E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Laze: “Prefektët, larg KQZ-së”



Diskutimet kanë shoqëruar edhe procesin e miratimit të disa mjediseve të numërimit të votave. Anëtari i KQZ-së, Artan Laze, deklaroi se prefektët kanë shkelur ligjin në lidhje me përcaktimin e VNV-ve. Ai tha se prefektët kanë detyrë vetëm që të sjellin listën me disa prej mjediseve që plotësojnë kushtet për VNV, dhe jo t’i caktojnë ata ambientet. Laze u shpreh se një rast i tillë ishte edhe ai i Tepelenës, që u zgjidh vetëm falë këmbënguljes së KQZ-së.
Të njëjtin mendim shprehu edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Pandeli Varfri, i cili deklaroi se prefekturat në thelb mbeten politike dhe për pasojë ato nuk duhet të lejohen që të përcaktojnë vendet e numërimit të votave. Përfaqësuesi politik i Partisë Socialiste, Genc Gjoncaj, reagoi për mjedisin që kishte ofruar prefekti i Tiranës për zonën e Laprakës. Për këtë zonë prefekti i qarkut të Tiranës kishte dorëzuar vetëm emrin e një mjedisi që aktualisht punon si magazinë. Gjoncaj tha se ambientet private duhet të përdoren vetëm në rastet kur mungojnë vendet publike. Ai propozoi që për numërimin e votave për zonën në fjalë të shfrytëzohen ambientet e Universitetit Bujqësor të Kamzës.

KQZ: Short për partitë me numër të njëjtë votash

Po dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe procedurën e hedhjes së shortit për caktimin e mandatit të fundit midis subjekteve zgjedhore që kanë herës të njëjtë dhe numër të barabartë votash, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009. Në rast se dy ose më shumë subjekte politike do të kenë numër të barabartë votash, këto subjekte do t’u duhet që të marrin pjesë në shortin për përcaktimin e mandatit të fundit në rang qarku. Shorti për të marrë mandatin e fundit do të hidhet në ambientet e KQZ-së në prani të përfaqësuesve politikë dhe anëtarëve të këtij institucioni. Partitë politike që do të marrin pjesë për hedhjen e shortit do të dërgojnë përfaqësuesit e tyre, emrat e të cilëve janë regjistruar në KQZ. Procedura parashikon që përfaqësuesi i subjektit politik do të tërheqë njërën nga sferat dhe do t’ia dorëzojë sekretarit të KQZ-së. Ky i fundit do t’ua tregojë anëtarëve të Komisionit. Në rast se përfaqësuesi i forcës politike nuk do të paraqitet, atëherë do të caktohet një person tjetër për të tërhequr sferën.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›