E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Bruksel: Mundësia për marrjen e statusit është zvogëluar dramatikisht. Kukan: Rama duhej të nxirrte kandidat

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë në Bruksel, ku është takuar me kryeministrin e Belgjikës, Elio di Rupo, presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz dhe me drejtues të Drejtorisë së Zgjerimit të KE. Siç njofton vetë Rama, zgjedhja e presidentit është cilësuar një rast i humbur.

Drejt Tiranës pas takimesh në Bruksel me kryeministrin belg, me Presidentin e Parlamentit Europian dhe në Drejtorinë e Zgjerimit të KE.

Mesazhi i njëjtë dhe i qartë: Me zgjedhjen e njëanshme të Presidentit u humb një shans për ta rritur mundësinë e marrjes së statusit në BE.

PS do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje, edhe pse mundësia për statusin u zvogëlua dramatikisht. Reforma Zgjedhore domosdoshmëri për më tej, shkruan Rama në Twitter.

Ndërkohë Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të PE për Evropën Juglindore, ka kritikuar Ramën pse nuk i kontribuoi garës presidenciale edhe pse Kushtetuta ia mundësonte këtë.

Unë e kam lexuar dy herë Kushtetutën e Shqipërisë. Unë e njoh atë dhe ajo nuk kërkon medoemos një President konsensual. Por ajo saktëson se një grup prej më shumë se 20 deputetësh mund të propozojnë një kandidat. Zoti Rama ka më shumë se kaq deputetë, por ai nuk propozoi askënd. Kjo nuk ishte e drejtë. Nëse ai donte të kontribuonte për këtë dialog, ai duhej të propozonte një kandidat që, sipas tij, mund të pranohej nga Partia Demokratike, tha Kukan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›