E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari tregon vrasësit e studentes

 

Një shqiptar u konsiderua super dëshmitari i një prej ngjarjeve më të përfolura në Itali, vrasja e studentes angleze.

Ai dëshmoi dje përpara gjykatës së Peruxhias, duke treguar se si i ka parë të tre të dyshuarit në natën e krimit në rrugën para shtëpisë së viktimës. Varianti i tij përkon me hipotezën e ndërtuar nga prokurorët e çështjes. Tre të akuzuarit janë amerikania Amanda Knox, italiani Raffaele Sollecito dhe Rudy Guede nga Bregu i Fildishtë.  
Variantet e ngjarjes
Fletë të tëra dëshmish të mbushura me ‘nuk e di’, ‘nuk mbaj mend’, ‘nuk më kujtohet’. Gënjeshtra dhe refuzime dhe vetëm një prej tyre, Guede ka pranuar që ka qenë në shtëpinë e viktimës natën e krimit. Ata që e kanë bërë më kureshtare këtë çështje kanë qenë prindërit e Sollecito-s, të cilët janë marrë në pyetje, pasi është zbuluar se kanë kërkuar lidhje politike, që mund ta ndihmonin Raffaele-n të dilte nga burgu. Sipas hetuesve Mez, vajza ka vdekur, pasi ka refuzuar të marrë pjesë në një orgji ku deshën ta përfshinin Amanda, Raffaele dhe Rudy. Të tre janë përpjekur ta bindin me forcë, më pas një prej tyre i ka prerë fytin me thikën e Raffaele-s. E ndërsa vajza ishte ende në agoni, i kanë marrë 250 euro, kartat e kreditit dhe celularët dhe kanë thyer xhamin e dhomës së gjumit, për ta bërë krimin të dukej si pasojë e një grabitjeje. Por kalimtarë dhe mjekët e spitalit 118 pranë zonës, dëshmojnë se në mëngjesin e 2 nëntorit kanë parë një mashkull me një kapuç të bardhë si ai i përshkruar nga Guede për vrasësin, i cili bërtiste ndërsa fliste në telefon me një grua, “e vrava, e vrava”. Në Peruxhia e njohin shumë njerëz. Thonë se është një shpërndarës droge dhe e kanë denoncuar. Por hetuesit nuk kanë rënë dakord mbi këtë version. Telekamera e parkingut përballë rrugës “Pergola”, që tregon se Amanda ka qenë në shtëpi natën e krimit. Gjurmë gjaku në lavaman dhe në tapetin e banjës, dhe gjaku i Raffaele-s në të njëjtët tapete. Gjithashtu, ADN-ja e Rudy-t e gjendur në letrën higjienike të hedhur në tualet, një gjurmë gishti e përgjakur në një jastëk lëkure të djalit me ngjyrë, dhe çanta e viktimës. Por ka edhe kundërshtime faktesh. Gjurma e ADN-së së Raffaele-s që publikohet një muaj e gjysmë pas vrasjes, thika në shtëpinë e Raffaele-s identifikohet si arma e krimit në bazë të një “mos-përputhjeje” me prerjen në fytin e Meredith Kercher dhe rezultatet e ndryshme të autopsisë, me orën e krimit që spostohet para dhe pas vazhdimisht dhe dilemën e pazgjidhur nëse Meredith Kercher ishte përdhunuar apo jo.
Dëshmia e shqiptarit
Hekuran Kokomani, 34 vjeç, i lindur në Durrës dhe banues në Itali, duket se është super dëshmitari i vrasjes së mistershme të Peruxhës. Ai është paraqitur me vonesë në Prokurorinë italiane, për shkak se kishte frikë nga kërcënimet që kishte marrë. Djali punon në një kompani agrare, nga ku më parë kishte njohur edhe Rudy-n, të cilin e quante kushëri pasi një kushëriri i tij kishte të njëjtin emër me të. “Një pasdite rreth orës 18:30, nuk më kujtohet nëse ishte 31 tetori apo 1 nëntori 2007, ndërsa udhëtoja me makinën time të tipit “Golf” në rrugën “Pergola” duke ardhur nga rruga “S. Giuseppe”, pashë atë që dukej një thes. Duke ecur me ngadalë preka atë që mu duk si thes dhe në atë çast kuptova se bëhej fjalë për dy njerëz, një djalë dhe një vajzë, të cilët u çuan në këmbë. Femra kishte një shall të zi rreth qafës dhe mbulonte fytyrën me duar, ndërsa djali kishte një lloj kapeleje që nuk mund ta përkufizoj”, nis dëshmia e shqiptarit. Djali ka kujtuar se vajza ka nxjerrë një thikë të gjatë nga çanta dhe e ka kërcënuar, ndërsa italiani që e shoqëronte mbante syze. Më pas ai kishte parë edhe Guede-n pak më në cep. Ai kujton se Rudy Guede e kishte ndjekur dhe i kishte kërkuar makinën borxh, duke i kujtuar se kishin punuar bashkë. Ai ishte i sigurt se donin t’i merrnin makinën për t’u marrë më pas me të, nga pasqyra kishte parë se Raffaele po vinte me vrap me një thikë në dorë. Ai ishte larguar dhe të nesërmen kishte parë në lajme se çfarë kishte ndodhur. Kur ka parë të arrestuarit pak kohë më pas në TV, ai i kishte identifikuar ata pa pikën e dyshimit. Kokomani thotë se miqtë e tij e kishin këshilluar të mos merrej me këtë punë dhe ai për pak kohë ishte kthyer në Shqipëri. Miq së të arrestuarve e kërkonin dhe e kërcënonin dhe kishin hapur fjalë se “do të vijë koha kur shqiptari do të thotë NUK MBAJ MEND”. Kokomani ka vendosur të dëshmojë pasi ka folur për këtë çështje me avokatin e tij dhe dëshmia e tij përkon me versionin e Prokurorisë. Avokatët e të arrestuarve i kanë cilësuar si trillime fjalët e Kokomanit duke këmbëngulur se çifti Amanda-Raffaele nuk njihen aspak me Rudy-n. Këtij të fundit iu pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, pasi pranoi se kishte qenë në vendin e ngjarjes natën e krimit. Procesi tjetër do të zhvillohet më 26 shtator, ku Mjekësia Ligjore do të japë përfundime të tjera.

