Artan Hoxha, KANDIDATI i mazhorancës për president
(E PERDITESUAR)- Artan Hoxha është kandidati i mazhorancës për president. Pavarësisht takimit mes opozitës dhe pozitës, nuk është rënë dakord për një kandidat konsensual dhe për këtë arsye, mazhoranca ka zgjedhur e vetme kandidatin për president. Hoxha do të votohet nesër në Kuvend dhe me shumë gjasa do të jetë presidenti i Shqipërisë.
Kush është Artan Hoxha
Artan Hoxha ka mbaruar studimet në Fakultetin Gjeologji- Miniera në vitin 1989, me rezultate të shkëlqyera. Ka punuar për dy vite në ndërmarrjen shpim kërkim gazit në ultësirën e bregdetit dhe në vitin 1991 drejtoi Partinë Demokratike në Durrës. Pas fitores së zgjedhjeve më 22 mars 1992, ai u bë Ministër i Tregtisë me Jashtë, duke u bërë dhe ministri më i ri në historinë e Shqipërisë.
Hoxha u konfliktua shpejt me Berishën dhe në fund të vitit 1993 u detyrua të dorëhiqet. Në korrik të vitit 1994 ai shkoi në Milano ku mbaroi studimet pasuniversitare si ekonomist për energjinë e mjedisit, dhe u kthye prej andej në vitin 1995. Berisha nxiti një hetim ndaj tij që nisi në dhjetor të vitit 1994, pas humbjes së referendumit për Kushtetutën. Hoxha shikohej në atë kohë si njeri i afërt me Ministrin e Financave, Genc Ruli, ndaj të cilit po ashtu u tentua të nisej një proces penal, por u bllokua nga Kuvendi, i cili nuk i hoqi imunitetin.
Pas daljes nga qeveria dhe nisjes së hetimeve, Hoxha u largua nga Shqipëria dhe u rikthye pas vitit 1997. Së bashku me Genc Rulin themeloi Institutin e Studimeve Bashkëkohore, një OJQ e rëndësishme në fushën e projekteve për mirëqeverisjen dhe zhvillimin e vendit.
Ai ka punuar ngushtë me gjithë qeveritë shqiptare, përfshi atë të Ilir Metës, Pandeli Majkos dhe Fatos Nanos.
Pas vitit 2004, Hoxha filloi të riafrohet me PD dhe Berishën. Ai u përfshi në grupet e punës për hartimin e programit të PD-së falë dhe përvojës që kishte për shkak të bashkëpunimit me qeveritë socialiste.
Pas vitit 2005 ai ka vazhduar të drejtoj OJQ-në e tij, e cila ka një qarkullim të madh për shkak të projekteve të shumta që menaxhon në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet partnere të saj.
Në vitin 2010 ka krijuar dhe një universitet privat, Tirana Business Universiety.
Është i njohur për publikun shqiptar kohët e fundit si një pjesëmarrës aktiv në debatet politike, i afishuar shumë fort pro PD-së.
Mësohet se ai është propozuar qysh ditën që është rrëzuar Zaganjori prej Berishës dhe ka arritur të bashkojë votat e shumicës.