E Diel, 1 Nëntor 2026

UE, në pritje të vlerësimit të Agjencisë së Akreditimit

13/10/2009  Këtë vit do të hapen dhe disa miniqendra kërkimore, më shumë komoditete

ELBASAN- Rreth 10 mijë studentë të sistemit të ditës kanë startuar vitin e ri akademik në auditorët e universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Ky universitet llogarit 26 programe studimi, 12 mastera të nivelit të parë dhe 4 diploma të nivelit të dytë në Trashëgimi Kulturore, Matematikë e zbatuar, Mbrojtje Mjedisi dhe Gjuhësi. Ndërkohë dekanët dhe rektorati i këtij universiteti janë në përgatitje e sipër për të aplikuar për doktoraturat gjatë këtij viti akademik në profilet e mësipërme. Rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, tha gjatë një konference për shtyp se këtë vit veç programeve të studimit dhe kualifikimit për 15 doktorë shkencash që startojnë me tituj këtë vit akademik, i është kushtuar një rëndësi e veçantë shtimit të ambienteve dhe të kapaciteteve si dhe rritjes së cilësisë së mësimdhënies. Kështu mësohet se është dyfishuar sipërfaqja e korpusit universitar dhe të fakulteteve duke shkuar në 24 mijë metra katrorë. Janë shtuar 20 auditorë me rreth 100-250 vende secili dhe është duke u investuar në shtimin e ambienteve të bibliotekës bashkë me digjitalizimin e saj, si dhe është duke u investuar në territorin përreth korpusit qendror. E gjithë kjo ka qëllim arritjen e standardit të cilësisë së ambienteve për studentët, duke plotësuar një prej kritereve që ka lidhje pikërisht me standardet e Bolonjës. “Universiteti i Elbasanit, theksoi Varoshi, është i gatshëm dhe do të jetë ndër të parët që pret edhe vlerësimin e Agjencisë së Akreditimit”. “Universiteti i Elbasanit e ka domosdoshmëri një agjenci akreditimi. Ne mirëpresim akredimin pasi jo vetëm që do të dimë ku jemi, por edhe se çfarë do të përmirësojmë. Kështu kjo agjenci do të përcaktojë pikat e forta tonat, por edhe pikat e dobëta. Do të përcaktojë parametrat laboratorikë dhe kërkimorë. Ndërkohë rektori Varoshi theksoi se këtë vit do të hapen disa miniqendra kërkimore, të cilat do t’i shërbejnë integrimit të mësimdhënies me kërkimin shkencor. Varoshi theksoi se Universiteti i Elbasanit që bashkë me sistemin me kohë të pjesshëm numëron mbi 15 mijë studentë është duke iu përshtatur edhe tregut të punës nëpërmjet degëve të integruara, nivelit master dhe degëve të reja. Gjithashtu aplikimi për doktoraturat do të jetë një hap i rëndësishëm për mbylljen e tre cikleve të studimit në këtë universitet, deklaroi ndër të tjera prof. Liman Varoshi duke i uruar studentëve një vit sa më të mbarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›