Artan Fuga: Jetoj si në një kamp përqendrimi, vetëm puna më jep lirinë
Ai është një njeri mbresëlënës. Pas çdo rrëfimi të tij, mbetesh thuajse gojëhapur, duke e përpunuar edhe një herë në mendje e duke rindërtuar skenën për të cilën ka folur. E tillë është edhe kjo bisedë me prof. Dr. Artan Fugën, filozof i mirënjohur, anëtar i Akademisë së Shkencave. Ka folur gjatë për gjithë jetën e tij, që nga fëmijëria, hapat e para në shoqëri, familja, pasionet e asaj kohe, qytetin e tij, si dhe ëndrrat që nisi t’i thurte që herët. Duke kaluar më pas tek familja, profesioni i tij që e konsideron të shenjtë, si edhe një ditë e zakonshme që e udhëheq, nga mëngjesi në darkë. Ky, është rrëfimi i Artan Fugës!
Z. Fuga, si do të na e përshkruanit fëmijërinë tuaj?
Mbaj mend se si fëmijë, kam qenë pjesë e një familjeje shumë të madhe në numër e që jetonte në një çati, - flas për fundin e viteve ’50 dhe fillimin e viteve ’60: Gjyshërit nga ana e babait, të afërm të tyre, xhaxhallarë, ndonjë hallë, prindërit, vëllai dhe motra më të mëdhenj se unë, fëmijë të hallës që ndodhej jashtë shtetit dhe që i kisha si motrat e mia, pra gati një ushtri e tërë që hera-herës shkonte deri në nja njëzet vetë. Mos të flas këtu për miq e kushërinj të gjyshërve dhe prindërve që vinin nga Berati, Lushnja, Fieri, Skrapari, etj. Dhe shpesh flinin e hanin me ditë të tëra me ne. Kjo ka ndikuar, them, në sensin tim të socializimit, pra i të qenurit social. Nuk e njoh vetminë, veçse kur e kërkoj vetë, për të qenë i qetë në punën time. Të gjitha punët njeriu mund t’i bëjë bashkë me të tjerët, kurse kur mendon, detyrimisht, ose mendon i vetëm, ose nuk mendon fare. Shumë miq të mi më pyesin se përse është kaq e vështirë të bësh punë intelektuale në Tiranë, të shkruash në Tiranë, të mendosh në Tiranë? Përgjigjja ime është shumë e prerë: Sepse Tirana, duke pasur një jetë sociale gati skizofrenike, ku individët jetojnë ngjitur me njëri-tjetrin, ku privatësia është në nivele të ulëta, nuk e lejon njeriun që mendon apo dëshiron të bëjë punë intelektuale të tërhiqet në “kështjellën” e tij. Njeriu urban sot nuk e duron dot vetminë, nuk e përballon dot atë, prandaj e ka të vështirë të përpunojë alternativa personale, të mendojë në mënyrë të pavarur. Fëmijërinë e kam kaluar në një shtëpi me oborr ku familja ime jetoi me qira për rreth pesëdhjetë vjet dhe tani sigurisht e kam liruar prej disa vitesh për pronarët e saj të dikurshëm. Banoja në një lagje të pastër tiranase, me rrugë të shtruara me kalldrëm të bukur, me shtëpi me qerpiç shumica, me kopshtije të mëdha ku kishte lëndina, kullosnin delet e banorëve, dhe me plot hije, me çezma nëpër oborre, pemët sa nuk këputeshin nga frutat, fiq, rrush, dardha, mana, etj. Vetëm në oborret e gjithkujt kishte dhjetëra pemë frutore, sepse banorët e asaj kohe frutat dhe një pjesë të perimeve, domate, tranguj, qepë, patate, as bëhej fjalë që t’i blinin në Pazar, por i siguronin në kopshtijet e tyre. Të zotët e shtëpive ishin artizanë, përgjithësisht, shtresë e mesme, që nuk vareshin as nga pronarë të tjerë, firmash a korporatash, as nga burokracia e shtetit; media e tyre ishte biseda mes komshinjsh, njerëz autonomë, me dinjitet, që jetonin brenda mundësive dhe kufizimeve të një bote etike ndofta konservatore, por shumë të qetë, të stabilizuar dhe pa shqetësime ekonomike. Papunësia dhe kotësia nuk kishte kuptim për ta. Respekti i brezave ishte perfekt. Besimi te Zoti iu qetësonte shpirtin. Solidariteti mes komshinjsh ishte shumë më tepër se çdo sigurim jete i tanishëm.
Mbaj mend se im atë, Myqeremi, një administrator me profil ekonomik i shtetit të kohës, kishte dëshirë të rikrijonte sa mundej një atmosferë bujqësie në mikromjedisin tonë të vogël prej disa dhjetëra metrash katrorë. Atëherë përjetoja një atmosferë të vërtetë shirjesh dhe korrjesh. E gjithë familja sikurse komshinjtë tanë tiranas, viheshin për të mbjellë misrin, domaten apo bimët e tjera, dhe po kështu mobilizoheshin të gjithë për të mbledhur frutat, perimet, që i shpërndanim pastaj nëpër miq, komshinj, kushërinj, sa mundeshim. Si fëmijë përjetova ndarjen e madhe të dy botëve. Shtëpinë e kisha te rrugica “Islam Alla”, N° 41, një rrugë e mrekullueshme e Tiranës së vjetër që lidh sot rrugën “Myslim Shyri” me Rrugën e Kavajës, kurse shkollën e bëja qysh në klasën e parë te “11 Janari”, në Tiranën e re. Ishin dy botë të ndryshme. Në mëngjes isha në botën e shkollës, fëmijëve të të ardhurve në Tiranë, si puna ime, familje e ardhur nga Berati qysh në 1944-ën, fëmijë nëpunësish a funksionarësh të administratës së kohës, ku ndihej se jetohej sipas normave ideologjike të kohës, gjuhë tjetër, veshje të tjera, hierarki tjetër, pse jo edhe tangërllëqe të tjera, vetura, ambicie, hije e prindërve në shkollë. Kurse pasdite, atje te lagja tiranase, ishte një botë autoktone, theks tjetër i gjuhës, “gomarit” që i thosha “gomar” në mëngjes, pasdite duhet t’i thosha “gamor” në dialektin