E Hënë, 2 Nëntor 2026

Romani i Kongolit, kronikat dhe Shqipëria

20/02/2005  (Shënime për romanin e F.Kongolit “Te porta e Shën Pjetrit”)

Është e njohur ideja që vende te zhvilluara herë pas here thërrasin letërsinë e vendeve të vogla për të ndryshuar paksa rutinën e botimit të tyre, por ato janë shumë të tërhequra pas letërsisë që sjell zbuluar dhe si një lloj reportazhi vet vendet e vogla, jo historinë dhe identitetin e tyre. Kështu ndodhi që u thith romani i E.Donesit “Yjet nuk vishen kështu” për realitetin e sotëm italian që për një kohë të gjatë ishte i etur për të mësuar e njohur Shqipërinë. Po kështu ishte fati i filmit “L’Amerika”, vite më parë që irritoi pa masë një pjesë të shoqërisë shqiptare. Por këto lloj letërsish nuk mbeten për tu lexuar pas 100 vjetësh, pasi janë fenomene që kapërcejnë bashkë me kohën. Ajo që mbetet është puna me tekstin, një subjekt që lëshon mesazhe edhe pas 100 vjetësh.

Kështu josh edhe romani i Fatos Kongolit “Te porta e Shën Pjetrit”, Tiranën, kryeqytetin e vështirë për tu identifikuar e mbijetuar, qoftë dhe artistikisht, e cila dëshiron herë pas here të vetshikohet lakuriq, dhe të vetdemaskohet. Se sa është e zonja ta bëjë këtë letërsia, ajo është çeshtje që fillon, kur fashitet bumi i parë i shprehjeve : “…u shitën 1200 libra brenda një dite….” Po në Kukës, në Gjirokastër, në Rrogozhinë, a u shit? Sa?

F.Kongoli është një nga përfaqësuesit më seriozë të prozës shqipe dhe natyrisht nuk mund të zhgënjente këtë herë me romanin e tij. I publikuar pas romanit “Lëkura e qenit” lexuesi pret të shijojë një letërsi të bukur, dhe përsëri një letërsi cilësore. Mirëpo duhet filluar nga gazetat….

Në roman, njihesh me fenomene dhe ngjarje që janë çdo ditë në kronikat e zeza të gazetave, janë aq të dukshme, sa që po të gërmosh në datë dhe vit, identifikon personazhe që vërtet janë diku. Kështu ndodh me profesorin e filozofisë, Plutonin, të cilit i vënë një bombë në derën e garazhit, që ta shpie kujtesën në atentatin që iu bë prof. Ylli Pangos, kohë më parë. Ngërçi i marrëdhënies bashkëshortore të profesorit dhe gruas së tij, shkrimtare e njohur, janë lexuar me dhjetra herë në forma nga më të rëndomtat në gazetën “Paloma”, edhe pse këtu shpaloset si një shikim vertikal i një marrëdhënie në krizë, duke tentuar të justifikojë psikologjikisht veprimet e personazheve. Historia e djalit të ardhur prej Veriut dhe aventura e tij në kërkim të një Eldoradoje ka qënë gjithmonë preh e shtypit të përditshëm. Kur banorët bllokojnë rrugën nacionale, apo kur vritet dikush, marrja e pengjeve etj.etj., deri këtu kemi një lexim gazetash të ndryshme në syrin e një shkrimtari. Për sa kohë që autori rrëfen në vetën e tretë, ka një gjallëri dhe rrjedhje të subjektit që e lartëson prozën e Kongolit. Por, këto rrjedha të bukura ndërpriten nga vetrrëfimet e secilit personazh në vetën e parë, gjë që e bën romanin të vështirë, sepse ka shumë pak mundësi lexuesi të dallojë ndryshimet në gjuhën e folur të Erald Perjakut, nga ajo e profesorit, apo e gruas së profesorit, nga Klodi, vajza e ardhur prej një traume e një jete të vështirë familiare.Vetrrëfimi ka dalë dhe ka përfunduar tek gjuha e autorit. Ndoshta kjo është parë si një rrymë e re ekspresiviteti e personazheve, si një formë e lakuar apo parabolë në leximin e frazës, por sipas meje e ka bërë romanin më pak të besueshëm dhe brenda rrëfimit ndihet një monotoni apo një revistë e personazhit që analizon dhe justifikon me përpikmëri veprimin e kryer. Shkrimtari nuk duhet të eksibicionojë, teorizojë, por të dojë të shkojë në fund të vetvetes dhe të botës që e rrethon.

