E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Elektra", e pafajshme!

"Elektra" e Euripidit është vënë në skenën e Butrintit një natë më parë nga trupa greke "Politistiko Somateio Roes", Athinë me regji të Sofia Spyratou. Një grup aktorësh profesionistë, ku bënin pjesë dhe tre shqiptarë - kanë realizuar trininë e teatrit pa fjalë, kërcim, muzikë dhe aktrim. Kjo është quajtur nga regjisorja trinia e saj e shenjtë, teknikë që i ka dhënë mundësinë të punojë në rreth 19 shfaqje të veprave antike. "Elektra" e Euripidit ka qenë më e dashur për regjisoren greke, duke e krahasuar me Elektrën e Sofokliut, ajo është shprehur se donte një vrasëse dhe nxitëse të krimit. Elektra e Sofokliut nuk ia ka përmbushur këtë, e cila paraqitet ngurruese në kryerjen e krimit. Skena të forta, dyshemeja e mbushur me gjak, që rrjedh pa pushim në tapetin e bardhë, aktorë që shfryjnë energji tronditëse, të zhveshur nudo, nuk ngopen së treguari se deri ku mbërrin tragjedia. "Kam zgjedhur të "derdh kaq shumë gjak në skenë, ai është një nga lëngjet jetësore të njeriut, ashtu si sperma, lotët dhe uji. Po kështu, debati është vërtitur gjatë rreth lakuriqësisë së aktorëve afër fundit të shfaqjes. "Filozofia e teatrit tonë është të bëjmë një produkt dhe spektatori të kuptojë atë që do dhe në mënyrën si e do. Nuk i zhvesha aktorët për t‘u bërë tërheqës, por për të përcjellë edhe vizualisht mesazhin e lënies pas të mëkatit", u shpjegua regjisorja Sofia Spyratou. Kjo është "Elektra" që nxit dhe kryen vetë krimin. Në thelb, regjisorja greke ka treguar se kjo përbën esencën e tragjedisë së Euripidit. Regjisorja ka ofruar për skenën e Butrintit një spektakël koreografik ku fjala përkthehej në muzikë, plastikë dhe lëvizje trupore. Në zhveshje tragjedia mbërrin kulmin, për të cilën regjisorja Spyratou thotë se ia ka imponuar struktura e veprës, si një shenjë si vjen njeriu, i pafajshëm dhe lakuriq. "E kam lexuar Euripidin fjalë për fjalë dhe unë nuk i kam zhveshur aktorët për të tërhequr, por për të arritur tragjedinë", ka thënë regjisorja greke, e cila me këtë vepër ka shënuar sukses edhe në Greqi, është pritur mirë dhe deri tani ka realizuar rreth 24 vënie në skenë të shfaqjes. Një punë profesionistësh është cilësuar dje trupa e greke nga kritikët dhe aktorët shqiptarë.

Regjisorja ka qenë dhe koreografe e veprës. Ajo tregon se mbi shfrytëzimin e elementëve teknikë të trinisë fjalë, muzikën dhe kërcim ka punuar intensivisht, për t‘i realizuar këta elementë. Nuk ka protagonizëm në mes tyre, aktorëve dhe balerinëve në skenë, apo dallimit të muzikës. Ajo ka treguar më tej se ka bërë vetëm një modifikim me tekstin e lexuar dhe kërcyer të Euridipit. Nuk është Oresti që kryen krimin, por ka vendosur korin, gra të egra, që përfaqësojnë turmën. "Këto janë gjithë kohës elementi nxitës që e ka çdo shoqëri", thotë regjisorja duke kryer kështu edhe zbërthimin e konceptit të saj artistik dhe estetik të shfaqjes. "Elektra" e trupës greke për një orë e gjysmë ka shtangur publikun e skenës antike të Butrintit, duke befasuar me transmetimin energjik të filozofisë aristoteliane- për të ngjallur frikë dhe logjikë për ta mallëngjyer spektatorin. Ndërsa Orestin, e interpretuar nga balerini shqiptar, Danilo Zeka, e shoqëron në skenë hija e tij, (po një tjetër shqiptar në skenë). Regjisorja tregon se kërkon alteregon për ta nxjerrë atë nga nëna e tij, për ta dëbuar. Pjesë e trupës greke, madje bërthama më interesante e saj, ishin edhe tre shqiptarë: balerini Danilo Zeka, në rolin e solistit të parë (Orestit), Aleksandër Qejvanaj dhe Taulant Ferraj, të tre të admiruar nga publiku, edhe pse nuk dihej se ishin shqiptarë. Duke folur për ta, regjisorja Sofia Spyratou thotë se "nuk është akt bamirësie, por dashurie, bashkëpunimi me shqiptarët".

