Artan Lame dhe Artan Shkreli, ndërtime pa leje në kryeministri
Kryeministri në ardhje Edi Rama ka çuar në kryeministri dy bashkëpunëtorët e ngushtë të ndërtimeve pa leje në Tiranë për të rimobiluar sallën e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave dhe zyrën e tij. Edi Rama në çështje të ndërtimit dhe prishjeve të objekteve përdor sa herë Artan Lame dhe Artan Shkrelin dhe firmën ndërtuese të këtij të fundit. Të dy Artan futjakotët kanë marrë çelësat e kryeministrisë dhe po ribëjnë sallën e mbledhjes së qeverisë. Artan Lame ka marrë 20 punëtorë të papunë të Ushtarit të Panjohur dhe i ka futur sallën e qeverisë Rama ku do të ulën 19 ministrat e tij për të bërë riparime dhe ndryshime të strukturës së tavolinës së madhe, parketit dhe perdeve. Gjithashtu ndryshime do të pësojnë edhe dritaret, të cilat janë lyer nga jashtë në ngjyrë të errët, si dhe perdet, të cilat nuk do të jenë më jeshile. Gjatë ditëve të ardhshme pjesë e këtyre ndryshimeve do të jetë edhe ngjyra e murit që përshkonte gjithë sallën e qeverisë, e cila ishte edhe ajo ngjyrë jeshile. Megjithatë, për këtë detaj, burimet nga Kryeministria thanë se ende nuk ka ardhur letra e re që do veshë sallën. Një tjetër ndryshim është parketi i drurit i shtruar në ambientin e mbledhjes së qeverisë, i cili ka qenë i arreduar që në kohën kur Ekzekutivin e drejtonte Fatos Nano. Mësohet se parketi nuk do të jetë më dhe në vend të tij do të shtrohet një tapet i ri, i cili do të kombinohet me ngjyrën e tavolinës si dhe të letrës së murit. Dy elementet që pritet të jenë të njëjta me atë të qeverisë “Berisha” janë karriget e ministrave dhe ajo e Kryeministrit, si dhe laptopët. Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se edhe teknologjia pritet të shoqërohet me probleme për shkak se Kryeministria ka gjendje vetëm 16 laptopë, ndërkohë që për qeverinë e re do të duhen 21.