tiranas, kurse në darkë në shtëpi, theksi shkonte në jugoren e butë beratase të gjyshërve të mi. Tri thekse të ndryshme brenda ditës. Ndaj më vjen të qesh e të qaj kur sot, gjuhën standarde e shohin si ruajtje e një norme ekskluzive dialektore kundër të tjerave. Sikur njeriu është i paaftë të adoptohet dhe të notojë në disa dialekte. Fëmijëria ime ka qenë kështu e plotë dhe në një mikromodel ku mbizotëronte paqja, respekti reciprok, solidariteti i madh familjar, bashkëpunimi mes brezave, puna, bujqësia urbane, tradicionalja e mbështetur te konservatorja që transformohej gradualisht, në një mjedis ku prindërit ateistë respektonin pafundësisht besimin e fortë mysliman të gjyshërve, që faleshin, agjëronin, luteshin. Gjyshi im lexonte duke kënduar në arabisht “Kuranin” e shenjtë. Varianti që shihja në shtëpi i islamit ishte ai i gjyshit tim, Ismailit, një administratori të lartë të Komunitetit kombëtar Mysliman, me pronësi tokash, i cili kur ecte në oborr, e mbante kokën ulur. -”Pse o gjysh ecën ashtu lehtë e nuk e mbështet këmbën fort mbi tokë, përse e mban kokën ulur?”. E dini si më përgjigjej? -”Ka shumë milingona që ecin për të gjetur ushqim dhe nuk duhen shkelur se është gjynah në fenë tonë, jeta e gjallë nuk është pronë e robit, por e Allahut.” Nuk shante kurrë, nuk fliste kurrë pas shpine, nuk dinte të bënte keq, nuk gënjente kurrë, nuk ngrinte kurrë zërin, si ai, si Resmija, e shoqja, e cila rrinte tërë kohën me të zeza. I kishin vrarë gjashtë të afërm, djem të rinj, vëllezër dhe kushërinj të parë, në luftë pushtuesit dhe kolaboracionistët. I ishte nxirë jeta, por nuk nxori kurrë një llaf. I kujtonte dhe i qante. Brezi ynë i lindur në ato vite, mos harroni është rritur kur ende aroma e luftës nuk kishte ikur. Ne jemi brez i luftës, në një farë kuptimi. Prandaj... Në atë familje numerikisht të madhe, jetonin individë me përvoja jetësore dhe fate jete krejt të kundërta, e megjithatë mbretëronte paqja dhe mirëkuptimi. Gjyshërit nga babai, të shpronësuar, por fakti i të qenurit patriotë, i bënte të njehsonin Luftën Nacional – Çlirimtare me pushtetin e atyre viteve. Kurrë nuk thanë një fjalë të keqe për shpronësimet e mëdha që kishin pësuar dhe i kishin shkëputur nga terreni i tyre ekonomik dhe social shekullor.
Iu dukej se bota po bëhej pak e nga pak më e drejtë ashtu.
Shqipëria për ta ishte mbi regjimet politike të cilave nuk ua vinin shumë veshin. Shtëpia e tyre në Berat ishte një bazë ilegalësh gjatë viteve të Luftës në një lagje me famë, poshtë Kalasë, në “Murat Celepias”. Prona që u grabitën dhe kurrë nuk iu kthyen familjes që jeton në gjendjen e të vjedhurit që nuk merr dot kurrë hakun e vet. Kongresi i Lushnjës u mbajt në shtëpinë e klanit Fuga të Lushnjës, që ishte një degë e ardhur nga rrënja e tyre e Beratit. Ndërkaq, nëna ime, Shpresa, e cila u përjashtua nga shkolla qysh në një moshë të re, nga Instituti “Nëna Mbretëreshë” e Tiranës, prej vitesh na fshehu diçka, sepse si duket nuk dëshironte të na trembte apo të na hidhëronte fëmijërinë. I ati i saj, Rasimi, avokat, delegat i Kongresit të Lushnjës, dhe vëllezërit e saj, një pjesë arsimuar në Francë, Itali, etj., paskëshin qenë të dënuar politikë nga regjimi, të prejardhur nga një familje e pasur me banim në Fier, e me origjinë nga Gjirokastra, kurrë nuk u pajtuan me sundimtarët e kohës. Këtë gjë e kam marrë vesh relativisht vonë, aty nga mosha e adoleshencës dhe jam tronditur. I dija se nuk ishin në jetë. Askush nuk fliste për ta. Që nga ajo kohë e shihja me kërshëri dhe e vrojtoja me dhimbje, por edhe me kureshtje nënën time për të parë gjurmët e dramës te ajo.
Pra në atë shtëpi kishte një pluralizëm ideologjik. Në atë mjedis jam rritur dhe ajo kulturë a model social ka lënë gjurmë te unë. Bashkëjetesa. Ateistë e besimtarë, ish-bejlerë e komunistë, të shpronësuar dhe shpronësues, ish-të burgosur dhe studentë të drejtësisë, femra pa shkollë dhe femra të arsimuara, skeptikë ndaj regjimit dhe njerëz që besonin sinqerisht te Bota e Re, funksionarë të shtetit që transformoheshin pasdite në bujq që mbillnin e vilnin, njerëz që lexonin “Kuranin” dhe njihnin ligjet e sheriatit, dhe ekonomistë që studionin Marksin dhe ekonominë politike të tij, të gjitha rrymat, prirjet, ndjesitë, përvojat, nuk sillnin asnjë të çarë.
Çfarë kujtoni më së shumti nga prindërit tuaj në fëmijëri? Këshillat që ju jepnin?
Këshillat nuk i mbaj mend edhe aq shumë. Kam përshtypjen që një fëmijë më shumë se nëpërmjet këshillave, edukohet me anë të modelit të sjelljes së prindërve të tij. Sikurse çdo fëmijë, edhe unë duhet të kem pësuar këtë ndikim nga prindërit e mi, Myqerem dhe Shpresa, të cilët sa isha fëmijë dhe i ri, i adhuroja jashtë mase, ata ishin drejtësia, shembulli, modeli për t’u ndjekur, dashuria, kurse më pas, ndonëse mendimet dhe bindjet tona filluan të divergojnë, i doja dhe i respektoja pa fund për mënyrën e të jetuarit dhe gjithçka kishin bërë në jetë dhe për mua personalisht.
