E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-gruaja e Maks Velos: S’kam qenë agjente e Sigurimit

TIRANE - Luçiana Naraçi, ish-bashkëshortja e Maks Velos, shprehet se nuk ka qenë asnjëherë agjente e Sigurimit të shtetit. Në intervistën e dhënë për "Gazetën Shqiptare", marrë pas deklaratave të Velos se ish-gruaja ishte spiune e Sigurimit, do të zbulojmë jetën e Luçiana Naraçit, momentet e vështira pas divorcit, thirrjen në hetuesi e dashamirësinë e kolegëve për ta mbrojtur nga ndonjë "tërheqje veshi".
Në deklaratat e tij, z.Maks Velo shprehet: Gruaja ime ka qene agjente e Sigurimit. Zonja Naraçi, keni qenë agjente e Sigurimit?
Jo vetëm që nuk kam qenë, por as më është bërë një kërkesë e tillë nga ndonjë individ apo institucion.
Dy vjet pas ndarjes me bashkëshortin, ai akuzohet për agjitacion e propagandë e bëhet gjyqi. Kur ju thërritën?
Në atë kohë, fundi i vitit 1978 apo fillimi i vitit 1979, punoja në Farmacinë nr.10 në Tiranë dhe thirrja erdhi aty. Iu dorëzua përgjegjësit të farmacisë, zotit H.T., që njëkohësisht ishte edhe zv/sekretar i organizatës së partisë të ndërmarrjes së farmacive, i cili ma komunikoi sipas detyrimit ligjor (të kohës) që ai kishte, me porosi që ishte e cituar edhe në fletë-thirrje, që: Në rast mosparaqitjeje, do merresha me forcë. Për të mos ngatërruar njerëz të ndershëm, më lejoni të zgjatem pak e t'ju vë juve në dijeni që as zotit H.T. dhe as kolektivit, nuk i erdhi mirë pasi komunikimi m'u bë me zë dhe u krijua një gjendje shumë e keqe, e nderë, pezull...
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje në atë shkresë?
Ajo që u bëri të gjithëve, fakti që prej dy vjetësh isha divorcuar me z.Maks Velo.
U paraqite në Hetuesi?
Absolutisht po.
Ju kujtohet për çfarë ju pyetën hetuesit?
Ju ftoj të durojmë së bashku deri sa z.Maks Velo të përfundojë grumbullimin e dokumenteve dhe letrave. Se, kjo me sa kuptoj, është dhe ajo që kërkon, mos merremi me llafe, cituar shprehimisht prej z.Maks Velo në intervistën dhënë për "Gazetën Shqiptare" më 10.07.2012.
Nëse më lejoni t'ju pyes, ju e futët në burg Maks Velon?
A e kuptoni çfarë po pyesni? Po ju kujtoj që: Asnjë person, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, nuk ka të drejtë t'i delegojë vetes, një të drejtë që nuk e ka.
Po në gjyq dëshmuat?
Absolutisht po.
Në vendimin e dënimit të Maks Velos ju nuk përmendeshit?
Referuar vendimit përkatës, pyesni trupin gjykues.
I keni dërguar letra Nexhmije Hoxhës, kundra Maks Velos?
Absolutisht jo. Prova zyrtare nuk vërtetohet me dëshmitar.
Deklaratat e tij kanë pasur edhe kosto te ju besoj, sepse nuk është e lehtë që të quash dikë agjent sigurimi, shoqëria reagon?
Më shumë se sa ju mund ta mendoni, jo vetëm tek unë, por edhe te familjarët dhe miqtë, jashtëzakonisht shumë.
Si ishte jetesa në ato kohë, një grua e re e divorcuar?
Ishte shumë e vështirë, megjithatë kam pasur shumë njerëz që më kanë ndihmuar e për më tepër më kanë vlerësuar, e meqë më jepet rasti dua t'i falënderoj.
Martesa zgjati fare pak; pse ndodhi divorci?
Kjo është çështje e gjykuar një herë në vendimin nr.433.
Studente e mjekësisë në degën Farmaci, e kishit të vështirë të gjenit punë pas përfundimit të studimeve?
Në atë kohë të gjithë studentët e diplomuar punësoheshin, kështu që fillova punë menjëherë në Farmacinë nr.10 ku gjeta një ambient mikpritës, ishin të gjitha gra zonja, pa përjashtim. Kam nostalgji për disa nga ato që nuk i takoj e njëkohësisht ndjej keqardhje sepse e di që shqetësohen emocionalisht nga ky muhabet pa fund. (Sidomos njëra më tha tekstualisht kështu: Uff plasa, nuk duroj dot më, jam bërë gjyshe, jam thinjur e kam frikë se nuk e marr vesh fundin, për arsye moshe).
Njerëzit ishin miqësorë apo armiqësorë me ju pas ndarjes me Maks Velon?
Po, po, ishin shumë miqësorë, përveç ndonjë problemi që më hapnin për modën, fakt ky që mbetej në tentativë, pra tërhiqeshin, sepse shoqet dhe shokët reagonin shumë për mirë, disa referuar kohës, mund të kishin veshur edhe ndonjë rrobë timen për ndonjë rast, sidomos triko.
Kur i keni dëgjuar për herë të parë pohimet e tij, çfarë menduat?
Nuk jam e sigurt se kur ka qenë hera e parë.
Do të ndërmerrni ndonjë akt ligjor në rast se verifikohet pafajësia juaj?
Kush po verifikon, për çfarë po verifikohet?
