Eric Holder, sfida e parë e një kryeprokurori
Eric Holder i riu ka kohë që ndjen mbi supe peshën e historisë. I takon shumë rrallë që të ketë ndonjë ditë pushim, e gjatë kësaj kohe të lirë reflekton pa reshtur për pozicionin e tij të ri, atë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Në fakt edhe ai përbën, sikundër Presidenti, një rekord: është i pari person me ngjyrë në një post të tillë. Por nuk ka pasur shumë kohë për t‘iu gëzuar një fakti të tillë, sepse detyra e tij është jashtëzakonisht e vështirë. Një nga fokuset e punës që bën është edhe një nga dilemat me të cilat janë përballur paraardhësit e tij: si mund t‘i shërbesh besnikërisht ligjit dhe Presidentit njëherazi. Zakonisht prokurorët e përgjithshëm përzgjidhen për të qëndruar mbi politikën. Të gjithë përpiqen për të gjetur të mesmen e artë mes besnikërisë dhe pavarësisë. Të paktë janë ata që ia kanë dalë mbanë. Në listën e paraardhësve të Holder qëndrojnë dy skaje. Në njërin vendoset paraardhësi i tij, Alberto Gonzales, që e konsideroi postin si një pronë private dhe në skajin tjetër qëndron Janet Reno, drejtësia e së cilës dhe të shprehurit pa doreza e izoluan brenda administratës së Presidentit të atëhershëm, Klinton. Secili prej këtyre skajeve nuk përbën modelin e duhur. Në rastin e parë shkel detyrën, ndërsa në të dytin shndërrohesh në një person të izoluar e si pasojë i pafuqishëm. Duke pasur mirë parasysh mësimet e nxjerra nga e shkuara, Holder po përpiqet që t‘i balancojë skajet. "Detyra ime është që të zbatoj ligjet dhe të jem i paanshëm", thotë vetë Holder, i cili është i ndërgjegjshëm që bën pjesë edhe në skuadrën e Presidentit dhe sigurisht do që ai të jetë i suksesshëm. "Unë bëra fushatë për Obamën, sepse ndaj me të të njëjtat vlera dhe pikëpamje". Pas disa javësh në detyrë, 58-vjeçari është në prag të një testi të rëndësishëm që do të provojë paanshmërinë e tij, ose të kundërtën e saj. Ai ka ndërmend që të caktojë një prokuror për të hetuar praktikat e dhunshme hetimore të përdorura nga administrata e Bushit. Pikërisht këtë gjë Presidenti aktual nuk ka pasur shumë dëshirë që ta bëjë. Edhe pse deri më tani ende nuk është marrë ndonjë hap zyrtar, pritet që një i tillë të ndërmerret shumë shpejt. Ky vendim do ta turbullojë vendin, do ta fusë Uashingtonin në një "luftë" të re dhe mund të rrezikojë madje edhe prioritetet që Obama ka për politikën e brendshme përfshi kujdesin shëndetësor dhe masat për energjinë. Holder, sigurisht që është i ndërgjegjshëm për pasojën e një hapi të tillë. Jo më kot që prej kohësh po e sheh dhe e risheh situatën para se të marrë një vendim përfundimtar. "Shpresoj se çfarëdo veprimi që të ndërmarr të mos ketë ndonjë ndikim negativ në axhendën e Presidentit", thotë Prokurori i Përgjithshëm. Holder nuk është nga ata që kërkojnë sherr. Instinkti i tij i parë në një konfrontim është zgjidhja e tij në mënyrë paqësore. Nëse të kundërshton, e bën duke të nxjerrë në pah anët e mira, e më pas kalon në atë që mendon se nuk e ke të drejtë. Gjatë periudhës që ka qenë gjykatës njihej si një nga gjykatësit që jepnin vendime të rënda. Ai thotë se për një kohë të gjatë ka luftuar kundër tendencës për të thënë, apo bërë gjëra që pëlqehen nga të tjerët, por që mund të mos jenë të drejta. Holder shfaqet gjithmonë shumë modest, por jo me atë modestinë e shtirur që synon në fakt të tërheqë vëmendjen, por me një modesti natyrore. Në biseda hyn krejt normal e qetësisht, duke buzëqeshur e me vështrim miqësor. Holder lindi dhe u rrit në Queens, një lagje në afërsi të aeroportit "La Guardia" të Nju Jorkut, një lagje emigrantësh, që sot dominohet nga meksikanët, dominikanët dhe aziatikët. Fëmijëria e tij nuk ka pasur drama e tronditje dhe familja që kishte, bënte një jetë mjaft komforte për