Shembulli i nënës ishte traumatizues dhe shtypës. Nën presionin e kohës, ajo nuk kishte të drejtë të mbante lidhje me familjen e saj. Ruante biografinë e vet dhe të familjes së saj. Në fakt, ndarja me të i kishte ndodhur qysh gjatë Luftës, kur braktisi një familje të pasur, edhe doli ilegale. Ndofta është nga gratë e para shqiptare që mori rrugën politike antipushtuese. Më vonë punoi vite të gjata në diplomacinë shqiptare të kohës, sipas mënyrës së saj, dhe rregullave të kohës, por besoi e bindur në ndërgjegjen e vet se po i shërbente vendit.
Në ora tetë të mbrëmjes duhej, si fëmijë apo adoleshent, të isha në shtrat. Asnjë minutë më vonë. Kur ajo kthehej në shtëpi nga punët e saj, ky rregull duhej të ishte zbatuar. Asnjëherë në shtrat pa bërë banjë. Kur merrte vesh, se ndonjëherë ne fëmijët nuk e kishim respektuar këtë rregull pastërtie dhe edukate, na kishte zënë gjumi të lodhur nga mësimet a lojërat tona të pasdites, regjimi korrektohej. Ngriheshim nga gjumi pa shumë përkëdhelje dhe kalonim regjimin e banjës mbrëmësore. Rregull, rregull, rregull. Në të veshur, në të ngrënë, ku secili kishte vendin e vet në tavolinën e ngrënies dhe nuk mund ta ndryshonte kurrsesi, rregull në të folur, ajo, bija e avokatit dhe e prejardhur nga një familje shumë e arsimuar e Perandorisë, kushërira e Çabejit dhe me nënën e saj nga ajo derë, diplomatja me familje të persekutuar kërkonte rregull nga fëmijët e saj. Kam përshtypjen se gjithçka te ajo bëhej sipas një morali të rreptë, rregullash strikte, normash që i zbatonte deri në një.
Një ditë padashur u ndodha pranë saj ndërkohë që ajo po gërmonte në disa dosje me dokumente të vjetra arkivore që i përkisnin. Ishte një ditar i vjetër. U bëra kurioz dhe i thashë: “Shoh se qenka shkrimi yt, më lejo t’i hedh një sy.” Ishte një ditar që kishte mbajtur gjatë Luftës, kur ndodhej në një shpellë të maleve të Skraparit, e rrethuar nga bora dhe nazistët, e sëmurë me tifo, nën mbrojtjen dhe kujdesin, besën e familjeve patriote skraparlie, pikërisht e familjes nga rrjedh gazetari dhe miku im, Roland Qafoku, ajo shkruante të vërtetat e saj, ndofta të fundit. Pa gënjeshtra dhe hipokrizi. Çfarë shkruante? Ajo, tetëmbëdhjetëvjeçarja kritikonte veten sepse kishte bërë dy gabime të mëdha: E para, sepse një ditë i kishte shkuar ndërmend pyetja, gjatë operacionit nazist të dimrit: “A do ta fitojmë dot luftën?” E quante një ndjenjë disfatiste. Dhe e dyta, e brente ideja e fajësisë se këtë mendim që i kishte kaluar në kokë, nuk kishte arritur t’ia thoshte komisarit të saj. Ja, këto shkruante tetëmbëdhjetëvjeçarja, e përjashtuar nga shkolla për patriotizëm, rrëmujaxhesha që bashkë me shoqet e saj prishën ceremoninë në kinema me prani të Jakomonit, që shpaloste me të tjera flamurin kombëtar, e bija e pronarëve të mëdhenj patriotë. E mendoni goditjen time? Sinqeriteti, ideali, vetëfajësimi, indoktrinimi, inoçenca, besimi te një çështje e madhe, e të tjera.
Im atë ishte tjetër. Ai i donte malet e Skraparit ku kishte luftuar bashkë me shokë, Beratin, djalë qyteti mijëravjeçar, e donte sikur të ishte një qenie e gjallë prej mjalti. Seç kishte prej andej një ndjenjë superioriteti të butë që e shfaqte duke ndihmuar të tjerët, duke falur pa fund, duke harruar të keqen, duke mos e menduar atë. Mos harroni, ishte një djalë beu, që ngriti në luftë veç të tjerash pikërisht edhe bujqit që punonin në tokat e atit të tij. Histori të çuditshme. Bujq, që kur vinin tashmë si qytetarë të lirë për vizitë te ne në shtëpi, gjyshit i drejtoheshin: “Ismail bej”, kurse tim eti, që e kishin edhe deputet për disa legjislatura: “Shoku deputet”. Nuk e mora dot vesh kurrë nëse respektonin deputetin si djalin e beut, apo beun e respektonin si babain e deputetit, apo të drejtuesit të Luftës. Por, më duket se në ndonjë rast respekti për beun ishte më i thellë dhe më i rrënjosur sesa për deputetin. Kishte prej tyre syresh, fshatarë të thjeshtë, të mirë deri në pafundësi, që nuk e bënin dot fare dallimin, emrin kishin ndryshuar gjërat, por nuk kishte ndryshuar thelbi i vërtetë i tyre. Dhe vërtet, a ndryshojnë regjimet, apo ndryshojnë vetëm fjalët me të cilat ne i quajmë marrëdhëniet politike dhe ekonomike të kohës? Sot, kur lexoj Gustav Le Bon, që i përmbahet idesë se revolucionet, shpesh janë vetëm ndërrim i fjalëve me të cilat ne quajnë sendet, bie në mendime dhe më kujtohen fshatarët apo qytetarët që vinin vizitë në shtëpinë time, ku ish-beu ishte deputet dhe deputeti ish-bej. Im atë më çudiste dhe, shpesh edhe më krijonte probleme me thjeshtësinë e tij dhe gjendjen e vet të natyrshme. Nuk lëvdohej kurrë. Pata fatin që sa herë ai shkonte me shërbime të gjata nëpër Shqipëri dhe unë isha me pushime, më merrte me vete. Nuk e di përse e bënte këtë. Nuk donte të ndahej nga familja, donte të argëtohej në orët e lira, donte të më mësonte nocionet e para të ekonomisë politike? Kushedi. Në këtë mënyrë që i vogël nisa të njoh çdo cep të Shqipërisë, njerëzit e saj, t’i dua dhe t’i respektoj në punën e tyre. Shihja malet madhështore në Jug e në Veri, lëndinat e buta të sapoçliruara për disa ditë nga bora, lumenjtë e rrjedhshëm, bostanin e Divjakës që duhet medoemos të dilte në tregun botëror