Durrës, stuhia bllokon në port mjetet e vogla
DURRES - Shtrëngatat e shiut dhe era e fortë kanë sjellë vështirësi në ecurinë e punës në portin e Durrësit. Përballë kësaj situate meteorologjike anijet e tonazhit të vogël dhe të mesëm, kanë qëndruar të lidhura në molo, ndërkohë që të vetmet mjete që kanë lundruar kanë qenë anijet e mallrave mbi katër mijë tonë dhe tragetet e linjës Durrës-Bari. Mësohet se pasagjerët e linjave detare kanë vuajtur motin e keq në lundrim, çka i ka detyruar ata të mbërrijnë me dy orë vonesë në tokën shqiptare. Burimet shprehen se deti ka pasur një valëzim nga katër deri në pesë ballë, i cili ka bërë që linja e trageteve Durrës–Bari të përshkohet në më shumë se 10 orë nga tetë orë që kryhet lundrimi në kushte normale moti. Ardhja e papritur e vjeshtës ka lënë të ankoruara në mol të gjitha anijet e peshkimit. Asnjë prej tyre nuk është në gjendje të përballojë gjuetinë në det të trazuar, si pasojë e amortizimit. Ndërkohë që procesi i ngarkim-shkarkimit në portin më të madh shqiptar ka vijuar me ndërprerje në varësi të reshjeve. Burime nga shërbimi sinoptik saktësuan se, gjatë ditës së martë shpejtësia e erës në port arriti nivelin e 14 metrave për sekondë. o.u