E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ditë të Trashëgimisë Kulturore Evropiane”, së shpejti në Tiranë

Autori i Lajmit: Fatiola Kurteshi
Projekti “Ditë të Trashëgimisë Kulturore Evropiane”, një aktivitet që zhvillohet nga të gjitha vendet e Evropës, pritet të startojë në Shqipëri gjatë muajit shtator 2008.
Ky aktivitet, i cili zhvillohet në kujdesin dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës, synon ruajtjen, promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për potencialet reale që përbën dhe paraqet kjo trashëgimi. Ditë të Trashëgimisë Kulturore Evropiane, aktivitet i cili është kthyer tashmë në një traditë, do të promovojë vlerat e trashëgimisë kombëtare si pjesë e trashëgimisë së madhe evropiane në të cilën konvergojnë të gjitha vlerat e saj. Për vitin 2008, bënë të ditur burime nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është planifikuar të mbahet një seminar me temë: “Arkeologjia nënujore dhe potencialet e saj në Shqipëri”, në të cilin do të diskutohen, ndër të tjera, edhe çështje të tilla, si: shfrytëzimi i potencialeve arkeologjike nënujore në të mirë të turizmit kulturor, mbrojtja e pasurive arkeologjike nënujore, shtrirja e bashkëpunimit me institucione ndërkombëtare të kësaj fushe etj.

Tradita disavjeçare
Në Shqipëri ky aktivitet zhvillohet që nga viti 1998, vit në të cilin u organizua një seminar shkencor me temë: “Voskopoja dhe tradita e saj kulturore”. Në vitin 1999, Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane, nuk u zhvilluan në një qendër të vetme dhe nuk patën një tematikë fikse. Objekt i aktivitetit nuk ishin specialistët me temat e tyre, por vetë të rinjtë e shkollave të mesme të disa qyteteve dhe njohja e tyre me monumentet kulturore. Përzgjedhja e tematikës “Të njohim monumentet kulturore të rrethit tonë”, synonte promovimin e vlerave historike, dhënien e një informacioni për vlerat që mbartin shumë kala, objekte kulti, ura, fortifikime, etj, si dhe rritjen e krenarisë për trashëgiminë tonë të pasur kulturore. Ky projekt u realizua në disa qytete njëkohësisht si në Shkodër, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër. Turneu u udhëhoq nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Rikthimi në kryeqytet
Viti 2000 do ta gjente aktivitetin në Tiranë, ku kësaj here u përurua faza e parë e restaurimit të Kompleksit të Ministrive e quajtur “Kthim në Identitet”. Ky aktivitet u shoqërua me një ekspozitë me foto të vjetra të qytetit të Tiranës, si dhe me koncerte e parada me veshje popullore, të cilat i shtuan atmosferën festive aktivitetit. Më datat 28, 29, 30 shtator 2003, Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane u zhvilluan në Gjirokastër. Më pas, aktiviteti “Ditë të Trashëgimisë Kulturore Evropiane” për vitin 2005 u organizua në një sërë aktivitetesh me një gjeografi të pasur, të shpërndarë, si në Tiranë, Berat, Gjirokastër, etj. Në vitin 2007 u krijua një rrjet aktivitetesh të zhvilluara nga institucione të ndryshme, si: në Galerinë e Arteve në Tiranë, në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve në Durrës, në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit, etj.
Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›