disa ditë përpara shalqirit bullgar, baxhot e maleve, grykat e Përmetit, freskinë e lokaleve të fabrikave ushqimore, por edhe trishtimin e qyteteve të reja industriale, monotoninë e jetës urbane dhe rurale, varfërinë e skajshme të shumë shtresave, tmerrin e minierave që nxirrnin flori, por që mbi tokë më tronditnin me mensat e lokalet pa dinjitet e respekt për njeriun. Mbaj mend se kur më merrte për të shëtitur në rrugët e Tiranës në mbrëmjet e lira, gjithmonë më fliste për punët e tija, për mënyrën si e kuptonte botën dhe ngjarjet. Ishin për mua, një fëmijë ndofta gjashtëvjeçar, leksionet e para të sociologjisë, ekonomisë politike, historisë. Atëherë zbavitesha, sepse më dukeshin si përralla, ndjeja edhe krenari sepse im atë më fliste sikur të isha i madh. Por, më vonë u lemerisa nga kjo që kisha në kujtesë. Më erdhi një ditë pyetja në mend: Përse im atë më fliste për këto çështje në formë rrëfimi ndërkohë që shëtisnim të dy, më tregonte gjëra që ai më pas nuk ia përmendte askujt tjetër? Ndofta ishte një e folur me vete, nën presionin e kohës, ndofta ishte një rrëfim si ai që legjenda kërkon t’i bëhet gurit, për t’u çliruar nga barra e ankthit, ndofta ishte i bindur se kështu fuste te unë arsyetimin social, nuk e di. Ka mbetur një enigmë. Ai nuk la kujtime të vërteta. Pastaj pas viteve ‘60, në vitet ‘70, puna e administratorit të lartë në shtet erdhi dhe u bë një skëterrë e vërtetë. Ndjej hidhërimin e tij, të një njeriu që besonte se Bota e Re ishte e mundshme, kur u mbyllën kishat dhe xhamitë, aty nga viti 1967. Nuk e di se çfarë mendonte në të vërtetë i biri i administratorit të komunitetit islam. Nuk di se çfarë mendonte babai im, ish-studenti i Normales së Elbasanit, ai që kishte braktisur studimet për letërsi në Firence dhe u kthye në atdhe nën ndikimin e Qemal Stafës për të marrë pjesë në rezistencën antifashiste. Por, e dëgjoja shpesh të thoshte: “Jo, asgjë e keqe nuk na erdhi nga klerikët përgjatë Luftës, ata janë patriotë.” Fliste sigurisht për klerikët që kishte njohur. Pesimizmi iu rrit kur nën efektin e një stalinizmi ekonomik ekstrem dhe të revolucionit kinez, u përshpejtuan masat për shtetëzimet e artizanatit të vogël, të punishteve të vogla private, të shitoreve, si edhe u ngurtësuan format e shpërblimit në bujqësi, si normat kolektive etj. Çfarë kanë me fshatarin e shkretë që ka ardhur të shesë në qytet, xhanëm?, - shprehej me trishtim. – Përse duhet ta ngrenë me polic? Ishte i bindur se pa individualizëm, asnjë motivim ekonomik nuk mund të bëhej. Lufta e famshme kundër burokratizimit, ishte për të një betejë kundër administratorëve dhe teknicienëve në emër të militantëve partiakë që përmbysnin gjithçka. Në këtë pikë ai ishte cinik, aq cinik sa mund të ishte ai. Ndërkaq izolimi ekonomik nga Kina, për të, nuk kishte dyshim se do të rrënonte një herë e mirë vendin. Përse i them këto? Sepse modeli i tim eti ishte ai i një kritike, më mësoi kritikën, por kritikën konstruktive, pa mllefe, për të mirë, për të ndrequr, gjithsesi të mbështetur në argumente. Ata, prindërit çdo gjë e kishin bërë kundër interesave të tyre të ngushta, në emër të idealit, të drejtë apo të gabuar, pak rëndësi. Ata më mësonin me shembullin e tyre se më së pari është ideja, kurse interesi i ngushtë vetjak nuk i sjell lumturi njeriut, është efemer, nuk mjafton për të mbushur një jetë.
Keni qenë fëmijë relativisht i qetë, apo e kundërta? Na rrëfeni disa pasazhe nga ajo kohë?
Shumë i qetë, me çfarë më thonë më të rriturit dhe me çfarë mbaj mend vetë. Kujtimet duhet të jenë të panumërta, si të çdo njeriu tjetër; duhen shkruar vëllime kujtimesh që të mund t’i përmbledh. Por, ato nuk i interesojnë njeriu, ndofta vetëm fëmijës tim. Duhet të kem qenë katër ose pesë vjeç, kur mora sëmundjen virale të verdhëzës, që atëherë quhej botkin. M’u desh të shtrohesha në spital për tri javë, në pediatri. Më çoi nëna atje, dhe nuk kuptova se do të më mbanin të izoluar. Kisha kujtuar se do të bëja një vizitë të thjeshtë te mjeku dhe do të kthehesha përsëri te “Islam Alla 41”, në familjen time të qetë dhe numerikisht të madhe. Por jo. Më veshën një palë pizhame, më futën në një dhomë më vete, dhe nëna u largua duke më lënë në dorë të infermiereve. Tronditja ime ishte e pamatë. Më kishin shkëputur nga prindërit, nga gjyshërit, nga lodrat e mia, nga kopshti paqësor me pemë, nga miqtë e mi të vegjël, komshinjtë, nuk kuptoja. Nisa të qaj dhe e mbaj mend edhe sot se bërtisja, protestoja, thërrisja, thosha fjalë që preknin personelin, ndjeja një poshtërim, një fyerje, një tradhti, një braktisje. Kam mbajtur këto ligjërime e vajtime për orë të tëra deri në ngashërim. Më kujtohet që nxirrja fjalë të rënda nga goja për një pesë a gjashtëvjeçar: “Më ktheni mamanë time!”, etj. Nuk e dija që për aq orë sa ulërija ashtu i thyer nga dhimbja, nëna ime priste të pushoja, diku në një dhomë tjetër. Por, isha i dënuar me izolim. Isha rrezik për të tjerët. Këta të tjerët, kur iu rrezikon shëndetin, edhe të mbyllin... Më kujtohet një dramë tjetër fëmijërore kur vajta për herë të parë në klasë të parë, ku na priti mësuesja ime e parë, një edukatore e shkëlqyer, një zonjë e vërtetë, e dashur, e rreptë, e