kohën. Prokurori thotë se ndoshta kjo fëmijëri e mirë ka bërë që këndvështrimi i tij për botën të jetë pozitiv. "U rrita në një lagje të mbarë, nga dy prindër që nuk u divorcuan kurrë dhe nuk e kam ndjerë kurrë drejtpërsëdrejti plagën e racizmit dhe gjithë pasiguritë që vijnë prej saj. Ndjenja e parë që kam ndaj njerëzve është besimi te ta". Gjatë periudhës kur ishte jurist në Departamentin e Drejtësisë, Holder u bë i famshëm për çështjet e hetimeve të politikanëve dhe gjykatësve. Karrierën e nisi në vitin 1976, sapo la bankat e Shkollës së Ligjeve në Columbia. Menjëherë filloi të bënte karrierë, një karrierë që arriti pikën më të lartë me pozicionin e zëvendësprokurorit të përgjithshëm në kohën e Janet Renos. Për sa i përket çështjes së torturave, Holder nisi të përqendrohej te to në muajin prill, duke konsultuar materiale të ndryshme, të cilat e turbulluan pa masë. Në to dëshmohej qartë që disa hetues i kishin tejkaluar jashtëzakonisht kompetencat e tyre dhe ligjet e Departamentit të Drejtësisë. Mësohet se një njeriu të afërm ai i pati thënë se ajo që kishte parë "i kishte pështjelluar stomakun". Për Holder u bë e qartë se duhej nisur një hetim për të sqaruar shumë pozicione dhe persona. Pengesat për një ndërmarrje të tillë janë të jashtëzakonshme dhe Holder është plotësisht i ndërgjegjshëm. Për një administratë të sapoardhur në pushtet nisja e punës me hetime ndaj veprimtarisë së administratës së mëparshme është një praktikë tepër e rrallë, për të mos thënë e kurrëndodhur. Holder ka qenë përfshirë thellësisht në vendimin e autorizimit të nisjes së hetimeve për çështjen "Levinski" të ish-presidentit Klinton. Përvoja që pati nga ajo çështje ishte se të tilla raste mund të politizoheshin menjëherë. Një tjetër frikë ishte edhe ajo e pasojave që do të kishin operativët e CIA-s, të cilët do të ishin në qendër të çështjes. Ndërkohë, edhe sinjalet nga Shtëpia e Bardhë nuk kanë qenë shumë inkurajuese. Presidenti Obama ishte shprehur qartë se kishte ndërmend që të shihte përpara dhe jo të merrej me të shkuarën. Megjithatë, ajo çka Holder ka parë me sytë e tij në raportet në lidhje me trajtimet e të burgosurve në burgjet e fshehta të CIA-s. Nëse publiku do të njihte detajet, sipas Holder dhe bashkëpunëtorëve të tij, mbështetja për një hetim të pavarur do të ishte e madhe. Me stafin e vet ai ka shqyrtuar mundësinë e caktimit të një prokurori. Sipas disa burimeve të brendshme, janë diskutuar disa zgjedhje potenciale, si dhe kriteri për një hetim të tillë intensiv. Holder është duke kërkuar dikë që ka "forcë dhe kurajë". Për këtë, po sipas burimeve të brendshme e konfidenciale, Holder ka bërë një listë me 10 emra. Holder ka qenë në Uashington edhe një nga mbështetësit e publikimit të dosjeve të hetimeve të dyshimta, ndërkohë që ka pasur shumë kundërshtarë, përfshirë edhe shefin e CIA-s, sipas të cilit një publikim i plotë i këtij materiali do t‘i dëmtonte rëndë shërbimet sekrete dhe sigurinë kombëtare. Obama për një kohë u shpreh shumë i lëkundur për një vendim të tillë dhe Holder e ndihmësit e tij menduan se e kishin humbur "betejën" e brendshme, por më në fund dhe krejt papritur, Presidenti vendosi që materiali të publikohej i plotë. Holder kujton shpesh një shprehje të ish-presidentit George Washington në lidhje me ushtarët e kapur britanikë. Ai thoshte: "Të kapurit duhet të trajtohen në mënyrë të njerëzishme, pavarësisht se si i trajtonin vetë britanikët ushtarët e kapur kolonialë". Pas këtij vendimi, Holder dhe skuadra e tij festuan në qetësi në pritje të një reagimi mbarëkombëtar, por u gabuan. Materiali dhe ajo çka ai përmbante ishte bërë aq i njohur në shtyp nga burime të ndryshme të pakonfirmuara, sa detajet e tyre nuk tronditën rëndë askënd. Në njëfarë mënyre, sipas burimeve të