E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Hoxha: Nuk heq dore nga politika, dosja ishte shantazh

TIRANE-Artan Hoxhën e njohim herët, si ish-ministër në vitet e para të demokracisë. Një djalë 28 vjeç në krye të një dikasteri kaq të rëndësishëm, për ne, spektatorët, ishte shumë, ndërsa Artani thotë se nuk ishte shumë krenar për atë detyrë pasi nuk e vlerësonte si arritjen e ndonjë suksesi per sonal. Në qershor të vitit 2012 ai u rikthye sërish fuqishëm në politikë, e këtë herë si emri i koalicionit qeverisës emri i koalicionit qeverisës për postin e presidentit. Por, një informacion se ai kishte dosje në Sigurimin e Shtetit, bëri menjëherë që Artan Hoxha të tërhiqej nga gara. Sot pas dy muajsh e gjysmë, kandidati për kreun e shtetit, tregon historinë e tij me Siguri-min, gjetjen e dosjes së tij dhe detajet e jetës qysh nga puna si tornitor e deri te marrëdhëniet në familje.

Një qime e bërë tra, një propozim për t’i dhënë informata Sigurimit i përkthyer në agjent e si konkluzion një dosje bosh, asgjë
brenda. Ku jeni ju në gjithë këtë amulli?
Për pak çaste, në atë të hënë të procesit presidencial, u përballa me të panjohurën. Nga veçse një takim disa minutash në shtator 1981 e asnjë kontakt e ngacmim tjetër për 10 vite me radhë të vazhdimit të sistemit komunist ndaj s’kish se si të mendoja më parë se për mua kishte pasur një regjistrim si bashkëpunëtor, një ç’regjistrim si i këtillë pas rreth një viti nga takimi në fjalë, me motivin “inaktiv, i padobishëm, nuk ka dhënë asnjë material”. Sigurimi kish vepruar në përputhje me natyrën e vet e të sistemit të cilit i shërbente. Por atë të hënë të 11 qershorit 2012, pas 31 vitesh nga ngjarja, sapo u informova verbalisht për këtë mundësi, u kthjellova shpejt dhe mora vendimin që të tërhiqem për të sqaruar të vërtetën duke u çliruar fillimisht nga çdo konflikt aparent interesi. Të vazhdoja procesin presidencial në ato rrethana të asaj dite do të ishte në dëm të së vërtetës sime, në dëm të vetë postit të nderuar të Presidentit të Republikës e në interes të lapangjozëve të cilët do të valëvitnin një flamur që nuk iu takon ta mbajnë e s’kish se si t’iu a jepja un këtë favor. Çdo njeri me mënd në kokë përballë të njëjtave fakte do mendonte se ishte Sigurimi që abuzoi ndaj meje ende pa mbushur 17 vjeç në atë kohë dhe unë nuk i shërbeva atij instrumenti diabolik. Dokumentet që unë pashë veç një javë pas kandidimit për President e vërtetojnë këtë. Por për lapangjozët, të cilit i kishin parë në origjinal a në fotokopje të njëjtat dokumente s’kishte rëndësi e vërteta por shfrytëzimi i rastit. Të tjerë lapangjozë iu mbajtën ison të parëve atë të hënë. Gjithsesi amullia iu mbeti në dorë dhe i doli për hundësh veç lapangjozëve.