saktë, racionale, Thomaidha Gramatiku. Motra një ditë më parë më kishte mbështjellë librat dhe fletoret me një letër të bardhë të shkëlqyer. Kishte punuar e gjora, disa vjet më e madhe se unë, nxënëse në të njëjtën shkollë, për t’i bërë librat dhe fletoret e mia të bardha si bora, me etiketa të vizatuara me ngjyra ku shkruhej emri im: “Artan Fuga, klasa e parë A, shkolla ‘11 Janari’.” Çanta po ashtu ishte dritë nga pastërtia. Kur u futëm në klasë, ndërsa prisja të lavdërohesha nga mësuesja, gjeta një lloj indiference në sytë e saj. Përpos kësaj ajo na tha të hiqnim mbështjellëset e bardha. Disa nxënës i kishin mbështjellë me gazeta, me fletë revistash, disa me letër të bardhë të ashpër, kurse unë, me një cilësi të lartë. “Hiqini mbështjellëset” – tha zysh Thomaidha. Ajo donte që ne të shihnim kopertinat e librave dhe ta fillonte shpjegimin që andej. Por, unë e mora sikur ajo tha se mbështjellëset nuk duheshin më. Sapo dola nga shkolla, i kam shqyer të gjitha ato, i zhvesha sërish me libra dhe fletore, dhe kur erdha në shtëpi, gjithë hundë e buzë, ia tregova motrës, e cila u lebetit: “Çfarë ke bërë kështu?”, – më tha. “Nuk duhen”, na tha zysha, - iu përgjigja unë. Ajo pastaj më sqaroi se kishte qenë fjala për t’i hequr mbështjellëset vetëm për një çast dhe jo për t’i grisur e hedhur poshtë. Gjithë pasditja kaloi duke rimbështjellë librat e fletoret. Por, këtë radhë edhe durimi i motrës kishte sosur, edhe letra e bardhë e shkëlqyer kishte mbaruar. Kishin ngelur vetëm faqe gazetash. Kjo dramë e vockël shënjoi për vite e vite me radhë sjelljen time ndaj librave të shkollës, që nuk ishin edhe aq të mirëmbajtur.
Ku i kalonit më së shumti pushimet verore në atë kohë?
Në Durrës. Në plazhin e Durrësit. Unë kam shkruar për Adriatikun, për plazhin e Durrësit, për qytetin e Durrësit. Atje jam rritur gjatë verës, fillimisht si fëmijë me familjen time, pastaj si i ri me shokë e miq, në kabina plazhi, hotele, apartamente vilash si quheshin atëherë, vetëm çadrat nuk kam provuar. Kam shkruar në libra dhe kam folur në intervista, për shembull te “Rrota e Mundimit”, por kurrë nuk do të pushoj së foluri për ndikimin e plazhit të Durrësit, të trenit që na çonte atje, të jetës atje, mbi mua dhe mbi të gjithë brezin tonë. Mbi gjithë shoqërinë shqiptare. Atje te bregu i detit ne mësuam lakuriqësinë e trupave të të tjerëve, lojën e futbollit në plazh, demokracinë natyrore, lidhjen me natyrën, aromat e kremrave, aranxhatat, akulloret, kasatat e Bllacës, pamë turistët e “Hotel Adriatikut”, kënaqësinë e të notuarit në ujërat e freskëta, fuçitë që qarkonin zonën e detit të lejuar për not. Gjithë qejfi ishte se fuçia si tabu ndaluese ishte gjëja më tërheqëse në botë. “Vajta me not deri te fuçia.”; “Ai e kalon fuçinë”,– ishin shprehjet më të dashura. Të prekje me dorë fuçinë, si vijë ndarëse, si pikë kufitare, si hapësirë ku e lejuara bëhej e palejueshme, kjo të jepte drithërimë. Aty mësuam notin mbi kamerdare kamionësh gjigantë që shoferët i përdornin për familjet e tyre që zbaviteshin me to buzë detit. Mësuam pistat e mbrëmjes buzë detit, ku gjithçka lundronte mes tymit të qofteve, birrës, bardhësisë së rrobave verore, ngjyrës të bronztë të lëkurës së trupave. Nuk i ndahem kurrë plazhit të Durrësit. Është për mua plazhi më i mirë në botë. Nuk ka si ai. Duhet vetëm një politikë urbanizuese, duhet kthyer në një qytet që administrohet nga vetë qytetarët e saj dhe jo nga komunat bujqësore malore apo kodrinore që e kanë sot në administrim. Këtë verë shihja peizazhet që japin konturet e kodrave të Durrësit në perëndimin e Diellit dhe mahnitesha si një i lojtur nga mendtë pas tyre. Mendoja: Këto peizazhe ndofta janë prehistorike. Janë një arkeologji e qiellit. Kështu i kanë parë ndofta edhe të parët tanë mijëra vite më parë, kështu i ka parë Pompei, i kanë para helenët e Korkyrës që erdhën për të populluar koloninë e tyre, i kanë parë kryqtarët që kalonin nga detet e veriut për të shkuar drejt Jerusalemit, kështu i ka parë edhe Ciceroni. Durrësi është me nam. Një qytet që madhështia e të cilit mund të mbulohet vetëm nga menefregizmi i një shoqërie konsumi që i ka bërë qytetarët e këtij vendi të harrojnë se ku jetojnë. Ata jetojnë në një vend tragjedish, epopesh, në një skenë gjigante teatri të përjetshëm ku janë luajtur drama të mëdha njerëzore. Kur lexoj debatet në agorën greke, sesi helenët gjykonin për Durrësin, them se, ja Shqipëria evropiane, rrënja e qytetërimit evropian, Durrësi, të vonohet për t’u pranuar në Evropë. Mos o Zot, në çfarë bote idiote dhe të padrejtë që jetojmë! E kush mund ta mohojë që, trekëndëshi bazë mesdhetar ishte Athinë-Romë-Durrës. Të tjerët ishin stacione autobusi për të shkuar në këto qendra të mëdha të qytetërimit evropian, perëndimor. Ne atëherë plazhit të Durrësit i thoshim “Plazhi i Tiranës”, por në fakt çfarë është Tirana para Durrësit. Tirana është e Durrësit. Atje duhet të bëhet kryeqyteti i Shqipërisë. Ai është kryeqyteti natyror i Shqipërisë. I keni parë durrsakët autoktonë sa të butë e të mirë që janë? Do Shqipëria të trondisë botën dhe të hyjë menjëherë në lajmet kryesore si shembull emancipimi? T’ia bëjë zili gjithë vendeve të tjera? -Të bëjë kryeqytet Durrësin.
