Klima që frymëzon krimin
(Redaksionale)
Të dielën në mesditë shkoi në atë botë, mes heshtjes dhe lotëve, njeriu dhe deputeti Fatmir Xhindi, por la nga pas një mori misteresh, shqetësimesh dhe pikëpyetjesh, të cilat kërkojnë zgjidhje. Përveç dhimbjes së madhe për familjen e tij, apo për familjen politike, për çdo qytetar, - kjo ngjarje riktheu edhe një herë në përditshmërinë tonë frikën e dikurshme të terrorit dhe atentateve, të cilat nuk kursejnë as njerëzit me imunitet. Shënjestra vrastare e kallashnikovit ndaj një deputeti ndodh pikërisht në momentet kur klasa politike po përgatitet për testin zgjedhor të radhës, kur pushtetit aktual po mbyll ditët e tij dhe kur opozita premton dhe kërkon të jetë forca qeverisëse e vendit. Ky atentat ndaj një përfaqësuesi të politikës ndodh pikërisht në çastet kur në shportat e dy partive politike po përzgjidhen njerëzit që do të garojnë dhe më pas do të përfaqësojnë popullin në Kuvend. Plumbat ndaj një të zgjedhuri janë një sinjal që nuk nxit liri dhe demokraci, por frikë dhe atrofizim të angazhimit politik dhe qytetar.
Hetimi i atentatit misterioz vjen në kohën kur Drejtësia është kërrusur nga dosjet e mëdha; kur organi i akuzës nuk po tregon forcë për të çuar para Drejtësisë zyrtarë të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, fatura e të cilëve ka qenë e madhe gjatë këtyre viteve; banda kriminale, të cilat prej vitesh nuk dënohen sipas ligjit për shkak të frikës ose mbështetjeve politike të nëndheshme. Dosja “Xhindi” është vetëm një hall më shumë për Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit, të cilat ende nuk kanë arritur ta fitojnë betejën me krimin, korrupsionin dhe pasigurinë në vend.
Fatkeqësisht, vrasja e Xhindit të PS-së përkon me një realitet të zakonshëm, plot halle, ku njerëzit e thjeshtë vriten për një pëllëmbë tokë, për shkak se në vend të ligjit është gardhi me gjemba; ku të rinjtë apo të moshuarit i japin fund jetës pa shpresë se e nesërmja do të jetë e mirë; ku konflikti mes palëve nuk gjen zgjidhje në sallën e gjyqit, por përmes grykës së pushkës. Po aq bajat është edhe realiteti i ligjërimit politik, qoftë në sallën e Kuvendit, apo ekranet e mediave, ku deputetë dhe qeveritarë shahen dhe rrihen, fyhen dhe shantazhohen, përpëliten dhe kërcënohen më shumë për “nderin” e tyre personal, dhe jo për problemet që shqetësojnë realisht vendin. Ashtu siç e quan shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, “gripi i Parlamentit”, është modeli më i keq që i ofrohet opinionit publik nga kasta politike.
Solidariteti i treguar nga krerët e institucioneve dhe partive gjatë ditës së ngjarjes dhe ngushëllimet e njëzëshme, përbëjnë aspektin njerëzor të çështjes, i shpalosur me dinjitet gjatë ditës së diel në fshatin e Roskovecit. Angazhimi për zbardhjen e së vërtetës, motivet e saj dhe vënien para Drejtësisë të autorëve të krimit, është sprova më e madhe për të gjithë. Ditët në vijim nuk mund të jenë të qeta as për politikën, as për institucionet dhe as për qytetarët nëse ecin me ritmin e mëkateve, nëse nuk zhvishen misteret. Heshtja për krimin dhe motivet është vrasja më e rëndë në kohërat kur nuk kemi heronjtë dhe kauza jonë e vetme është shteti ligjor në shërbim të qytetarëve. Tani është koha që të sfidohet klima, e cila frymëzon krimin.
5 Maj 2009