brendshme grupi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe ai i disa zyrtarëve të lartë në Shtëpinë e Bardhë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndryshime në qëndrim për çështje të ndryshme, veçanërisht për çështjet e mënyrave hetimore të paligjshme. Sigurisht që Holder nuk dëshiron që të konfrontohet me Shtëpinë e Bardhë, pasi konfrontimi nuk është në stilin e tij, duke qenë se "lufta" nuk mund të jetë kurrë produktive. Dëshira e tij për të zgjidhur konfliktet përmes debatit është një nga vetitë më të mira që në të shkuarën i kanë dhënë shumë fitore. Për sa i përket Obamës, burime të afërta me të thonë se Presidenti e di se kë ka zgjedhur dhe se është shumë i kënaqur me qëndrimet e paepura dhe të guximshme të prokurorit. Mes të dyve, pra mes Presidentit të parë zezak dhe Prokurorit të Përgjithshëm zezak ka një afri të kuptueshme. Të dy janë të zinj, të rritur jashtë traditave konvencionale afrikane, që kanë punuar shumë për të arritur me meritë aty ku janë. Ata të dy janë juristë të zotuar për t‘i shndërruar ligjet në drejtësi. Duke qenë se pjesën më të madhe të karrierës e kanë kaluar në arenën publike, e dinë fort mirë se çfarë përplasjesh të mëdha ndodhin gjithmonë e në çdo fushë mes parimeve dhe pragmatizmit. Sipas Holderit, Obama e kupton fare mirë natyrën e punës në departament, madje më mirë se të gjithë presidentët para tij. Kjo, sepse është vetë jurist karriere dhe një gjë e tillë e ka bërë të kuptojë rëndësinë dhe vlerën e një Prokurori të Përgjithshëm të pavarur.
Javët që do të vijnë do të jenë për Holderin një provë besimi dhe pavarësie. Pasi u duk se në prill mundësia e hetimeve u dobësua, vëmendja e Holderit u përqendrua te vonesat në procedurat ligjore për mbylljen e Guantanamos. Për shumë anëtarë të stafit të Holderit, ideja e hetimeve për torturat sa vinte e po dukej gjithnjë e më e pamundur. Por në fund të qershorit, Holder i kërkoi një ndihmësit të tij një kopje të raportit të klasifikuar të inspektorëve të CIA-s në lidhje me abuzimet në hetime. Për dy ditë rresht ai u mbyll në zyrën e tij dhe lexoi gjithë materialin, pikërisht pjesën e tij që ish-zëvendëspresidenti Dik Çeni e konsideronte si "ana e errët". Në fakt, raportin e lexoi dy herë rresht. Herën e parë si jurist, në kërkim të provave që mund të çonin në akuzë, ndërsa herën e dytë e lexoi duke i lejuar vetes një përfshirje emocionale. Sipas një miku, Holder "u trondit dhe u hidhërua" me atë që nëpunësit e qeverisë ishin lejuar të bënin në emër të Amerikës. Kur përfundoi së lexuari raportin, hodhi vështrimin nga dritarja e zyrës dhe për një kohë të gjatë fiksoi Bulevardin e Kushtetutës.
Javët që do të vijnë do të jenë për Holderin një provë besimi dhe pavarësie. Pasi u duk se në prill mundësia e hetimeve u dobësua, vëmendja e Holderit u përqendrua te vonesat në procedurat ligjore për mbylljen e Guantanamos. Për shumë anëtarë të stafit të Holderit, ideja e hetimeve për torturat sa vinte e po dukej gjithnjë e më e pamundur. Por në fund të qershorit, Holder i kërkoi një ndihmësit të tij një kopje të raportit të klasifikuar të inspektorëve të CIA-s në lidhje me abuzimet në hetime. Për dy ditë rresht ai u mbyll në zyrën e tij dhe lexoi gjithë materialin, pikërisht pjesën e tij që ish-zëvendëspresidenti Dik Çeni e konsideronte si "ana e errët". Në fakt, raportin e lexoi dy herë rresht. Herën e parë si jurist, në kërkim të provave që mund të çonin në akuzë, ndërsa herën e dytë e lexoi duke i lejuar vetes një përfshirje emocionale. Sipas një miku, Holder "u trondit dhe u hidhërua" me atë që nëpunësit e qeverisë ishin lejuar të bënin në emër të Amerikës. Kur përfundoi së lexuari raportin, hodhi vështrimin nga dritarja e zyrës dhe për një kohë të gjatë fiksoi Bulevardin e Kushtetutës.