Çfarë argëtimesh kishit dhe si i shfrytëzonit ato?
Pak. Nuk kishte lodra. Kjo ka mbetur një boshllëk te unë. Më qëllon edhe sot që, fshehurazi, të qëndrojë pranë vitrinave të dyqaneve të lodrave dhe, të vështroj me një kureshtje të paparë. Dua shumë të kem mundësi të luaj me lodra fëmijësh. Më qëllon që ndonjëherë, gati fshehurazi, të blej për vete ndonjë të tillë. Ka lodra për fëmijë që në fakt janë për të rritur. Lodra e fundit që bleva për vete ishte një brejtës, në ngjyrë të murrmë, prej pelushi, tamam si i gjallë. E kam vendosur diku pranë tavolinës së punës si dekoracion, por në fakt ai është një loja ime që hera-herës e marr në duar... Luaj me statuja të vogla në miniaturë prej metali ose druri që i mbledh ngado që i shoh në antikuare apo tregje artizanale. Është hobi im. Loja është gjëja me serioze e ekzistencës njerëzore. Atje ku riprodhohet jeta në forma fëmijënore, ku bëhet prej gjasme jeta dhe vdekja, pushteti dhe paraja, lufta dhe paqja, atje ku njeriu është i lirë ta ndërtojë botën sipas imagjinatës së tij. Kam luajtur me kutiçka të vogla plastmasi që i konsideroja si vetura të vogla dhe i ngisja nëpër udhët e vogla mbi divane e mindere ose nime, sikurse thoshte gjyshja ime nga babai. Kam luajtur me peta, me litar, me komça. Futbolli artificial që kishim shpikur, që e luanim mbi pllakat e korridorit dhe ku lojtarët ishin figurat dhe ushtarët e lojës së shahut, ku topi ishte një komçë, tërhiqte gjithë miqtë e mi të lagjes në kampionate që vazhdonin me orë dhe me ditë të tëra. Dikush në familjen time më thotë se edhe sot unë iu bëj fëmijëve dhuratë lodra të cilat do të më kishin pëlqyer mua vetë po të kisha qenë në vendin e tyre. Dhuratat që bëj janë një lloj plotësimi i egos sime të paplotësuar me to kur kam qenë fëmijë. Jeta vetë është një lojë e madhe që argëton edhe me hidhërimet e veta. Kinemaja në atë kohë të fëmijërisë sime ishte me një magji që sot e ka humbur. Sot fëmijët luajnë me vegla pune. Tmerr! Me kompjutera. Është njësoj sikur fëmijët e spartanëve të luanin me shpata, ose të bujqve mesjetarë të luanin me lopata. Sot kinemaja e ka humbur magjinë sepse nuk ka kuptim të shohësh dyzet filma në ditë, t’i ndërpresësh dhe t’i vazhdosh pasi të skuqësh specat. Kinemaja është rit, pasion, emocion. Mua më duket sikur të gjithë filmat sot janë i njëjti film që formësohet nga një skenar i vetëm, me fragmente të ndryshme që përsëriten pa fund, të njëjtat veshje, lëvizje, gjeste, revole, vrasje, seks, e njëjta skenë. Një mërzi e madhe. Më kujtohet se në fëmijëri kinema “Republika” propozonte të shihje të tria seritë bashkë të “Tre Mosketjerëve”. Nja pesë orë film. Futeshe e nuk dilje më gjithë mëngjesin. Hyje në mëngjes dhe dilje në drekë. Çfarë magjie!...
Kur e krijuat familjen tuaj dhe si është e përbërë ajo?
Në 1986-ën, zyrtarisht; përbëhet nga unë, Artan Fuga, nga bashkëshortja ime, Ariana, dhe nga fëmija im.
Marrëdhëniet që janë krijuar mes njëri-tjetrit?
Të dashurisë së përjetshme, besoj.
Deri aktualisht, ju dispononi një jetëshkrim tejet të pasur për nga bota akademike. Si lindi pasioni juaj për filozofinë dhe kur vendosët ta ndiqni intensivisht atë?
Nuk e di. Por, nuk kisha asnjë dyshim se ishte dega që më pëlqente më fort. Po të mos më kishte dalë ajo degë sigurisht do të kisha vrarë veten, ose do të kishte qenë më mirë të shkoja ushtar ose të arratisesha. Sigurisht në mënyrë disi të turbullt, e ngatërroja filozofinë shpesh me teoritë sociale, me një farë sociologjie latente, me politikën, me ekonominë. Gjëja më e rëndë në filozofi është të dish mësimin e parë të pakuptuar: “Çfarë është filozofia?”. Pak vetë e dinë. Ndofta ishte metafizika që ushqente besimi fetar i gjyshit. Ndoshta ndonjë farë ankthi për ekzistencën që më ka shoqëruar qysh në fëmijëri. Ndofta paradoksi i jetës me kundërshtitë e veta, ku të kundërtat sikurse ju thashë, në familjen time bashkëjetonin harmonikisht, mbase rrëfimet solitare të tim eti për probleme ekonomie dhe sociale, mbase drama familjare e fshehur e nënës sime, e sublimuar në devotshmëri, mbase përrallat magjike të gjyshes, të dëgjuara qysh fëmijë, mbase një dëshirë për të shkuar në sekretet më të thella të shoqërisë së asaj kohe, që dominohej nga filozofia dhe ideologjia. Kam frikë se dëshira tunduese që nuk më shqitet as sot për të shkuar në zemrën e kraterit që djeg. O gjej se çfarë ka në krater të fshehur, o vdes, rrugë të mesme këtu nuk ka. Nuk e di.
Çfarë mbani mend nga fakulteti dhe diplomimi?