E ëma, Klitemnestra, është anarkistja e kohës, që merr me vete zinë, vdekjen dhe mallkimin e fëmijëve. Një personazh që nuk ngurron të vrasë burrin e saj, a të zërë dashnorë, dhe të dëbojë fëmijët nga pallati. Ajo donte pushtetin dhe kishte fuqinë të bënte çdo gjë, derisa ishte gati të dëbonte dhe të birin. Elektra, është e bija, personazhi që kërkon të dalë nga hija e saj, të afirmohet nga personaliteti i vështirë i nënës së saj. Kjo qenie përpiqet vertikalisht të ngrejë shpinën e saj dhe e pret kordonin përmes vrasjes së nënës. "Në fakt, vrasja e saj është vetvetja e saj. Ajo është nxitësja dhe dora që kryen krimin dhe nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese, pas këtij akti ajo përpihet prej korit. Kjo ndjek logjikën e Aristotelit se përmes frikës dhe logjikës të mallëngjejë publikun", ka thënë regjisorja duke vijuar më tej me brendinë e një estetike regjisoriale në veprën e saj. Kritiku Josif Papagjoni ka vlerësuar zhveshjen e korit si një zhveshje nga ligësia dhe krimi me hedhjen e teshave të lerosura, një katarsis nga koha agresive. Për Papagjonin, e gjitha është një mesazh i përhershëm, që thotë se fajtorët nuk duhet t‘i kërkojmë gjithnjë jashtë vetes, të gjithë jemi nga pak fajtorë dhe kjo është filozofia e vetëpastrimit, për të shpëtuar prej të keqes. Chaterina Kiss, regjisore nga Marseja, ka çmuar tepër shfaqjen e grekëve, për gjuhën universale me të cilën ka realizuar idetë. "Shihej kudondodhja e aktit të pastrimit", u shpreh ajo. Ndërsa aktorja shqiptare, Margarita Xhepa, u shpreh e kënaqur nga "Elektra" e trupës greke. "Ata vazhdimisht merren me lashtësinë dhe ajo që vlerësoj më shumë ishte se shfaqja kishte një zot, që ishte regjisorja. Nga të gjithë u kuptua se zhveshja e aktorëve do të thoshte se ata lanë pas të keqen për të vazhduar në jetë të pastër", u shpreh ajo. "Filozofia e teatrit tonë është liria e spektatorit, për ta kuptuar shfaqjen si do ai. Nëse ka përputhje me atë çfarë unë dua të shpreh është një gjë e mirë. Unë dua ta mallëngjej spektatorin", ka mbyllur fjalën e saj Spyratou, duke marrë me vete dhe vlerësimet shqiptare dhe pritjen me duartrokitje të gjata të publikut në Butrint. Ndërkaq, mbrëmja e djeshme ka vijuar me shfaqjen e teatrit "Dodona" dhe "Sythi teatër" i Kosovës, i vetmi teatër shqip në këtë festival, me veprën e Rasinit "Fedra".

Intervista

Trupa greke sjell për herë të parë dance-teatrin në Butrint

Sofia Spyritou: Ju rrëfej "Elektrën" ndryshe

Ajo i përket teatrit po aq sa i përket edhe baletit. Është regjisore, por edhe koreografe, e si për të përligjur këto dy pasione të dashura, i është kushtuar dance-teatrit, një gjinie të re, por jo të panjohur të teatrit modern. Sofia Spyritou, ka ngjitur mbrëmjen e së martës në skenën e teatrit të Butrintit tragjedinë "Elektra" të Euripidit. Në një ndërthurje të fjalës, kërcimit dhe muzikës synimi i "Elektrës" së regjisores greke ka qenë të përcillte ndjesi te publiku. Sofia Spyritou, vlerëson pjesëmarrjen në Festivalin e Butrintit, duke shpresuar që në të ardhmen të rritet më tej niveli i bashkëpunimit midis trupave.

Janë luajtur shumë "Elektra". E keni marrë në konsideratë se vënia juaj në skenë pas kaq kohësh, ishte e shoqëruar me marrjen përsipër të një risku?

Natyrisht që e mendova këtë. Por "Elektra" ime është konceptuar ndryshe dhe i besoj shumë realizimit të saj në një dance-teatër. E rëndësishme është që të mos e japësh historinë siç e shkruan Sofokliu apo Euripidi, por në një mënyrë tërësisht artistike, që të kuptohet e t‘i pëlqejë gjithkujt.

Në raport me publikun çfarë ka pasur parasysh për të dhënë me këtë pjesë?

Gjëja e parë që kam dashur është të përcjell ndjesi te publiku.

Kjo ka qenë edhe arsyeja që keni përdorur elementin koreografik?

Ne jemi tërësisht një trupë e llojit dance-teatër, pra bashkojmë në një këto dy arte.

Në Greqi ka teatër shtetëror, por edhe kompani teatrore private, si kjo e juaja. Si funksionojnë në raport me njëra-tjetrën?

Ndryshimi është se shtetërori ka më shumë financime dhe organikë, ndërsa privati ka më shumë shpirt dhe profesionalizëm.

Mendoni se me kaq shumë vënie në skenë të "Elektrës" ajo është një vepër e të gjithë Europës?

Është nga më të dëgjuarat e mitologjisë greke, letërsisë së antikitetit. Deri dhe në Hollivud bëjnë filma me "Elektrën". Ajo është një vepër që i përket gjithë botës.

Cila është filozofia që jepet mes rreshtave?

Filozofia e lidhjes familjare. Brenda saj është dashuria dhe urrejtja.

Cilat është përshtypja juaj tani që jeni në Butrint?

Teatri i Butrintit është magjepsës. Këtu vijnë artistë të vërtetë. Nëse ka ndonjë gjë që duhet përsosur, unë do të thosha se duhet ngritur niveli i bashkëpunimit mes të huajve që bëhen pjesë e festivalit, pasi ata qëllojnë që të mos shohin as shfaqjet e njëri-tjetrit. Sa për njerëzit që gjej këtu, më duken shumë bashkëpunues.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›