Meta në Petrelë: “LSI-ja ka programin më të qartë për punësimin dhe bujqësinë”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi një takim me qindra banorë të Petrelës, ku bëri të qartë se programi që ka LSI-ja është programi më i qartë dhe më i besueshëm për punësimin dhe për bujqësinë. Duke marrë fjalën Meta kritikoi qeverinë për paaftësinë dhe injorimin që po i bën situatës ekonomike në vend, ku shumë biznese po mbyllen dhe mijëra të punësuar po humbin vendet e punës. “Ne kemi disa muaj që i themi qeverisë të sjellë në Parlament një plan për krizën, si do të ndihmohet biznesi, që t’ua lehtësojmë kreditë. Sepse është situatë e vështirë për popullin, për biznesin dhe për të gjithë. Por, paradoksalisht Berisha thotë që Shqipëria dhe Kina janë vendet më të zhvilluara në botë, ndërsa vendi vazhdon të jetë në krizë. Ne kemi kaq kohë që jemi shprehur dhe kemi vizituar nga afër disa fabrika të masonëve. Themi që duhet patjetër t’i mbështesë shteti, t’u krijojë lehtësira, sepse janë 100 mijë shqiptarë të punësuar dhe 90 për qind janë gra dhe vajza që punojnë atje. Ndaj, në qoftë se shteti nuk krijon lehtësira, këto humbasin tregjet jashtë dhe njerëzit këtu ngelen pa punë, duke shtuar ushtrinë e të papunëve në Shqipëri”, - tha Meta. Kreu i LSI-së theksoi se programi i LSI-së është mjaft i qartë për punësimin e shqiptarëve. “Ne e kemi bërë të qartë se prioriteti ynë është punësimi, punësimi, punësimi. Dhe për të realizuar këtë gjë do të marrim disa masa. Për bizneset e reja kemi thënë që për tre vjet nuk do të paguajnë asnjë tatim-fitimi, vetëm që të hapin vende pune. Së dyti, për çdo vend pune të ri që hap një biznes ekzistues ne do të bëjmë një zbritje nga tatimet çdo muaj, deri në 50 mijë lekë të vjetër, sepse i gjithë qëllimi është si të shtohen vende pune përderisa problemi kryesor është papunësia”, - vijoi kreu i LSI-së. Ai tha gjithashtu se LSI-ja ka një plan të qartë për të zhvilluar bujqësinë. “Ne jemi shprehur si ta nxjerrim bujqësinë nga kriza dhe bujqësia nga kriza nuk del me llafe, bujqësia do mbështetje, duhet vlerësuar kostoja e prodhimit, duhet orientuar prodhimi që të grumbullohet më thjeshtë, duhet krijuar industria përpunuese në mënyrë që të ketë ku ta dërgojë prodhimin, se po nuk e çove në treg domaten do të kalbet, apo jo? Dhe që të bëhet kjo duhet patjetër që ai personi që do ta marrë përsipër të marrë kredi lehtësuese, do të thotë që shteti t’ia heqë tatim-fitimin për tre vjet, por që të japë banka kredi për në fshat, për një fabrikë vere apo vaji ulliri, shteti vetë duhet të marrë përsipër që të çlirojë bankat nga pasiguria që ka për të dhënë kredi për zhvillimin e bujqësisë apo të agro-përpunimit”, - tha Meta.
5 Maj 2009