E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk mund të jepnim konsensus për një kandidat të oborrit qeveritar

Share

Kryetari i opozitës, Edi Rama deklaroi pas takimit se tryeza e së dielës dështoi, sepse në bisedime nuk u gjet mirëkuptimi dhe vullneti që duhet të shprehte qeveria shqiptare.

“Bëmë një përpjekje të gjatë intensive të plotvullnetshme për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë qe meritojnë, një president konsensual. Qeveria e kupton fare mire se moszgjedhja e një presidenti konsensual është një sinjal negativ për familjen europiane dhe është një zhvillim që nuk parathotë gjëra të mira për 12 tetorin”, tha Rama.

Sipas tij, në tryezë zhvillimi i bisedës e bëri të pamundur shtjellimin e mëtejshëm të një momenti dialogu dhe bashkërendimi të energjive dhe të forcave për të arritur në një zgjidhje konsensuale.

“Qeveria erdhi me një ofertë të kufizuar brenda oborrit të saj, e cila ishte një ofertë që praktikisht e bënte të pamundur mbështetjen me votë, të cilësdo nga kandidaturat e ofruara”, tha Rama.

Kreu i PS-së theksoi se ka kohë deri në minutën e fundit për një reflektim, por nëse mazhoranca do të votojë për president një produkt të jetës politike qeveritare le ta votojë vetë dhe të mbajë më pas përgjegjësitë për këtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›