E Diel, 1 Nëntor 2026

Artan Shabani: Në Stamboll me histori shqiptare

Vajtje-ardhjet Itali-Shqipëri, i ka shpeshtuar kohët e fundit. E nuk lodhet së dëgjuari, kur erdhe, sa do rish dhe kur do ikësh. Galeria “Promenade” e çelur pak kohë më parë në bregdetin e Vlorës, e ka mbajtur pranë vendlindjes piktorin e njohur shqiptar Artan Shabani, i cili sa herë që vjen ka ç’të thotë. Nuk i kanë munguar ekspozitat e rëndësishme, as krijimtaria. Udhëtimet, jo se jo. 

ANILA MEMA

Sot, veprat e tij, rreth 22, do të ekspozohen në pjesën më të mirë të Stambollit dhe janë vepra me tematike shqiptare, me histori e njerëz shqiptarë. Do të qëndrojë e çelur rreth një muaj aty, e më pas një tjetër ekspozitë e pret në Aleksandri. E krahas tyre, përkushtimi ndaj galerisë këto kohë ka bërë që për krijimtarinë të marrë disa orë nga koha e gjumit. Megjithatë nuk qahet. Synimet e tij janë të mëdha. Të rikthejë artistë të njohur të 100-vjeçarit të fundit e mes tyre t’i tregojë Shqipërisë, mes koleksionit 500-vjeçar, historinë e familjes më të njohur në Gjenova, Duraco. 
Eshtë hera e parë që ekspozoni veprat tuaja në Stamboll në një ekspozitë personale. Si do të prezantoheni?
Ekspozita titullohet “Të huaj, por jo shumë”. Është hera e parë që unë paraqitem me një ekspozitë timen në Stamboll. Do të paraqes 22 punë dhe ekspozita do të çelet nesër (sot) që do të qëndrojë deri më 18 tetor. Kuratore e këtij aktiviteti është shqiptarja Holta Vrioni, e cila jeton midis Parisit dhe Stambollit. Unë paraqes aty disa punë, nga cikli që e kam pagëzuar nga latinishtja “Homo Balcanicus”, nga ky kërkim vertikal që unë bëj me historinë shqiptare duke nxjerrë karakterin dhe autenticitetin e figurës shqiptare. Në qendër të pikturës, përdor elementin njeri dhe ky njeri është shqiptar. Prezantohem me një pjesë të Shqipërisë dhe historisë shqiptare.
Do të jeni nesër prezent në hapjen e ekspozitës dhe si e prisni?
Jo nuk do të jem nesër, pasi do të shkoj më vonë për të ndenjur disa ditë. Por Stambollin kam pasur fatin ta vizitoj vetëm një herë në rolin e turistit, ose më saktë në rolin e udhëtarit, pasi ka një diferencë midis tyre, udhëtari është më skrupuloz, ka një uri kulturore dhe intelektuale, nuk kërkon luks. Më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme si vend dhe unë i kam dedikuar një ekspozitë historisë së rrugës Egnatia. E kam çelur në Torino, ka zgjatur tre muaj.
Cila është galeria në të cilën do të ekspozohet vepra juaj?
Është shumë e rëndësishme fakti, që lagjja ku ndodhet galeria me emrin “Navikun” është lagjja e qendrës së Stambollit njëkohësisht dhe një nga bibliotekat më të vjetra të këtij qyteti dhe kjo do të thotë që një pjesë e mirë e shoqërisë elitare stambollite, është rrethi i ngushtë i kësaj galeria, që çdo aktivitet janë prezent. Në të bëjnë pjesë shumë familje të vjetra shqiptare, nga të cilët do të përmendja familjen e Dinejve, e rëndësishme që jetën intelektuale dhe politike turke.
Dy vjet më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve ishit i pranishëm me një ekspozitë personale. Ndonjë projekt i ri për Shqipërinë?
Më shumë unë do të analizohesha tek projektet për Vlorë, pasi kur flitet projektet për Shqipërinë, presupozohet gjithmonë Tirana. Mendoj se prezantimi i artit do të ishte mirë të decentralizohej dhe jo të fokusohej i gjithi në një bërthamë. Sepse në Shqipëri është edhe Shkodra, Vlora, Gjirokastra, Kruja. Jam fokusuar në Vlorë për disa motive. E para kam lindur në atë qytet të dritës dhe kam jetuar 21 vjet. Kam hapur “Promenade Galeri” një galeri arti bashkëkohor, e cila ka si qëllim që të oksigjenojë, këtë pjesë periferike të Shqipërisë, pasi e shoh si një qendër të të ardhmes së prezantimit të kulturës shqiptare, të arteve figurative të aplikuara dhe të gjithë zhanreve artistike. Vlora është një qytet që ka karakter me impuls perëndimor dhe influencë italiane dhe është një oksigjen shumë i mirë artistik. Këtë e them se jam duke testuar humorin artistik të qytetit dhe shijet e koleksionistëve të rinj që po lindin aty. Në projektet e mia kam ndërmend të sjell në Shqipëri artistë të rinj të huaj dhe artistë shqiptarë që bëjnë pjesë në historinë e 1900-ës. Do të dëshiroja që të prezantoja një ekspozitë të familjes Buza, që është 100 vjet pikturë e familjes shqiptare, që nga mjeshtri i madh Abdurrahim Buza deri tek nipi i tij, dhe kjo do të ishte mrekulli. Por aty dua të prezantoj edhe amerikanë, italianë, francezë, shqiptarë e turq. Do doja të paraqisja artistë shkodranë, nga Korça se Shqipëria ka artistë të mrekullueshëm, që meritojnë të prezantohen denjësisht edhe të ristudiohen nga kuratorët e artit, që këto vlera të mos mbeten në studio apo biblioteka, por të dalin dhe të dialogojnë me publikun, pasi arti kërkon të komunikojë.

