E Diel, 1 Nëntor 2026

Murinjo: Portugalia zor të fitojë me Shqipërinë

Debutimi në Champions me zikaltërit e Interit e solli Murinjon përballë Panathinaiokosit. 

Nga Athina/ Marko Caka

Ashtu si gjithnjë i pasionuar pas uniformës sportive që tregon punën e tij të palodhur stërvitore, Murinjo bëri pak relaks në një nga lokalet e stadiumit “Olimpik” të Athinës. I ulur në një nga tavolinat qendrore, tekniku portugez, me një lëng frutash portokall para, pranon të japë një intervistë për gazetën “Panorama”. Personeli i shërbimit ishin të gjithë në gatishmëri të tij, por Murinjo preferon që lëngu të ishte nga gazetari shqiptar i “Panoramës” për ta ruajtur si kujtim faktin se shqiptari i parë të cilin takoi e qerasi.
Ardhja juaj tek Interi ka sjellë një entuziazëm të madh te interistët shqiptarë. Madje jeni një idhull për ta dhe të gjithë shqiptarët që bëjnë tifo për Interin...
Më gëzon fakti që kam fansa dhe tifozë edhe në Shqipëri. Zakonisht tifozllëku është për lojtarët sepse janë të paktë trajnerët që pëlqehen për faktin se në karrierën e tyre i lidh dhe dështimi. Por me sa duket qenkam një trajner i mirë dhe shqiptarët dinë kë pëlqejnë, pra në rastin konkret kanë zgjedhur trajnerët që duan vetëm suksesin. Sjella e tifozëve karshi meje më nxit akoma më shumë dhe dua qe t’ju sjell vetëm suksese me punën time tek Interi, që ti mbaj akoma me entuziazmin e fillimit të një trajneri që u sjell vetëm gëzim dhe fitore tek ekipi i tyre i zemrës.
Siç dihet pas një muaji Shqipëria do të ndeshet me Portugalinë. Cili është mendimi juaj për këtë ndeshje?
Jam thuajse totalisht i shkëputur nga ndeshjet e kombëtares, por nuk do të thotë se jam shkëputur nga emocionet që sjellin këto ndeshje në prag të Botërorit 2010. Për sa i përket Shqipërisë, mund të them vetëm se kjo skuadër ka një rritje të ndjeshme në nivel loje, por edhe në rezultate dhe në mos gabohem kryesojnë edhe renditjen në grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit. Duhet theksuar se ky është vetëm fillimi dhe është herët të bëhen parashikime se kush do të kualifikohet, por çdo ndeshje duhet vlerësuar. Prandaj dhe portugezët duhet ta vlerësojnë shumë Shqipërinë në ndeshjen e radhës. Unë di që ekipi shqiptar ka lojtarë që luajnë në ekipe të rëndësishme të Evropës dhe luajnë një futboll agresiv, madje kanë treguar se në fushën e tyre janë të papërmbajtshëm dhe synojmë rezultatin që ju duhet. Sidoqoftë, në ndeshjen e radhës presim një ndeshje shumë të bukur dhe të fuqishme sepse portugezet vijnë me një psikologji të rënduar pas një humbje që pësuan nga Danimarka dhe do t’u duhet patjetër rezultat pozitiv, ose më saktë duhet të fitojnë patjetër. Por dhe shqiptarët vijnë si kryesues te grupit dhe do të luajnë pa ankth. Vetëm për të bërë një paraqitje dinjitoze dhe kjo mund të jetë një vështirësi më shumë për Portugalinë, sepse kur një ekip luan pa frikë dhe pa tension është për t’u pasur shumë kujdes. Në shumë raste kjo i ka bërë ekipe të tilla që të marrin rezultatin që ata kërkojnë.
A njihni ndonjë futbollist shqiptar?
Di vetëm se janë lojtarë të rëndësishëm në kubet ku luajnë dhe mos gabohem Shqipëria ka një lojtar edhe në kampionatin italian... (mendohet për emrin).... Megjithatë emrin e lojtarit të vetëm shqiptar që më kujtohet tani, është ai i futbollistit të Marsejës, Cana i cili me sa di unë është një futbollist lider në ekipin ku luan dhe paraqitja e tij është shumë e kënaqshme. Për të tjerët nuk kam shumë njohuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›