Arti haitian n’rrënojë
Qyteti Jacmel, që shtrihet në jug të ishullit haitian, është njëra prej qendrave kreative të Haitit, ngase gjithçka atje bartë shenjën e artit. Tërmeti katastrofal që e goditi Haitin vitin e kaluar inspiroi artistët e Jacmel që në veprat e tyre, megjithëse në një mënyrë paska të pazakontë, të shprehin gjithë tmerrin e kësaj katastrofe natyrore.
Në plazhin me rërë në Jacmel, Phoenix Junior, përmes pikturimit të një copëze të mbetur të rrënojës sikur i jep mirënjohje të gjithë shpirtrave të humbur.... shpirtrave që e pësuan nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti katastrofal. E ky lloj i shprehjes artistike në Haiti është emëruar si Art-n-rrënojë.
“Nganjëherë vizatoj njerëz të cilëve u janë thyer ekstremitetet, ose që janë duke qarë. Në punimet e mia ndjehet dhembja. Pas tërmetit, të gjitha veprat e mia janë përplot me dhembje”, tregon artisti haitian Phoenix Jr.
Madje edhe vetë qyteti Jacmel, i cili vitin e kaluar ishte goditur rëndë nga tërmeti, ende vazhdon të frymojë dhimbshëm. Mirëpo, duket se artistët tashmë po kalojnë në kundërsulm. Në qendrën e rrënuar artistike të Haitit, artistët po e shfrytëzojnë atë që ka mbetur nga rrënojat për të krijuar diçka, sepse kjo gjë për ta ka shumë kuptim.
Arti-n-rrënojë kështu është shndërruar në një lëmi të popullarizuar arti, njësoj sikurse edhe produksionet tjera artistike të qytetit, siç është për shembull pikturimi në letër apo edhe bërja e figurave nga letra në kohën e karnavaleve. Fëmijët që e mësojnë teknikën e bërjes së gjësendeve nga letra, dëshirojnë që të ‘avancojnë’ tutje, dhe të bëhen artistë të artit-n-rrënojë. George Metelis, udhëheqë me Fondacionin e Krijimit Artistik për Fëmijë.
“Këta fëmijë thonë: Hajde të bëjmë diçka që njerëzit ta dinë se Haiti nuk po shkatërrohet, dhe se ne do të mbijetojmë edhe pas tërmetit”, shprehet ai.
Dhe, ata e bënë këtë gjë... atëherë, kur nga pjesët e mbetura të rrënojave dhe mbeturinave të tjera të qytetit të shkatërruar nga tërmeti arritën që të ngitnin një mur nga mozaiku - fare afër detit. Rauchemond Domonde, i cili është një artist i ri që ndihmoi në ndërtimin e këtij muri, kujton tmerret që i përjetoi vitin e kaluar.
“Në orën katër, në momentin kur po ndodhte tërmeti, unë isha bashkë me katër shokë. Pak çaste më vonë, të gjithë ishin të vdekur”, tregon ai.
Joseph Stevenson është një mik i Phoenix Jr. Edhe pse Arti-n-rrënojë paraqet njëlloj përballjeje me kujtimet e hidhura, ai megjithatë nuk shkon në plazh për t’i kujtuar të vdekurit. Stevenson shkon në vendin ku dikur ndodhej shkolla e tij.
“Rrënojën e parë që e pikturova dhe pastaj e shita e mora pikërisht nga ky vend”, kujton Stevenson.
Haiti vërtet ende vazhdon të mbetet një vend tragjik, ndonëse ai duket se ka frymëzuar artistët e Jacmel që përmes teknikës së pikturimit në rrënojë të dërgojnë porosi të fuqishme nëpër botë. Porositë e kujtimit për miqtë e humbur dhe për përshëndetjen e fundit për ta. Gjegjësisht, porositë që fuqizojnë shpresën dhe krenarinë e Haitit, dhe që ndihmojnë në rimëkëmbjen e këtij vendi. (VOA)