Mbaj mend që qysh në vitin e parë kisha një dëshirë për të ditur gjithë programin mësimor të katër viteve. Unë hyra në Universitet në shtatorin e vitit 1973. Brenda një viti arrita të lexoja pothuajse të gjithë ata autorë që konsideroheshin si klasikë dhe përbënin bazën e bibliografisë universitare të kohës. Pastaj tre vite me radhë mërzitesha. I skedova në mënyrë analitike. Më la mbresa të pashoqe vepra e Engelsit mbi gjendjen e klasës punëtore në Angli, një punim i mirëfilltë dhe i shkëlqyer sociologjik, nuk më bindte fare vepra tjetër e tij mbi origjinën e shtetit, pronës dhe familjes, sepse mendoja se ku ishte i sigurt ai për ato informacione aq të largëta historikisht. Më dukej një tautologji e gjallë. Më trondiste “Dialektika e Natyrës” për nga forca e saj e abstraksionit, por edhe më bezdiste për nga thjeshtësimi i sekreteve të natyrës. Një termodinamikë e ideologjizuar universalisht. Adhuroja me frikë dhe tmerr intelektual “Kapitalin” e Marksit sepse më dukej i pakundërshtueshëm, por edhe që binte në kundërshtim me bazat ideologjike të regjimit komunist të kohës, i cili deklarohej si marksist. Por marksist, nuk mund të ishte aspak... Neverisja “Manifestin e Partisë Komuniste”, si një parashikim absurd dhe pretencioz. Kujtoja se mësoja historinë nga vepra e Marksit mbi “18 Brymerin e Lui Bonapartit”, por vonë mësova se faktet historike nuk kanë qenë ashtu dhe kam pasur një zhgënjim të thellë. Kurrë nuk pranoja “Materializmin dhe Empiriokriticizmin” e Leninit sepse më dukej se e thjeshtonte subjektiven te njeriu, por mrekullohesha nga energjia intelektuale që çlironin veprat e tij mbi kapitalizmin shtetëror, mbi kooperimin dhe shtetet e bashkuara të Europës. Më vinte rregull në kokë vepra e tij mbi Imperializmin. Interesohesha për analizat e Stalinit mbi kontradiktat që do të çonin në Luftën e Dytë botërore. Më dukej absurde dhe e papranueshme teoria e tij mbi gjuhën si një komunikim apolitik. Ja, hezitimet, vuajtjet, përparimet, iluzionet, rrugët e një të riu të kohës që njihte vetëm atë pjesë të kulturës filozofike që i lejonte izolimi i kohës dhe gradualisht do t’i duhej të dilte prej andej...
Si do ta përshkruanit periudhën në të cilën keni jetuar në Francë? Çfarë do të veçonit më së shumti?
Njëzet vjet. Është një periudhë e jetës sime, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, për të cilën ruaj një çast tjetër për të folur, shumë e gjatë, shumë e pasur, shumëplanëshe. Dua vetëm të veçoj një fakt. Atë që tha profesori im kur i parashtrova planin tim të punës në vitin 1992: “Ti paske vendosur ta vesh kontatorin tënd në zero!” Isha tashmë 38 vjeç, isha i martuar, me një fëmijë, i doktoruar në Shqipëri, përgjegjës departamenti, dhe atje nisa nga e para studimet filozofike. Shpesh më ndodhte që shokët e shoqet e mia të klasës të ishin nga 18 ose 20 vjeç. Me ta banoja në konvikt. Atje i kalova edhe një herë të gjitha fazat që kisha kaluar në Shqipëri: student, doktorant, postdoktorant, pedagog i jashtëm, pedagog i brendshëm, pedagog i ftuar...
Mund t’i filloj përsëri nga e para në Austri, Gjermani, Angli. Nuk përtoj.
Jeni autor i një morie librash. Cili prej tyre ju ka lodhur më shumë, apo ju ka marrë më tepër kohë?
Më tepër kohë më ka marrë “Shoqëria periferike”, botuar nga Besnik Mustafaj aty nga viti 1998 në shqip, që më parë ishte botuar në frëngjisht. Për mua është analiza globale e tranzicionit shqiptar me të gjitha arritjet, mangësitë dhe veset që e karakterizojnë. As sot nuk është zhvleftësuar. Aty pretendoj se janë nocionet dhe veset e tranzicionit shqiptar, pa shërimin e të cilave as nuk duhet shpresuar që kjo shoqëri të gjejë qetësi.
Më shumë më ka bërë të vuaj një broshurë që kam shkruar në vitin 1982, atëherë kur isha ende nën ndikimin e dogmatizmit ideologjik që na formoi shkolla e atëhershme, mbi filozofët e rinj. Unë kritikoja atëherë në atë broshurë filozofë të caktuar perëndimorë si Gluksman, Henri Levy, etj. Edhe sot jam kritik ndaj mendimit të tyre, por sigurisht nga pozicione krejt të tjera. Po aq jam kritik ndaj pozicioneve të mia të atëhershme. Mirëpo në tekst kishin ngelur edhe pohime të miat, sipas të cilave për shembull shteti nuk mund ta ndalë dot rrjedhën e historisë dhe një ditë çdo shtet bie. E çova librin për botim dhe dikush m’i vuri në dukje si me gjysmë zëri këto shkarje. Atëherë më kapi paniku i madh. Falë ndihmesës së botuesit të asaj kohe, mikut tim dhe kolegut tim të tanishëm, prof. Bashkim Gjergji, arritëm që ta zvogëlojmë dëmin që mund të na ishte shkaktuar nga organizmat e censurës. Ai e mban mend edhe sot se në çfarë vështirësie u ndodhëm...
Edhe pse është e vështirë, cilin do të veçonit si më të lexuarin?
“Rrota e Mundimit”, ribotuar disa herë.
Çfarë pedagogu do ta klasifikonit veten?
Të paklasifikueshëm sipas degëve të dijes, që janë dogma ndarëse që i përbuz. Unë jam diplomuar edhe në shkenca politike, edhe në filozofi, edhe në sociologji, edhe në komunikim e informacion, si edhe në filozofinë e ekonomisë. Dua të notoj në pikëprerjet e tyre. Unë e përbuz atë model pedagogu ku ai iu teorizon studentëve vetëm pikëpamjet e veta. Unë e shoh pedagogun më shumë si një dispeçer të dijeve dhe të informacionit në këtë botë diverse ku jetojmë. Çfarë kuptimi ka t’i marrësh peng studentët dhe t’ua mbushësh kokën me broçkullat e tua. Auditori duhet hapur ndaj të gjitha propozimeve intelektuale që vijnë nga horizonte të ndryshme të dijes.
Kurrë nuk kam qenë një pedagog sipas standardit klasik. Në origjinë kam qenë dhe kam mbetur një kërkues shkencor dhe në auditor përçoj vetëm rezultatet e kërkimeve shkencore që kam bërë mbi realitetin ose mbi autorë të tjerë. Kurrë nuk kam përsëritur dy herë të njëjtin leksion.