The Times: Dëshmia tregon krim të paramenduar 
Gazeta londineze “The Times” vë në dyshim dëshminë e Kokomanit, për shkak të ngatërrimit të datave që ai ka deklaruar. Kokomani ka thënë në dëshminë e parë se ngjarja ishte zhvilluar më 31 tetor 2007, duke e paraprirë atë me 24 orë. “Dëshmia përforcon teorinë se vrasja ishte e paramenduar. Ajo sugjeron se në natën e Hallouinit, më 31 tetor, të tre të akuzuarit ishin së bashku duke menduar për një akt të dhunshëm”, shkruan “The Times”

Amanda shfaqet në formë, 7 kg më pak
21-vjeçarja Amanda Knox ka ndryshuar gjatë kohës së qëndrimit të saj në qeli. Nuk dihet nëse në karakter i ka ndryshuar diçka, por fizikisht ajo u shfaq në sallën e gjyqit me të paktën shtatë kilogramë më pak. Duket se pamja e saj e re fizike i dedikohet frekuentimit të palestrës në burgun e Capanne-s. Vajza u paraqit në sallë me flokë gjysmë të mbledhura, një bluz të bardhë me mëngë të gjata dhe xhinse.

“Eshtë më e thjeshtë të më akuzojnë mua”

Një nga të akuzuarit për vrasjen e Meredith Kercher në Gjykatën e  Peruxhas, Rudy Guede i ka dërguar një letër avokatëve të tij. “Eshtë më e thjeshtë për ta, të zgjasin gishtin tregues nga unë sesa nga vetja, pasi në natyrën e tyre është e zakonshme të akuzojnë të tjerët për përgjegjësitë e veta”, shkruan i riu nga Bregu i Fildishtë i akuzuar bashkë me Amanda Knox dhe Raffaele Sollecito. “Deri në momentin arrestimit jeta ime ka qenë e qetë, jam rritur në mënyrë të shëndetshme, me njerëz që më kanë transmetuar vlerat e jetës”, citohet djali që ka kërkuar gjykim të shkurtuar. “Në emrin tim janë thënë shumë gënjeshtra. Gënjeshtra nga ana e disa individëve që më bëjnë të kuptoj se sa shumë duan ata ta mbajnë të fshehtë të vërtetën. Nuk duan që të dalë në shesh”. Në fund të letrës Guede ka pranuar se ka qenë në shtëpinë e vajzës në momentin e krimit dhe merr përgjegjësinë vetëm për faktin se nuk ka shpëtuar jetën e Meredith-it. “Faji im është se nuk bëra atë që duhej bërë për ta shpëtuar dhe lus zotin që për atë të vihet drejtësia në vend”, shkruan djali ivorian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›