Situatën ku ndodheni mund ta përmblidhni më lehtë me shprehjen; politika ta vë edhe gomarin për burrë apo qentë le të lehin, karvani të ecë përpara?
Unë jam marrë me politikë si edhe me aktivitet publik e mediatik dhe jam përballur shpesh me sajesa të ngjashme me shprehjen e parë dhe iu jam përgjigjur përmes shprehjes së dytë tuajën. Ky nuk ishte e s’duhej të ishte rasti i kandidimit për President për rrethanat dhe arsyet që sapo shpjegova.
Historia e Sigurimit, besoi se ka shkaktuar reaksion edhe në familjen tuaj e rrethin miqësor. Cilat ishin reagimet e para që more nga ato?
Rrethi i gjerë familjar e shoqëror u shpreh menjëherë solidar me mua dhe me besim të plotë në të vërtetën time. Kjo pasi më kanë njohur që në vogëli e deri më sot. Disa prej tyre, jo të pakët, edhe e dinin rastin e takimit tim me Sigurimin 31 vite më parë dhe reagimin tim e tonin si familje që në atë kohë. Të tjerë e kanë mësuar nga unë më pas. Këtu është rasti të veçoj shoqërinë e shkollës së mesme që më dërguan thuajse të tërë mesazhe mbështetjeje e mirëbesimi për mua dhe neverinë për akuzat ndaj meje. Ndaj ky rreth familjar e shoqëror nuk ishte problemi, por mbështetja ime. Unë sfidën e kisha me rrethin e gjerë të opinionit të shëndetshëm publik që s’më njohin nga afër e për këtë më duheshin fakte që mbështesnin të vërtetën time. Dokumentet i gjeta privatisht dhe thelbin e të dhënave të tyre e kam publikuar tashmë. Ndërkaq kam ndërmarrë procesin ligjor për të hapur rrugën që çdo njeri të ketë të drejtë të lexojë ç’ka ka shkruar për të Sigurimi i Shtetit e më pas secili është i lirë t’i publikojë apo jo të dhënat e veta. Kjo është një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. Përgjigja e SHISH ndaj kërkesës time zyrtare për akses në të dhënat e regjistruara për mua ishte negative. Por ky është veç hapi i parë. Unë besoj se e drejta në demokraci, herët a vonë fiton.

Ende mjaft i ri në moshë, vetëm 28 vjeç u emëruat ministër i Tre-gtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik, si e kujtoni atë periudhë, a ndjeheshit krenar që kishit arritur në majë, sa e vështirë ishte?
Mosha bën përshtypje sot por jo në vitet 91-92. Unë isha ndër themeluesit e degës së PD Durrës, kryetar i kësaj dege të rëndësishme, anëtar i Këshillit Kombëtar ndaj edhe ftesa për në qeverinë e parë të PD-së, s’ishte një kapërcim i jashtëzakonshëm. Kjo nuk më bënte aq shumë krenar pasi nuk e vlerësoja si arritjen e ndonjë suksesi personal. Në fakt, në atë kohë e nga më të shumtët, politika nuk konsiderohej garë, aq me pak garë pushteti, por si një proces i përmbysjes së një sistemi të mbrapshtë dhe ngritjes nga fillimi të një sistemi te ri, ndaj kishte vend e rol për këdo. Ajo ç’ka ndjeja më shumë ishte përgjegjshmëria për të kryer detyrat në ato kohë mjaft, mjaft të vështira.

