E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Artemisa e Durrësit" botohet më parë në frëngjisht

Albumi fotografik "Artemisa e Durrësit", i cili përmbledh disa nga rezultatet kryesore të misionit arkeologjik shqiptaro-francez në qytetin bregdetar, sapo ka dalë në treg, në gjuhën franceze në vigjilje të festës kombëtare të Francës, ndërsa janë duke u përgatitur dhe versionet në shqip dhe anglisht. Bashkëdrejtori i misionit, prof. Fatos Tartari tha se albumi është një udhërrëfyes, ku përfshihen në mënyrë sintetike figurinat prej balte të pjekur të zbuluara në kodrën e Dautes, të cilat identifikohen me figurën e hyjneshës së gjuetisë, Artemisa. Janë paraqitur gjithashtu edhe disa nga prerjet më të rëndësishme të 600 monedhave të zbuluara në të njëjtin sit arkeologjik, që i përkasin shekullit 4-3 para erës sonë. Për përgatitjen e këtij botimi ka punuar një ekip specialistësh, drejtuar nga prof. Tartari dhe prof. Artur Muller i Universitetit të Lilës (Francë). Misioni arkeologjik shqiptaro-francez në Durrës ka nisur në vitin 2002 dhe rezultatet paraprake të punës së tij janë nderuar me çmimin francez CLIO për arkeologjinë. Prof. Tartari thotë se ky mision do të vazhdojë dhe gjatë periudhës 2009-2011 në një fazë të re, e cila mund të financohet edhe nga BE. Që nga viti 2002 janë studiuar dhe dokumentuar afro 1800 kg materiale të ndryshme, mijëra figurina prej balte të pjekur të Sanktuarit të Artemisës, që ndodhej në një nga kodrat në veriperëndim të qytetit të lashtë dhe është zbuluar afro 40 vjet më parë nga arkeologu durrsak, Vangjel Toçi. Një pjesë e statuetave prej balte të pjekur të hyjneshës Artemidë janë ekspozuar në mjediset e muzeut arkeologjik të Durrësit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›