E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, të akuzuarit kryesorë refuzojnë të paraqiten para Gjykatës

Kolegji penal shtyn seancën pa u nisur mirë procesi, shkak mungesa e katër të pandehurve. Të pranishëm në sallë, banorë të Gërdecit, përfaqësues të huaj dhe të OJF-ve

Laureta Rryçi

Tiranë - Kanë refuzuar të paraqiten dje në sallën e gjyqit disa prej të pandehurve që cilësohen si personazhe kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Duke shmangur kështu përballjen për herë të parë me banorët e fshatit ku ndodhi tragjedia, në sallë janë paraqitur vetëm avokatët e ish-ministrit Fatmir Mediu, e ish-kreut të MEICO-s, Ylli Pinari, si dhe kreut të shoqërisë “Albademil”, Mihal Delijorgji. Nga zyrtarët e lartë dje u paraqit vetëm ish-gjenerali Luan Hoxha, i cili u shpreh se kjo ishte seanca e fundit që do të merrte pjesë, duke ia besuar avokatit Ibrahim Lahe mbrojtjen e tij gjatë këtij procesi. Mirëpo pas një apeli për të gjithë të pandehurit, seanca ka përfunduar pa nisur mirë. Ka mjaftuar mungesa e disa të pandehurve, nga 29 që janë gjithsej, që seanca të shtyhet. Në fillim të nisjes së seancës u lexuan emrat e 29 të pandehurve, ku rezultoi se disa prej tyre nuk ishin paraqitur as personalisht, as me avokatë. Po kështu, një problem tjetër ishte se shumë avokatë që po përfaqësonin disa të pandehur ishin pa prokurën përkatëse, që do të lejonte përfaqësimin e klientëve të tyre. Si pasojë, kolegji penal vendosi shtyrjen e seancës për një tjetër datë të këtij muaji.
Seanca
Ish-kreu i MEICO-s, me pretendimin “nuk dua të jem në seancë”, pati të drejtë të përfaqësohej dje nga avokati i tij. Ndërkohë, të pranishëm në gjyq ishin, në cilësinë e të pandehurve, ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeçi; ish-kreu i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Luan Hoxha; ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani dhe shumë ushtarakë të tjerë, që deri para tragjedisë mbanin poste drejtues në Forcat e Armatosura. Në seancën e djeshme, ndryshe nga seancat e zakonshme, ishin në sallë rreth 100 persona. Në të morën pjesë përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Avokati i Shtetit, familjarë të personave që humbën jetën në tragjedi, përfaqësues të huaj që merren me çështjet e Gjyqësorit në vend, përfaqësues të OJF-ve shqiptare dhe të akuzuarit, të cilët, bashkë me avokatët, kishin zënë katër rreshtat e parë të sallës. Për ta ishte lënë salla më e madhe e Gjykatës së Lartë, ku zakonisht gjykojnë kolegjet e bashkuara të saj. Çështja “Gërdeci” u regjistrua në Gjykatën e Lartë në mars të vitit 2009, pas përfundimit të hetimit njëvjeçar të Prokurorisë së Përgjithshme. Shumë nga të pandehurit e çështjes në fjalë akuzohen për “shpërdorim të detyrës, në bashkëpunim”. Trupi gjykues kryesohet nga gjyqtari Besnik Imeraj.
Në pranga, fillimisht, si përgjegjës për shpërthimin dhe vrasje masive janë vënë 3 persona, që kishin në posedim fabrikën. Të pandehur në paraburgim për ngjarjen e rëndë të Gërdecit janë administratori i “Albademil”-it, Mihal Delijorgji, drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari dhe përgjegjësi i Fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, Dritan Minxolli. Tragjedia e Gërdecit është ngjarja më tragjike e ndodhur në dekadat e fundit për Shqipërinë. Më 15 mars të vitit 2008, në fshatin Gërdec pranë Vorës, 15 km nga Tirana, shpërtheu një fabrikë e demontimit të armëve ku ushtronte aktivitetin e demontimit të municioneve shoqëria “Albademil”.
Hetimi
Sipas kërkesës për gjykim të 29-të të pandehurit e kësaj dosjeje, në role dhe kohë të ndryshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë veprash penale, që nga “shpërdorimi i detyrës”, “shkatërrimi i pronës”, “falsifikimi i dokumenteve” dhe “vrasje me dashje më shumë se një herë kundër dy ose më shumë personave”.
“Nga hetimet e dosjes ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por, në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mosveprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundërligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec”, -shkruhet në kërkesën për gjykim, që tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Gjatë hetimit ka rezultuar se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cenuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit. “Përzgjedhja e kompanisë amerikane ‘SAC inc’ nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, ka qenë e paracaktuar për t’u përdorur si fasadë për publikun dhe për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve brenda standardeve, për sigurinë publike, që zakonisht e ofrojnë shoqëritë e huaja në këtë fushë, ndërkohë që provohet se në fakt është konsideruar domosdoshmëri dhe janë marrë të gjithë masat që ky proces të realizohej nga person juridik i pandehur, shoqëria ‘Albademil sh.p.k’, e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji”, - thuhet në kërkesën për gjykim, që është përfshirë në dosje.

Të dhëna zyrtare që janë në dosjen për gjykim

26 viktima
27 persona të plagosur rëndë
109 persona të plagosur lehtë nga kjo vepër penale
67 persona me dëmtime të të tjera të lehta nga kjo vepër penale
61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit

5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit

Të pandehurit e procesit të Gërdecit

Fatmir Mediu nuk u paraqit dje. Do të mbrohet nga avokatët Ardian Visha Petrit Serani

Ylli Pinari nuk u paraqit dje. Do të mbrohet nga avokatët Vladimir Bineri dhe Klodian Gjermeni

Sokol Ngjeçi u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Nik Progni

Mihal Delijorgji nuk u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Arben Prifti

Dritan Minxolli nuk u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Arben Prifti

Ardian Mullahi nuk u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokatët Vladimir Meçe dhe Andi Meçe

Shkëlzen Madani nuk u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Hysni Beti

Dashnor Çaushi u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Mark Pëllumbi

Armand Tartari nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Mirash Martini

Luan Hoxha u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Ibrahim Lahe

Agim Lala nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Artan Kodheli. Kishte probleme me prokurën

Hilmi Laçaj u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Agim Tirana

Ndue Marku u paraqit dje në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Buajr Himçi

Shpëtim Spahiu nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Vladimir Meçe

Zihja Bahja nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokatët Luan Hasanaj dhe Xhemal Gazidede

Agim Babameto u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Eno Bushi

Rezart Tërshana u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Eno Bushi

Besnik Dauti u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Eno Bushi

Fatbardh Kuçi nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Sokol Shazi

Gëzim Oshafi u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Alfred Balla

Jorgo Mino u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Leonard Dingo

Denis Hajdari u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Alket Hyseni

Fari Toska nuk u paraqit në sallën e gjyqit

Zenun Fero u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet vetë nuk ka zgjedhur avokat

Hysni Çoçka u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Bashkim Nikolla

Adriatik Mema nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Alfred Balla

Juliana Margariti nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Arben Prifti

Lavdi Shatro u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokati Lulëzim Beleshja dhe Behar Pipero

Fiqiret Mato nuk u paraqit në sallën e gjyqit. Do të mbrohet nga avokat Koçi Mato

Personi juridik, shoqëria “Albademil sh.p.k.” do të mbrohet në proces nga avokati Arben Prifti

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›