Në Aleksandri bashkë shqiptarë e serbë

Sapo ka mbyllur një ekspozitë në Chieri, një pjesë e vjetër e Piemontit. Kjo ekspozitë zgjati një muaj dhe vendi, ku u çel ekspozita e piktorit të njohur shqiptar Artan Shabani, ishte një pallat i vitit 1300. Sipas artistit, në këtë ekspozitë vizitorët ishin të shumtë si italianë, të huaj, por edhe nga komuniteti shqiptar dhe arbëresh. Por për të, një aktivitet tjetër i rëndësishëm ka qenë në pjesë orientale të Sicilisë në Sirakuza, një ndër qytetet më të rëndësishme të Mesdheut përsa i përket historisë dhe në veçanti antikitetit”. Ekspozita që unë bëra në Sirakuza, u realizuar në një pallat të vitit 1500, galeria “Roma”, ku zgjati 4 javë dhe pati sukses nga publiku sicilian dhe të huaj, por do të theksoja se pata një sintoni totale me kulturën siciliane, me pritjen që më bëri komuniteti aty”, shton Shabani. Ndërkohë pas Stambollit projektet e ardhshme dhe të afërta i përkasin një ekspozite kolektive që përbën edhe risi. Në Aleksandri të Piemontit, në muajt e ardhshëm do të çelet një ekspozitë me tematikë politiko-kulturore. Bëhet fjalë për një aktivitet me katër artistë serbë dhe katër artistë shqiptarë që janë Artan Shabani, Alfred Mirashi Milot që jeton në Firence, Artan Nallbani që jeton në Nju Jork dhe Helidon Xhixha në Dubai. Ekspozita sponsorizohet nga krahina e Piemontit, e cila do shoqërohet edhe me konferencë për shtyp. “Ky aktivitet i përbashkët është shumë pozitiv, se nëpërmjet artit mund të krijohet dialog, bashkëbisedim dhe mund të superohet kompleksi i një të kaluare”, tregon Shabani.

Koleksioni i familjes Duraco
Ka piketuar emra konkretë, të cilët do të hyjnë dhe dalin në ambientet e galerisë së tij “Promenade Galeri” në Vlorë. Synon artistët shqiptarë të njohur të kohës si Ziso Kamberaj, Zihni Veshi, Alfred Mirashi, Kujtim Buza, Ali Oseku, e shumë të tjerë. Por jashtë galerisë nuk do të mbeten as veprat e Lin Delisë, Adrian Pacit a Anri Salës. “Për të prezantuar artistët, galeristi nuk duhet të ketë paragjykime. Por do ta kisha ëndërr të kisha Kol Idromenon por duhet një punë e madhe për të mbledhur veprën, Vangjush Mion, të peizazhit të dritës shqiptare, ose një ndër projektet dhe një aktivitet 500 vjet të koleksionit konti Duraco në Montecalro, që ka jetuar në Gjenova, historia e familjes që është bërë nëpërmjet koleksionit, kam biseduar dhe kemi rënë dakord”, thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›