Dijet që transmetoj janë referenciale, pra gjithmonë të referuara ndaj dikujt. Ndaj atyre që konsideroj autoritete ndërkombëtare në dije. Kjo shpesh i ka bërë studentë të ndryshëm të pyesin: “Po mendimi juaj cili është?”. Unë i ruaj studentët nga mendimet e mia. Ose ua them, por në atë mënyrë që ata të mos e ndjejnë aq lehtë dhe menjëherë këtë. Është shumë barbare dhe e trashë t’i thuash troç gjërat, a thua se je i sigurt se po thua të vërteta të sigurta. Ndërtimi i fjalisë duhet bërë me marifet që të mos refuzohet nga komunikuesi. Dikush thotë se mjeku duhet të flasë gjuhën e pacientit. Foli një afgani shqip sa të duash, ai nuk kupton, i duhet folur afgançe. Këtej ka lindur edhe paragjykimi budallë sipas të cilit “Fuga nuk e thotë mendimin e vet!”. Aq e kam thënë se nuk kam lënë gjë pa thënë! Në liri të plotë. Disave duhet t’u flasësh ashpër që të ndjejnë se po iu thua diçka. Por, ky nuk është stili im. Ai që nuk kupton të folurën delikate, nuk meriton të kuptojë shumë gjëra. Më parë duhet të qytetërohet. Ka instanca të tjera që merren me këtë punë, kopshte, shkolla. Kush nuk e ka ndjerë pickimin e gjilpërës duhet ta dijë se ose ka qenë i anestezuar përpara, ose ka qenë i mpirë, ose i ka bërë aq mirë gjilpëra saqë nuk ka ndjerë pickimin.
Pedagogu vë notë për studentët e tij, jo për veten e vet. Shpesh më kap tmerri se mos leksioni im është mediokër, apo ato që transmetoj në auditor janë të paverifikuara si dije.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me studentët?
Unë mendoj se duhet të kalojnë së paku dhjetë vjet që një student të vlerësojë si duhet një pedagogun e vet, dhe një jetë e tërë për pedagogun për të kuptuar nëse një student i tiji e ka merituar investimin që është bërë.
Sokrati, ai që themeloi filozofinë racionaliste në Greqinë e Lashtë, ati i filozofisë europiane, u dënua të pijë helmin nga qytetarët e tjerë athinas dhe një nga akuzat ishte se kishte prishur rininë. A mund të ketë fat më të madh në karrierë një filozof që e ndjen veten se duhet të respektojë kujtimin e pasardhësit gjigant të tij? Të prishi rininë, kjo është detyra e filozofit. Por, çfarë do të thotë në këtë kuptim të prishësh rininë? Do të thotë që ta ndihmosh atë t’i kuptojë botën dhe qenien në një mënyrë të re, ndryshe nga prindërit e tyre. Përndryshe pedagogu është një mediokër. Edukimi është një proces prishjeje e rinisë, përndryshe kultura e brezit të ri do të qëndrojë në atë të arkaizmit.
Prishja e brezit të ri sot do të thotë t’i mësosh atij se duhet ta përbuzë korrupsionin, hipokrizinë, mungesën e moralit, babëzinë, servilizmin, trafikun e influencës, kopenë dhe moralin e saj, egoizmin, interesin e vockël idiot dhe të mjerë, përtacinë, injorimin e tjetrit, autizmin mendor dhe kulturor, pabesinë... pra një pjesë të normave sunduese.
Zoti Fuga, vitet e fundit ju keni pasur një shpërthim të madh mediatik dhe jeni kthyer në një ndër ikonat e Akademisë së Shkencës. Si ndiheni për këtë?
Nuk ndihem ikonë, por njeri, aq më pak në Akademinë e Shkencave që nuk më ngjan fare si një kishë. Kam shumë gjëra ende për të thënë dhe nuk arrij t’i them. Kur i them, bien shpesh në vesh të shurdhër. Kanë përhapur miqësisht edhe idenë: “Mirë e ka Fuga, por janë gjëra që nuk bëhen tani, janë për dekadat e ardhshme.” Forma asgjësimi të butë që si specialist i komunikimit i kuptoj shumë mirë ku rrahin, dhe buzëqesh. ATË e helmuan, ç’a fati duhet të presim ne pasuesit e tij? Por, kur do t’i bëjmë gjërat? Pse e keqja bëhet sot, kurse e mira do kohë të bëhet?
Gjithsesi ka ardhur koha që të mos merrem aq shumë me studime apo reflektime të ditës, apo punime empirike, por të përqendrohem në disa libra që prej njëzet vitesh presin për t’u shkruar. Nuk di kur do të gjej kohë. Kam në plan libra për filozofinë, për logjikën, për komunikimin, si edhe për ekzistencën. Nuk mund të kënaqemi që për këto fusha formulimi i ideve të na vijë nga autorë të huaj. Duhet të përcillen në shoqërinë shqiptare nga një shqiptar. Një material i mbledhur, i sistemuar, që pret, si stivë drush që presin të hidhen në zjarr. Po kush të lë se? Ja, duhet të japësh intervista...
Cila është një e përditshme e juaja nga mëngjesi deri në pasdite vonë?
Një ngatërrim i pafund mes punës, gjumit, kohës së lirë, argëtimit, kënaqësisë, jetës sociale, menaxhimit, shoqërisë, jetës akademike, jetës së kafeneve, restoranteve, shëtitjeve, ecjeve të gjata, vizitave miqësore, ëndërrimit, lojës. Më qëllon shpesh që në kohë të lirë punoj, dhe kur punoj zbavitem.
Kur më thonë të punoj, nis e zbavitem, kur është koha e lirë, më pëlqen të punoj. Si mund t’i thuash, ta zëmë një filozofi: “Në ora 8 nis të mendosh dhe lëre mendimin në ora 12. Bëj një pushim dreke, dhe pastaj në ora 14.00 nis të rimendosh përsëri!”.
Si e kaloni kohën e pushimit, apo orët e lira?
Duke punuar, pra. Unë jetoj si në një kamp përqendrimi, ku vetëm puna mendoj se më jep lirinë. Privilegj i madh.
Pushimet tuaja për këtë vit?
Në plazhin e Durrësit, pra, mos mendoni se do të shkoja në Antalia, apo në Korfuz? Në Durrës, në kërthizën e qytetërimit europian. E dini çfarë do me thënë të pish një kafe te “Tora” në Durrës?! -Duket sikur pi verë nga vreshtat e Romës a të Greqisë së lashtë. Të ikën mendja fare, kur mendon se kush ka kaluar andej. Shpirti i Europës!
(er.nu/summer pages/BalkanWeb)