Maks Velo ka thënë se do të presi dokumentet që të vërtetojnë fajësinë tuaj si agjente, ndërkaq ju doni të hapet dosja?
Cila dosje? Dosja e kujt? Dosja e z.Maks Velo? Sa herë duhet t'ju them që çdo çështje, në qoftë se ka çështje, ndërmjet z.Maks Velo dhe meje, si dhe anasjelltas, duke filluar që nga viti 1976, do të sqarohet nga i vetmi institucion me tagër ligjor për sqarime dhe vendim-marrje mbi bazën e sqarimeve, që është sistemi gjyqësor.
Në moshë fare të re, studente, vendose të martoheshe me Maks Velon; kur e si jeni njohur me të?
Mos më keqkuptoni, lidhur me kontekstin e kësaj interviste nuk gjej hapësirë për t'ju përgjigjur.
Nga martesa juaj lindi një djalë. Si i kujton ato vite, ju ishit ende studente pra nënë-studente, angazhimin e Velos në familje?
Po, falënderoj të madhin Zot për lindjen e djalit. Për angazhimin e z.Maks Velo në familje, mund të informoheni nga vendimi i gjykatës nr.433 të divorcit.
Ju u ndatë nga Maks Velo më 1976-ën dhe sipas vendimit ai duhej t'ju jepte ju dhe djalit pensionin ushqimor. A i paguante në rregull dhe a e shihte djalin?
Ngjarja në fjalë referohet pas vitit 1976, e keni përgjigjen.
Gjatë viteve të burgimit të tij, merrnit më pension ushqimor apo e njëjta përgjigje?
Mirë që më së fundmi e kuptuat, sepse po të mos e kuptoni ju, si do të prisni që ta kuptojë z.Maks Velo.
Gjatë këtyre viteve të fundit ish-bashkëshorti juaj ju akuzon se keni qenë agjente e Sigurimit. Ju keni heshtur e s'keni pranuar kurrë të flisni për të deri në këto momente. Pse kaq vjet heshtje?
Më dhimbje kisha për babën, që shqetësohej për mua dhe nuk u ankua asnjëherë, megjithëse e vuante, shpesh më thoshte: Asht shum e zorshme me dhanë këshillë, nuk ke ça ban, rrezik e ke pasë, po ke ni baft të madh, masi ke punë me shumë njerëz e të njohin t'tan. Reputacioni për ty asht kriju, kjoftë për keq a, kjoft për mirë, po shif shnetin e punën tane e mos i ban vedit marak, se kan me e njofto edhe ate, se na në Shkodrën thona: Shtama shkon ke pusi deri sa thyhet.
Mbiemri juaj na kujton një familje të madhe në Shkodër, kush janë prindërit tuaj, prejardhja juaj?
Po, është e vërtetë e, për këtë jam shumë krenare. Krenohem kur shikoj punën ndër dekada të paraardhësve të mij, në dokumentacionin pafund që disponon arkivi qendror i Shtetit dhe biblioteka kombëtare në fondin e saj, periodiku shqip, në dobi të shtetit shqiptar, si zyrtar i rangjeve të larta. Por nuk dua të zgjatem mbi këtë temë se nuk është ky qëllimi i intervistës. Që të keni një përfytyrim po prezantoj shkurtimisht: Gjyshi im, Ndrek Vogli, Andrea Naraçi, ka mbajtur të 2 emrat. Në këtë foto paraqitet në kohën e ushtrimit të funksionit të tij si kryetar i Perlimetares në Shkodër. Ndërsa zotërinjtë, Kel (Mikel) Naraçi, në postin e drejtorit të përgjithshëm të Thesarit shqiptar, referuar deri më datë 17 nëntor 1944. Inxhinier Ndoc Naraçi, drejtor i përgjithshëm i Postë-Telegrafonave, një nga themeluesit e "Radio Tiranës", zv/ministër i Arsimit, drejtor i përgjithshëm i Hekurudhave si edhe Ministër i Punëve Botore, post ky që e ka mbajtur deri më 17 nëntor 1944, arrestuar dhe dënuar me 30 vjet burg dhe punë të detyrueshme nga Gjykata Speciale e Tiranës me vendimin e saj, datë 13 prill 1945, janë axhat e mi. Unë jam vajza e Lodovikut, profesor Naraçit, violinist, djali i tretë i familjes së Ndrek Voglit (Andrea Naraçi), dekoruar me dekret nr.2373 datë 17.12.1956 nga Kuvendi Popullor me motivacionin "Për punë të palodhur" si edhe me VKM nr.612 datë 29.12.1994 për dhënie pensioni shtetëror dhe shtesë pensioni të posaçëm. Mamaja ime quhej Gertrude (Trudi), origjina austriake. Ka punuar në ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore, Bibliotekën Kombëtare, në sallonin e permanent-kozmetikës në Rrugën e Dibrës...Po ju vë në dijeni faktin që janë njohur në Vjenë, ku babai im ishte me studime dhe më pas edhe i punësuar. Për të mos u zgjatur, që të keni një vizion dhe për familjen e gjyshërve të mi austriakë, po ju kërkoj të publikoni, certifikatën e martesës së prindërve të mi, në zyrën e gjendjes civile në Vjenë më datë 13 tetor 1442, e kjo edhe për vetë transparencën e faktit se ku i gjente mamaja ime, znj.Gertrude, të ardhurat shtesë për të mbajtur z.Maks Velo, së bashku me familjen e tij të ngushtë (të kohës) gjithsej 3 persona, me qëllimin e mirë për të ndihmuar që të vendoste derën dhe parmakun e ballkonit në shtëpinë e tij private.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›