Klodi është personazh i një vajze e cila e perdhunuar nga i ati, degradon deri në prostitutë, megjithëse ka një dashuri të cilën përpiqet ta shpëtojë, sepse është qënie njerëzore. Romani nuk është bindës në faqet kur Klodi i rrëfen jetën e saj të dashurit, Eraldit. Një vajzë e traumatizuar që në moshën 8- veçare, e përdhunuar nga ati i saj, që është prezente kur e ëma realizon vrasjen e bashkëshortit, që detyrohet të punojë në një motel të dyshimtë e që pranon pa problem të prostituojë për të fituar parà, ashtu si shumë e shumë vajza me të njëjtën jetë ose të ngjashme me jetën e Klodit, e ka pothuaj të pamundur psikologjikisht të vetrrëfehet pa kompleks para të dashurit, duke na dhënë në pëllëmbë të dorës gjithë dramën e vuajtur. Nga shembujt e shumtë të studiuar prej psikologëve, apo përvojave në qëndrat e rehabilitimit në vende të ndryshme, ky rrëfim është pak i besueshëm. Ai ndodh, në kushte hipnoze, në prani të mjekut dhe psikologut, apo pas një përvoje shumë të gjatë seancash tek psikologu, gjë që këtu, në Shqipëri nuk njihet, pothuajse. Atëhere, si do bindet lexuesi në dramën e Klodit? Ajo ka ndodhur, dakort, por mos do ishte më mirë të gjendej një formë tjetër për të ardhur deri tek lexuesi? Më ka rënë rasti të tentoj të intervistoj dy prostituta që prej tre vitesh janë rehabilituar këtu, në Shqipëri, por asnjëra prej tyre nuk pranoi faktin që kishte kryer këtë profesion për katër vjet në shtetin fqinjë. Duke mohuar atë që ishin, ato përpiqeshin të krijonin imazhin e vajzave të mira e të ndershme. Jetën e tyre të kaluar gjithmonë përpiqen ta mbyllin në një koracë të fortë, gati për të mos e hapur kurrë mè. Kurse Klodi rrëfen pikë për pikë gjithë jetën e saj, dhe kujt? Të dashurit, për të cilin kishte ruajtur ndjenjën e pastër.

Një nga gjerat më të realizuara të romanit është linja e hetuesit dhe gjithë procesi i hetimit të ngjarjeve të ndodhura. Futja e një linje mistike në roman e ka bërë shumë ngacmuese dëshirën për të lexuar faqen më pas dhe duke e bindur lexuesin që shumë nga çështjet nuk zgjidhen, sepse dihen zgjidhjet. Aty del më bukur ideja se peshku është qelbur nga koka, ndaj dhe jeta shqiptare është një lloj bataku ku ka të hanë edhe mizat, edhe kuajt, edhe njerëzit. Kur dikush e di që hajdutët, mashtruesit, vrasësit nuk do të jenë dënuar, kur e di që fajtori do t’ia dalë me pak ose asgjë, atëherë viktima provon një ndjenjë braktisjeje dhe ankthi. Mendoj që kjo shoqëri, e paqëndrueshme në qartësinë e dënimit, i heq drejtësisë një nga funksionet e saj më të rëndësishme që është ajo frikës: shumë njerëz të sigurtë në pasojat e dënimit kryejnë krime. Këtë ide ka arritur ta përcjellë qartë romani i Kongolit.

