E Diel, 1 Nëntor 2026

Arti i të menduarit

20/02/2005  Në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur libraritë filluan të përmbyteshin nga librat e të gjitha llojeve, sidomos përkthimet e asaj letërsie që për dekada të tëra ishte e ndaluar për lexuesin shqiptar, pati një periudhë kur krahas Kamysë, Oruellit, Kafkës, Sartrit e shumë të tjerëve, lexoja me etje edhe libra didaktikë. Disa libra që kishin të bënin me kalitjen e kujtesë, vullnetit, të folurit etj., të gjithë me autorë të huaj, e pjesa më e madhe autorë amerikanë.

Gjithçka ie bleja pa sugjerimin e askujt, veç i ngacmuar nga titujt, si të bësh këtë e si të bësh atë, diçka që nuk e kisha hasur më parë nëpër libraritë shqiptare, qysh nga dita që isha futur për herë të parë në një të tillë. E vërteta është se nuk më kishte orientuar kush; për shembull, kur isha student, ose edhe më parë, nuk mbaj mend që dikush të na kishte sugjeruar një libër se si të përgatitesha për ndonjë seminar, apo si të shkruaja ndonjë ese, apo si të isha më produktiv gjatë sezonit të provimeve. Dhe duke parë shumëllojshmërinë e librave didaktikë sot, të rinjtë e sotëm (po i kalove të tridhjetat një pjesë të këtyre gjërave i ke mësuar duke e përplasur rradaken sa andej-këndej) duhet të ndjehen me fat. Megjithatë, kureshtja ende më ngacmohet nga libra të tillë, qoftë edhe mbi të njëjtën temë, sepse tre libra nga tre persona të ndryshëm, edhe pse me të njëjtin subjekt, janë tre këndvështrime të dryshme që të ofrohen. Një nga titujt që më tërhoqi syrin së fundi ishte “Arti i të menduarit – psikologjia dhe metodologjia e studimit”, nga Erion Kristo, botuar nga shtëpia “Naim Frashëri”.

Ky është një libër që kryesish u drejtohet studentëve dhe nuk do të ishte keq që t’u sugjerohej atyre nga vetë pedagogët nëse këta janë të interesuar (dhe s’ka dyshim që janë) për të patur studentë sistematikë, dhe nëse këta të dytët duan të jenë të sukseshëm, e mbi të gjitha ta, arrijnë suksesin më të madh të mundshëm në njësinë më të vogël të kohës.

Libri është i ndarë në katër pjesë. Pjesa e parë është një vështrim i përgjithshëm mbi veprimtarinë e mendjes: funksioni i perceptimit, kujtesës, imagjinatës dhe arsyetimit, si dhe shtjellon teknikat e përmirësimit të kujtesës, zhvillimin e imagjinatës, higjenën e jetës intelektuale dhe për zhvillimin e debatit intelektual.

Pjesa e dytë trajton veprimtaritë themelore të lidhura me studimin, leximi, dëgjimet, provimet, paraqitja në publik. Pjesa e tretë flet për etapat e një studimi, teze, diplome apo doktorature. Ndërsa pjesa e katërt merret me organizimin e punës në grup.

Dhe natyrisht, ashtu siç mund të parashikohet një libër i tillë, është radhitur me kujdes. Pra, duke qenë material profesional (për romanet policore se vret kush mendjen ç’lloj gërme apo madhësi faqeje përdoret, aty sundon kureshtja për të gjetur sa më parë kush e vrau X-in) libra të tillë mund të jenë të loshshëm, por çështjet e “Artit të të menduarit” janë të renditura qartas, me tituj, me korsive aty kus duhet vënë theksi, si dhe vetë faqja ka një lloj ajri lehtësues për syrin.

Kush nuk ua ka parë hajrin librave të tillë mund të rrudhë buzët, por personalisht gjithmonë ngushëllohem me një keqardhje që Markezi i famshëm tregon për Markezin e panjohur: “Tashmë, thotë në një intervistë, mund t’i zgjidh me shumë lehtësi disa gjëra në romanet e mia që kur isha i ri më vuaja tmerrësisht”. Dhe këtu e ka fjalën për gjëra teknike, të cilat, po të jesh njeri i kujdeshëm mund të përfitosh nga një libër didaktik, qoftë edhe në fushat e arteve krijuese pa le më në shkencat e sakta. Ose, thënë ndryshe, të përvetësosh në kushte komode një përvojë që ta përjetosh vetë kërkon kohë, e ironikisht, kur të arrish ta rrokësh mund të mos të të hyjë më në punë, pse dikush tjetër e ka shkruar më herët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›