E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, Gjanica përmbyt 6 shtëpi

Në ditën e tretë të fillimit të shirave të rrëmbyeshëm lumi Gjanica në rrethin e Fierit doli nga shtrati dhe përmbyti 6 banesa në lagjet periferike të qytetit. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Sasia e madhe e reshjeve të rëna i shtoi së tepërmi prurjet e lumit, i cili depërtoi dje në brendësi të kateve të para të këtyre banesave. Dëmi i shkaktuar mendohet të jetë i konsiderueshëm ndërsa banorët e dëmtuar ndjehen skeptikë përsa i përket dëmshpërblimit nga ana e qeverisë. Situata që përsëritet pothuajse çdo vit ka dëmtuar rëndë ekonominë e banorëve, të cilët thonë se jetojnë me të ardhura të pakta. Në vitet e tjera banorët janë përpjekur të marrin masa vetë duke vënë thasë me rërë në brigjet e lumit, por fillimi i beftë i shirave këtë vit i gjeti ata të papërgatitur.
“Na është përmbytur e gjithë shtëpia. Janë lagur krejtësisht dhe janë të papërdorshme kolltukët, frigoriferi, dy televizorë dhe një mori me sende të tjera, të cilat i kemi hedhur poshtë. Miliona lekë të hedhura dëm nga elektroshtëpiaket ndërkohë që na janë mbytur dhe më shumë se 20 kokë pula. Ky nuk është viti i parë që ndodhin të tilla fatkeqësi dhe asnjë masë nuk është marrë për të stabilizuar situatën”, u shpreh një nga banorët e dëmtuar. Sipas tij edhe vitin e kaluar kur pas daljes nga shtrati të lumit të Gjanicës i janë prishur të gjitha mobiliet ai nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim. “Na premtuan që do të na jepnin para për ato që kishim humbur, por kur erdhi puna na gënjyen me një thes miell dhe disa ushqime të tjera. Edhe sot e kësaj dite vuajmë pasojat e përmbytjeve të vitit të kaluar, ndërkohë që lumi doli përsëri dhe na solli po të njëjtat dëme” tha ai. Banorët e pranojnë faktin që kanë ndërtuar shtëpitë pranë lumit, por nuk pajtohen me neglizhencën e organeve kompetente për të ndihmuar sadopak në uljen e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet. Vërshimi i Gjanicës ka marrë përpara edhe të mbjellat në arat e këtyre banorëve. “Kemi harxhuar qindra mijëra lekë për të mbjellë një serë me domate të vona. Gjanica mori përpara gjithçka. U alarmuam dhe larguam fëmijët nga shtëpia”, tregoi Fatmiri, një banori të prekur nga përmbytja. “Kjo përmbytje na gjeti fare të papërgatitur. Çdo vit ndodh e njëjta gjë, por ne marrim disa masa paraprake duke vendosur thasë me rërë përgjatë gjithë anës që kufizohemi me lumin. Kështu vetëmbrohemi, se njeri nuk kujtohet për të pastruar lumin dhe për ta thelluar shtratin e tij”, vijoi ai. Ndërkohë vazhdimi i motit të keq i tremb së tepërmi banorët e zonës të cilët pohonin dje se “kemi frikë se mos bie shi gjatë natës dhe lumi del përsëri”.

Gurët bllokojnë rrugën Elbasan-Librazhd
ELBASAN - Reshjet e dendura të shiut, që vijojnë të bien në të gjithë qarkun e Elbasanit, kanë krijuar anomali në qarkullimin e automjeteve. Zona më problematike ka qenë ajo e aksit rrugor Elbasan-Librazhd, pikërisht në afërsi të Murrashit. Në këtë segment, gurët që bien nga lartësia e malit kanë krijuar problem për qarkullimin e mjeteve. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit ky aks është bllokuar disa herë dhe qarkullimi është ndalur për gati dy  deri në tre orë në çdo ditë. Sipas drejtuesve të rrugëve në Librazhd në këtë aks vetëm gjatë ditëve të fundit është ndërhyrë 6 herë për të hequr mbetjet nga rruga.                 a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›