Duke qënë e bindur për karakterin relativ të këtyre shënimeve, mendoj se proza e ardhur në këtë libër dominohet me të njëjtën formë dhe dukje si telefilmi “Njërëz dhe fate” ndoshta ajo dëshirë që pati shikuesi për ta ndjekur atë film realist si dëshmi e jetës së përditshme, është sërish edhe në leximin e faqeve të romanit të Kongolit “te porta e Shën Pjetrit” e ndërkohë, e gjithë kjo pasqyrë reale e ngjarjeve e ka zbehur forcën shkruese dhe aftësinë që autorit i njihet nga veprat e tij pararendëse. Nuk besoj në funksionin publik të një intelektuali apo të një shkrimtari që merr pozicion mbi të gjitha problemet që ka dhe ofron për të gjithë një mundësi zgjidhjeje shoqëria jonë. Besoj më shumë që shkrimtari duhet të bëjë pyetje dhe këtë e kuptojmë në fundin e romanit të Kongolit. Ka arritur të spostojë dhe modifikojë vështrimin, në drejtim të problemeve. Dimë që në Shqipëri shpesh problemet vijnë të prezantuara ose në një parashikim jotolerues, ose moralizues dhe propogandistikë. Shkrimtari duhet të ofrojë një pikë të shikimit të ndryshëm por jo falas, jo banal, tërësisht të sinqertë. Do të doja të kuptoja posedimin e linjës së ndjekur në drejtim të qëndrueshmërisë dhe të kënaqësisë, edhe pse nuk harroj kurrë rëndësinë e stilit dhe kënaqësinë e stilit të Fatos Kongolit, përpjekjen për të modifikuar vështrimin përballë problemeve të shoqërisë dhe vetes sonë.

Selimi, 24 orë nga guximi i një femre

Rrugët për ku nisesh jo gjithnjë realizohen. Blendi Fevziu, në një çast retrospektivë për autoren Milena Selimi, nuk dyshon se kolegja e tij tani e kish përmbushur një ëndërr të shkuar. Në serinë e botimeve “Proza shqiptare ‘03”, shtëpia botuese OMBRA GVG, për të dytën herë po hap rrugën për letërsinë fëmerore shqiptare.

“Nata e një gruaje” e Milena Selimit, e mbërthyer në skica që qarkojnë 24 orë nga një vit i plotë, të ilustruar nga grafikat e piktorit Joni Kraja, të shtyn në mendime të guximshme. Se ia dilet lehtë të shkruash diçka për veten.

“Duket se asgjë e rëndësishme nuk ndodh dhe përsëri ndodh gjithçka.Ditë pas dite dhe orë pas ore shemben marrëdhëniet njerëzore, humbin miqësitë, të braktis dashuria dhe kërkon gjëra të pamundura. Herë del i fituar dhe herë tjetër mundesh nga përballja me realitetin”, thotë Selimi kur iu desh dje të përballej me shtypin, për pormovimin e librit në Friend Book’s House. Nata e një gruaje, botuar të grish në orët e qëndrimit me vetveten në përpjekje të ndjesive fisnike, ku shfaqet një prekje e lehtë filozofie për dashurinë dhe jetën.

Pjesë e kolanës proza shqiptare, me një kopertinë tendicioze të Krajës, që kërkon të shkojë përtej mendimit real, gati surealizëm, ku për herë të parë tentohet të ndërthuret artistikisht fjala me imazhin.

E konceptuar si një kohë e jetuar në 12 muaj botimi sjell 12 grafika nga piktori Kraja, të cilat prekin në një marrdhënie artistike idetë dhe filozofinë e librit.

Në këtë botë, mes njerëzish që ecin, shëtisin, vrapojnë, nxitojnë, ku gjithmonë e më pak kanë kohë për veten, psikologjia e një gruaje shkon përtej qënies si mish e trup. Pa lënduar kërkënd, “Nata e një gruaje” kërkon thellësinë dhe pse shpesh gjendet në errësirën e kundërpërgjigjes reale. Ky nuk është dëshpërimi, por dashuria për shpirtin tënd. Duke u përpjekur të japë ndjesitë e veta, pa shumë gjak, Selimi thotë “dhe në një natë që shkon drejt mëngjesit, gjithçka mund të ndodhë, ku i dihet...”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›