Përkatësisht dy medalje të arta në Olimpiadën e Matematikës në shkallë vendi, në vitin e 3 e të 4 gjimnaz, ju vazhdon dashuria e çmendur për matematikën, çfarë sfidash keni përballë kësaj shkence?
Me matematikën nuk merrem më, në kuptimin e vërtetë të të marrurit me këtë shkencë të mrekullueshme. Por i gjithë bagazhi matematikor, metodologjia dhe logjika matematike të përvetësuara në gjimnaz dhe universitet, më ka shërbyer në aktivitetin tim si studiues dhe konsulent, në analizat dhe rekomandimet për politikat publike, ekonomike dhe ligjore, më kanë shërbyer edhe në aktivitetin tim të hershëm politik e atë më të fundit mediatik. Asgjë s’humbet por veçse transformohet.
I shkëlqyer në gjimnaz por si djali i një të dënuari për agjitacion e propagandë i refuzuar nga arsimi i lartë. Si ishte të punoje tornitor kur kishe kaq shumë ëndrra? Kë urreje më shumë?
Mund të ishte edhe më keq. I papunë. Torno është një nga makineritë me interesante dhe ai vit si tornitor më shërbeu qoftë për të jetuar, aq edhe për të kaluar momentet e vështira psikologjike nga goditja e marrë në moshë të re. Por nuk urreja ndokënd. Urreja regjimin dhe kaq.
Ndonjë ide e çmendur apo budallallëk rinor, kujtoni në ato vite në Durrës?
Plot të këtilla por pa ndonjë vlerë për t’u sjell në vëmendje të publikut. Këto kanë vlerë kur kujtohen mes miqsh që i kanë përjetuar, siç bëjmë ndonjëherë me shoqërinë e gjimnazit kur takohemi e kujtojmë momente me humor të asaj kohe.
Diku jeni shprehur se pedagogët e gjimnazit kanë qenë shumë të sjellshëm e të dashur me ju, po ju në raport me studentet e universitetit tuaj si silleni?
Përpiqem që studentet e Tirana Business Universsity të ndjehen me mua po aq mirë, në mos më mirë, sa ç’jam ndjerë unë me pedagogët e mi. Aq më shumë që sot jetojmë në liri e në një shoqëri të hapur e këto tipare janë mjaft të spikatura në botën universitare. Hierarkia dhe pedantizimi janë anakronike. Kush nuk e kupton këtë është jashtë kohe.
Për të drejtën e studimit ju ka ndihmuar Muho Asllani, e keni takuar pas atyre viteve për ta falenderuar apo nuk ju është dhënë rasti?
Për të drejtën time të studimit kanë kontribuar mjaft faktorë, që nga lidhjet e shumta të rrethit familjar e miqësor e deri tek një opinion publik, i heshtur por prezent kudo. Mes këtyre, zonja Asllani dhe përmes ndikimit të saj, Muho Asllani, në atë kohë Sekretar i Parë i PPSH në Durrës dhe anëtar i Byrosë Politike, kanë pasur një rol thelbësor. Nuk harroj askënd që më ka bërë një të mirë në jetë. Mirënjohja është sa virtyt, aq edhe dety-rim. Por, përveç një takimi me zonjën Asllani në atë vit të pashkollë, nuk kam pasur mundësi t’i takoj më pas. Gjej rastin t’i falenderoj edhe për sqarimet e qarta që dhanë në një intervistë në gazetën ‘Sot’ para pak javësh.
Kur cv juaj u shpërnda kudo pas lakimit të emrit tuaj si kandidat për president, në disa forume disa meraqe ishin mbi origjinën tuaj, se mos binit ndonjë gjë me Enver Hoxhën?
(Qesh). Këtë pyetje ma bëjnë shpesh të huajt kur vijnë për herë të parë në Shqipëri. Për këta është e kuptueshme pasi s’kanë nga ta dinë se mbiemri Hoxha është kaq i përhapur. Familja e tim eti, edhe ajo e sime meje, janë të dyja me origjinë nga Dibra e Madhe dhe kanë ardhur në Durrës e Tiranë në vitin 1926.
Jeni i martuar e keni një vajzë, sa kohë kalon me të?
Sa të mundem, por asnjëherë sa duhet e, aq më pak sa do të dëshiroja.
A do të donit të kishit dhe fëmijë të tjerë?
Po të ishte për dëshirë do të doja të kisha sa më shumë. Por fëmijët nuk janë vetëm realizim i egoizmit të prindërve. As edhe një plan i tyre që duhet a duan ta realizojnë. Është shumë më komplekse se kaq. Ndaj, si të jetë e thënë.
Çfarë është për ju familja?
Thelbi i vetvetes dhe pasqyrimi i më të mirës se këtij thelbi.
Cili është miku më i mirë i juaji?
Bashkëshortja
Besoni në Zot?
Po, por nuk i kërkoj të ketë vëmendjen tek unë. Ai i di vetë punët e Tij.
Armiku?
Injoranca
Çfarë urreni më shumë te njerëzit?
Mosmirënjohjen
E çfarë doni më shumë tek ata?
Humanizmin
Lajmi më i keq që ke dëgjuar së fundmi?
Një vajzë e re, adoleshente, vret për të fituar qetësinë e humbur që e mitur dhe humbet lirinë e përgjithmonë, rininë.
Politika do jetë më pjesë e jetës suaj apo kjo e fundit ju shkëputi një herë e mirë?
Politika ka qenë pjesë e pandarë e aktivitetit tim në më shumë se 20 vite. S’ka se si të mos vazhdojë të jetë e këtillë edhe në të ardhmen.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›