlqente gjysmëgolfet nën xhaketë. Një veshje sportive e moderne, e përdorur në atë kohë dhe shumë pak nga të tjerët”, - shkruan Kuka.
Krijimtarinë e skulptorit studjuesja e ndan në disa periudha. Është ajo e viteve ’50 të shek. XX. Periudha e studimeve, gjatë së cilës realizoi 9 vepra. Subjektet lidheshin me njeriun. I afërti, intelektuali, por edhe gruaja nudo, e preferuar për krijuesit e rinj. Puna e tij e parë ishte një punim në dru. Portreti i malësorit” (1957), me të cilën mori pjesë në ekspozitën kombëtare të vitit 1959, ku fitoi edhe çmimine parë. Vitet ’60 e gjetën Ramën me titullin “skulptor”. Nuk gjendet puna e tij e diplomës, veçse në arkivin familjar ruhen disa fotografi të saj. Realizoi 22 vepra. Janë vepra monumentale, kushtuar temave të mëdha. Të rekomanduara nga shteti dhe sipas metodës së realizimit socialist, e cila u përcaktua si e vetme. Ishte periudha kur Rama, do të niste edhe bashkëpunimet për realizimin e veprave voluminoze. Njeriu i ri dhe figura historike. Një nga veprat më të arritura të kësaj periudhe është busti monumental i Shote Galicës, që sipas kujtimeve të tij u krijua mbi bazën e studimeve që skulptroi bëri në terren. Tek portreti i Shotes ishin malet, malësoret dhe rrëfimet e tyre për heroinën. Në vitet ’70 Rama do të realizonte 45 vepra. Puna e nisur një dekadë më parë do të vijonte edhe më me intensitet. I duhej bërë jehonë arritjeve të Partisë së Punës. Gjatë këtyre viteve u përfunduan vepra të rëndësishme me bashkëautorësi, si monumenti i “Pavarësisë” në Vlorë, ai i “Luftës së Vlorës së 1920”, monumentin “Nënë Shqipëri”, apo reliavi i Kryeministrisë. Por përpos këtij angazhimi, studjuesja Kuka veçon gjatë këtyre viteve shfaqjen e një krijimtarie intime, të hedhjes së emocioneve vetjake të artistit mbi volumet e rrumbullakëta dhe sipërfaqeve të sheshta të gdhendura. “Ai krijoi në gjininë e nudos, realizoi portrete nga përshtypje të lindura mbi subjekte të ndryshme dhe vepra me subjekt kokën e kuajve”, - shkruan Kuka. Në të njëjtën linjë do të vijonte edhe në vitet ’80, ku i përgjigjet “filozofisë” së kohës, e cila ngrinte kultin e individit. U realizuan monumente e buste për Hysni Kapon, Enver Hoxhën, Baba Fajën, Leninin, Marksin, Stalinin. E përkundër kësaj krijimtarie të detyruar vjen vepra në mermer “Sonet lirik”, ekspozimi i së cilës në vitin 1989 u quajt i guximshëm. Ishte thyerja e një tabuje. Përqafimi i një çifti. “Ajo dukej sikur i hapi shteg trajtimit të motiveve, të ndjesive të njerëzore, që vet njeriu ka dëshirë t’i shohë e t’i prekë. Ajo shpalosi marrëdhëniet e njeriut me njeriun, gjë që ishte harruar plotësisht”, - thekson studjuesja. Me gjithë volumin e veprave (54) të realizuara pas viteve ’90, kjo periudhë quhet jo e plotë. Ndryshimi i sistemeve, la përgjysmë shumë ide, mes të cilave dhe monumentin e “Lirisë”. Gjatë kësaj periudhe Rama iu kushtua krijimtarisë vetjake. Nuk kishte më porosi nga shteti. Veprat e krijuara kësaj periudhe janë kryesisht portrete të realizuara në materiale të ndryshme, që nga guri, druri, bronxi, etj. Rama u nda nga jeta në 11 prill të vitit 1998, në një periudhë, kur mund të kishte shfaqur me të vërtetë individualitetin e tij dhe temat e preferuara, pa ndërhyrjen e askujt.
Kujtimet e Studentit
“Në akademi studentët shqiptarë kishin emër mjaft të mirë, sidomos piktorët. Guri Madhi dallohej për temperamentin impulsive e në hedhjen me guxim e dritë të ngjyrave. Jakup Keraj me kërkimin e formës dhe të vizatimit. V. Kilica me seriozitetin e pastërtinë tonale të raporteve piktorike. S. Shijaku me koloritin e guximshëm plot intensitet ngjyrash që në atmosferën gri të atij qyteti veror, sillnin fragmente dielli nga jugu i nxehtë. Saliu fitoi simpatinë e pedagogëve që në fillim, megjithëse në detyrën e parë i vunë një dysh të madh. Ky dysh në pikturë u muar në një kohë, kur nga Shqipëria erdhi një telegram, me të cilin e uronin për Çmimin e Republikës, që i kishin dhënë për portretin e Daj Valit. Ai i hutuar, na lutej neve shokëve “Aman mos i thoni njeriu për çmimin se më vjen turp”. Kur e pyeta profesorin, përse i keni vënë dysh Saliut? Ai më tha: “Që të shkundet, sepse talenti dhe piktura e tij janë vërtetë një perlë, por që tani për tani ndodhen në kosh të plehrave. Ato duhen pastruar me studim, këmbëngulje e disiplinë artistike”. Edhe për studentët e huaj, në Akademi bëhej një provë-knkursi. Vitin që erdhi Z. Shoshi profesori pyeti nga ç’vend ishte dhe kur Zefi u përgjigj: se ishte shqiptar, ai i thotë: “Oh, me siguri talent!” Dhe nuk ia pa punët fare. Kujtonte se nga Shqipëria do të dërgoheshin gjithnjë talente si saliu e Guri e nuk e merrte dot me mend se më vonë mund të shkonte dhe F. Shkupi”.