Mirditë, granatë shtëpisë në mesnatë
MIRDITE - Një shpërthim i fuqishëm me granatë terrorizoi një familje në fshatin Ndërfushas në Mirditë. Për fat të mirë, nga shpërthimi nuk pati të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të shumta. Ngjarja ndodhi rreth orës 24.00 të së hënës. Në oborrin e shtëpisë së Fran Shtjefanakut shpërtheu lënda plasëse, duke terrorizuar jo vetëm familjen, që ishte objektiv i këtij shpërthimi, por thuajse gjithë fshatin. Policia e Mirditës bëri të ditur se ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë, pasojat e së cilës mund të ishin fatale. Ndërkohë, autorët e kësaj ngjarjeje ende nuk janë identifikuar. Kryefamiljari Fran Shtjefanaku është marrë në pyetje në polici, por ai mësohet se nuk ka dhënë ndonjë version apo dyshim, çka mund të ndihmonte blutë në identifikimin e autorëve. Ai ka pohuar para ekspertëve të policisë kriminale, të cilët janë duke hetuar këtë ngjarje se nuk kishte konflikte me asnjeri dhe as kishte marrë më parë ndonjë kërcënim. Policia e Mirditës bëri të ditur se një granatë ofensive është hedhur në oborrin e shtëpisë së Fran Shtjefanakut, ku për pasojë janë thyer xhamat e dritareve. Sipas policisë, fakti se Shtjefanaku mohon të kishte pasur konflikte, ngre dyshime se keqbërësit mund të kenë ngatërruar edhe objektiv. Por policia ka hedhur edhe pista të tjera për këtë ngjarje. Nuk përjashtohet mundësia e ndonjë kërcënimi të mundshëm për djemtë e Shtjefanakut, të cilët ndonëse nuk kanë precedentë penalë, njihen si problematikë në zonë. r.n