Fokus/Disa shërbëtorë të vonuar të komunizmit të ri kërkojnë dënimin e Simon Mirakës, sipas nenit 55, për agjitacion e propagandë
Simon Miraka, drejtor i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë është internuar qysh kur ishte 1 vjeç. Gjithë jeta në regjimin e shkuar i shkoi në internim pasi regjimi e kishte konsideruar “armik populli”. Sipas këtij standardi ai nuk duhet të ketë funksione shtetërore dhe për pasojë nuk duhet as të ketë bindje, por të ketë kujdes pasi çdo opinion konsiderohet agjitacion e propagandë.
Dje, disa njerëz pa personalitet, të ashtuquajtur “të përndjekur” nga ata që kanë dalë dëshmitarë të rremë në procese politike (si për shembull në dënimet e Bajram Gjanës, Lulzim Beqirit, etj), apo të tjerë që u dënuan pse bënë disa trakte për “martirin Beqir Balluku”, të përdorur rëndom pa mëshirë nga Partia Socialiste këto vitet e fundit, po luajnë aktin e fundit teksa “akuzuan” z.Simon Miraka se “është me Partinë Demokratike”. E përkthyer ndryshe, shprehja e bindjeve politike për këta të keqpërdorur është shprehje e “agjitacionit e propagandës” e për pasojë duhet dënuar. Demonstrimi i djeshëm në selinë e institutit jo vetëm që ishte një shfaqje e mjerë sovjetike, por edhe një domethënie që të keqpërdorurit nga Partia Socialiste kërkojnë shpërblimet e rastit apo ndarjen e tortës së qelbur të 23 qershorit. Revanshi i veglave të keqpërdorura me pseudogreva e me “lajme të panjohura” ka sjellë kësisoj një situatë qesharake ku agjitacioni e propaganda do vijojnë të jenë “argumente” të forta për spostime nga pozicionet zyrtare të punës.