Rruga “Rrëshen-Kalimash”, qeveria merr borxh 250 milionë euro nga dy banka tregtare
Qeveria shqiptare duket se e ka zgjidhur më në fund problemin e sigurimit të një borxhi të konsiderueshëm prej 250 milionë eurosh, për të cilin ishte në hall gjatë këtyre muajve. Borxhi i stërmadh do të merret nga dy banka private dhe do të shërbejë për të financuar shpenzimet shtesë në buxhetin e shtetit për vitin 2009, ku sërish “pjesën e luanit” do ta marrë rruga “Durrës-Kukës”. Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi dje marrëveshjen për kredinë sindikale me “Alpha Bank” dhe “Deutsche Bank”. Ndërkohë, akoma i paqartë mbetet aplikimi që qeveria shqiptare bëri me disa banka të tjera të nivelit të dytë në vend, të cilave u kërkoi gjithashtu financime në formën e borxhit tregtar. Kredia merret për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës “Rrëshen-Kalimash”. Sipas njoftimit publik të Ministrisë së Financave, “kjo kredi do të shpërndahet në dy transhe (pjesë). Transhi i parë prej 95 milionë eurosh do të disbursohet (jepet) brenda muajit maj, dhe transhi i dytë prej jo me tepër se 155 milionë euro, që do të agregohet nga sindikata e gjerë, do të shpërndahet brenda muajit qershor. Në transhin e parë, bankave rregulluese iu bashkua dhe Banka e Pireut (Tirana Bank) në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një kontribut prej 20 milionë eurosh, si dhe Banka Kombëtare Tregtare, me një kontribut prej 11 milionë eurosh”. Një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t’u përfshirë në sindikatën e gjerë që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë”. Ministria e Financave e argumenton këtë veprim si “një zhvillim shumë pozitiv që tregon edhe njëherë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në ekonominë tonë dhe në ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria”. Gjithashtu, marrja e kësaj kredie do të rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar.
5 Maj 2009