E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artan Hoxha rrëfen takimin e tij me operativin e Sigurimit të Shtetit

Share

Artan Hoxha, ish- kandidat për postin e presidentit, u zotua para pak ditësh se do të luftojë për të hequr baltën që është hedhur mbi të prej 20 vitesh. Më së shumti zemërimin e ka me akuzat që i janë bërë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Dhe e ka nisur me një shkrim shumë të gjatë tek Panorama, që vijon. Aty tregon se si është takuar me operativin e Sigurimit të Shtetit. Hoxha thotë se kjo akuzë i është bërë atij nga krahu politik me të cilin ka qenë në opozicion. Që do të thotë se është akuzuar edhe nga PD, edhe nga PS.

Akuzën për bashkëpunimin tim me Sigurimin e Shtetit e kam dëgjuar të qarkullojë disa herë në këto 22 vite të demokracisë, që në muajt e parë kur u angazhova në themelimin e organizimin e degës së Oartisë Demokratike në Durrës e më pas në momentet kulmore të politikës e na varësi të pozicionit tim publik e politik. Gjithnjë e kam dëgjuar si një pëshpërimë, thashetheme, të thëna nga persona që më tregonin se dikush i kishte thënë kështu a ashtu për mua. Jo rastësisht, burimi i pëshpërimës akuzuese vinte gjithnjë nga ana tjetër e krahut politik me të cilin isha në opozicion, shkruan Hoxha.

Më pas ai tregon se si u takua me operativin e Sigurimit të Shtetit dhe si i tha atij jo.

E vërteta ime është se unë, që nga momenti i parë që u kontaktova drejtpërdrejt nga një sigurims, në shtator 1981, e deri në vendosjen e demokracisë, asnjëherë nuk i shërbeva Sigurimit të Shtetit me asnjë formë, mënyrë a mjet. Po, mua mu kërkua, pa mbushur ende 17 vjeç, në fillim të vitit të tretë të shkollës së mesme, të bashkëpunoja. Takimi ndodhi papritur në një godinë në ndërtim e sipër pranë shkollës, përmes një personi të tretë X, i cili ma prezantoi e më la vetëm me sigurimsin. Unë nuk dua të zgjatem në këtë shkrim në detajet e ndërmjetësimit dhe të takimit pasi druaj se do të mjaftonin fare pak të dhëna që disa lexues, me njohje të mira të mjedisit shkollor, atij përreth shkollës si dhe të Durrësit në atë kohë, ti përafroheshin identitetit të tyre, e aq më keq të krijonin dyshime, për shkak të ngjashmërive me persona të tjerë, që nuk kanë fare gisht në këtë ngjarje.

Takimi zgjati ndoshta jo më shumë se 15 minuta, por në kujtesën time është ngulitur si i pambarim. I vetëm, përballë një mesoburri, që dukej se e njihte zanatin e tij, në një mjedis të zymtë, të errët, dekurajues, u desh të përballesha me Sigurimin e frikshëm të Shtetit. Më shumë se përmbajtjen e bisedës, detajet e së cilës, po jo thelbi, mu shuan shpejt nga kujtesa, sot ende ndjej reagimin e gjithë qenies sime: gjallërimi kundra ligështisë, inteligjenca kundër mendjelehtësisë, guximi kundër frikës. E gjithë qenia ime punonte në kapacitet të plotë për të thënë me fjalët e duhura, ritmin, timbrin, gjestet dhe vështrimin, fjalën më të thjeshtë JO- një JO aq e qartë aq edhe e pandëshkueshme. Ndërmarrje tepër, tepër e vështirë, shkruan Hoxha.

Ai bën një shpjegim të shkurtër të historisë së familjes së tij, si me biografi të keqe nga regjimi. Hoxha thotë se takimet me operativët mund të ishin edhe provokime.

Në fund të takimit, u porosita që të mendoja më thellë e të isha më i qartë e më i prerë në takimin e ardhshëm e të afërt e të mos i tregoja kujt, në veçanti prindërve. Unë as sot nuk e di si kam mundur të kthehem në këmbë në shtëpi, por sapo mbërrita, i tregova menjëherë tim eti çdo detaj të ngjarjes. E pashë për herë të parë tim atë, një burrë që sjepej kurrë, ndonëse kishte hequr shumë në jetë, se si të zbehej e tkurrej. Pas pak e mblodhi veten, thirri në shtëpi disa nga vëllezërit e tij, një nga dajallarët si dhe dy miq mjaft të ngushtë e të besueshëm. Tetë burra pleqëruan së bashku një natë të tërë, me mua prezent, përgjigjen time në takimin e ardhshëm. Pas disa ditësh, i armatosur me një tjetër JO, edhe më të peshuar, të pakapshme e të pandëshkueshme, ia transmetova sigurimsit në fjalë, kur më doli përpara ndërsa shkoja në shkollë. Veçse pak çaste, në këmbë, në rrugë, qartë, thatë, pa emocione. Besoj se ai duhet ta ketë kuptuar se pas JO-së sime sisha më unë i vetëm, por disa të tjerë, të rritur, më të mençur e me më shumë eksperiencë, shkruan Hoxha.

Më pas autori shpjegon se si nisi të kufizojë daljet me shoqërinë dhe u bë më dyshues. Tregon dashurinë e tij me matematikën, mohimin e medaljes së artë për shkak të biografisë, vuajtjet për të marrë një të drejtë studimi për në shkollë të lartë. Hoxha flet për takimin e tij me gruan e Muho Asllanit, e cila e ndihmoi që të shkonte në shkollë për Gjeologji- Miniera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›