E Shtunë, 31 Tetor 2026

Së shpejti do të dalin në dritë zbulime të reja

Autori i Lajmit: red.
Një ekspeditë e përbashkët italo-shqiptare arkeologjike ka nisur së fundmi punimet në qytetin antik të Finiqit, një qytet që ndodhet rreth 15 km larg qytetit të Delvinës, në jug të vendit. Sipas drejtueses së projektit, prof. dr. Shpresa Gjongecaj, drejtoreshë e Institutit Arkeologjik të Qendrës së Studimeve Albanologjike, "ekspedita e Finiqit do të përfundojë më 2 tetor, ndërkohë që priten zbulime të reja në teatrin dhe varrezat e qytetit. "Në gërmimet e nisura marrin pjesë rreth 30 persona, mes të cilëve arkeologë shqiptarë dhe italianë, si dhe studentë dhe diplomantë, të cilët po punojnë në zbulimin e teatrit të qytetit si dhe varrezave antike të tij", - tha ajo. "Projekti i Foinikës (Finiqit) është projekt i përbashkët i Institutit të Arkeologjisë me Universitetin e Bolonjës, Itali", - shtoi Gjongecaj. Ky është viti i nëntë i gërmimeve dhe kërkimeve arkeologjike në qytetin antik të Foinikes dhe në territorin e tij. Kërkimet, të financuara në pjesën më të madhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, janë drejtuar nga Misioni Arkeologjik Italian në Shqipëri si dhe nga Instituti i Arkeologjisë së Shqipërisë, nën drejtimin e prof. Sandro de Maria dhe prof. Shpresa Gjongecaj. Foinike, është qyteti epirot i Kaonisë, që sot ndodhet vetëm 8 km larg Sarandës në jug të Shqipërisë dhe 20 km larg kufirit grek. Sipas Polibit, Foinike duhet të ketë qenë qyteti më i fortifikuar ndër gjithë qytetet e tjera antike të Epirit. Ai shtrihet në një kodër të gjerë, e favorshme për ndërtimin e mureve mbrojtëse, duke u përshtatur me ngritjet apo uljet e relievit. Nekropoli është pjesë e rëndësishme e qytetit antik ku janë zbuluar objekte të rëndësishme si një ndërtim monumental funeral, fragmente statujash, pjesë të tjera arkitektonike të dekoruara, apo edhe një shtatore mermeri që, sipas specialistëve, datohet në shek.II pas Krishtit.

Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›