Premiera e “Bluetsuuger”
Tre ditë më parë dhe pas një periudhe të gjatë provash, Schlachthaus Theater-Bern dha premierën e shfaqjes “Bluetsuuger”.
Aktori kosovar, Diar Xani, ishte i ftuari special për të qenë pjesë e shfaqjes, duke u bërë kështu bashkë me një kast aktorësh të njohur të Zvicrës.
Ndryshe, Schlachthaus Theater-Bern në projekte të tilla për çdo vit fton ndonjë aktor që vjen nga ndonjë shtet botëror, megjithëse kjo ishte hera e parë që u realizua një bashkëpunim me një aktor nga Kosova.
Shfaqja e pati premierën më 28 maj, dhe ajo u prit shumë mirë nga audienca. Madje, sipas Xanit, në sallën e teatrit kishte edhe shqiptarë, të cilët kishin pas përfundimit të shfaqjes e brohoritën atë në gjuhën shqipe.
Xani tregon se është ndjerë shumë i lumtur në skenën zvicerane dhe, në të njëjtën kohë, edhe i liruar nga një përgjegjësi e madhe.
“Kam hequr një barrë shumë të madhe nga vetja, Kjo, ngase dëshira për të luajtur në një teatër jashtë vendit, pra jo në gjuhën amtare, dhe sfida për ta finalizuar ëndrrën time, u bashkuan në një qëllim”, thekson ai.
Sipas Xanit, ky kjo përvojë ka qenë momenti më i veçantë në jetën e tij skenike deri më tani. Për më tepër, ai thekson se në skena të tilla prestigjioze duhet të jesh edhe dinjitoz.
“Si rrjedhojë, unë jam munduar që në skenë të luaj me pasion dhe me shpirt”, tregon Xani.
Aktori kosovar sqaron edhe atë se, gjatë premierës i kanë munguar njerëzit e afërm, me praninë e të cilëve është mësuar gjatë premierave të mëhershme.
“Por, njëkohësisht, jam ndjerë edhe shumë i lumtur kur në fund i kam shqiptuar ato pak fjalë në gjuhën shqipe, dhe kur kam dëgjuar brohoritjet e një pjese të publikut në gjuhën time”, shprehet ai.
Shfaqja ka filluar të reprizohet menjëherë, që nga data 29 maj, dhe ajo do të vazhdojë të jepet deri më 5 qershor të këtij viti.
Oferta për bashkëpunim me Schlachthaus Theater-Bern Diar Xanit i erdhi pas pjesëmarrjes së tij në një festival teatror në Berlin, kur nga 50 aktorët pjesëmarrës ai ishte i vetmi që u përzgjodh nga Ballkani. Ky ishte seleksionimi i parë, që u bë nga dramaturgja e Schlachthaus Theater-Bern, Maike Lex, i cili shërbeu për bashkëpunimin e mëpastajmë në këtë shfaqje.
Dramaturg të shfaqjes “Bluetsuuger” janë Matto Kämpf, Maike Lex dhe André Becker. Producente Cristina Achermann, ndërkaq muzika ishte e Patrik Zeller. Projekti u financua nga shteti zviceran dhe nga Schlachthaus Theater-Bern, dhe ai është një bashkëproduksion edhe me Theater Winkelwiese-Zurich dhe me Teatrin Rampe, nga Stutgartti.