E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre në pranga, trafikonin 7 klandestinë

 

SARANDE – Tre persona u arrestuan nga policia e Sarandës, në tentativë për të kaluar drejt Greqisë 7 klandestinë. Pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative nga specialistët e seksionit Kundër Krimit të Organizuar u realizua mëngjesin e djeshëm operacioni i koduar “Kthesa”. Në kuadër të këtij operacioni është bërë arrestimi në flagrancë i Lulëzim Xhemalajt, 32 vjeç, banor i fshatit Xarrë, Shpendi Zhupës, 28 vjeç, nga fshati Kopaçez i Delvinës dhe Vangjel Gorasit, 51 vjeç, banor i fshatit Mursi. Prej kohësh ata janë mbajtur nën vëzhgim, derisa u ndaluan në momentin kur po ndihmonin klandestinët. Operacioni për kapjen e tyre u finalizua në aksin rrugor Livadhja-Qafë Botë. Patrulla policore ka ndaluar në orën 03:00 të mëngjesit furgonin tip “Fiat Taliento”, me targë LU 55 23 B, i cili drejtohej nga Gorasi. Brenda makinës ndodheshin klandestinët, të ardhur nga rrethe të ndryshëm të vendit, të cilët dëshmuan se do të udhëtonin drejt Qafë-Botës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror. Gjithashtu, nga ana e policisë është ndaluar edhe mjeti tip “Mercedes-Benz”, me targë SR 53 01 B, në të cilin ndodheshin Xhemalaj dhe Zhupa. Pas hetimeve nga policia është zbuluar se këta shtetas kishin si qëllim vëzhgimin e rrugës për të garantuar që furgoni me 7 klandestinët që vinte pas tyre të mos përballej me kontrollet policore. Mësohet se të 10 shtetasit janë shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Rendit Sarandë. Për tre trafikantët është prerë fleta e arrestit në kushtet e flagrancës për veprën penale, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi, në bashkëpunim”, ndërsa 7 klandestinët janë lënë të lirë. Nga ana e policisë është bërë sekuestrimi i automjeteve të përdoruara për trafik, ndërkohë që është mësuar se për këtë rast, organizatorët do të merrnin nga 800-1500 euro për person.  sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›