Arti japonez
Galeria e Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Vjenë dhe fondacionin japonez, më 7 korrik, në orën 20:00, hapë ekspozitën ‘Counter-Photography - artistët japonezë sot’.
Kurator i kësaj ekspozite është Mitsuda Yuri nga muzeu i artit Shoto.
Fotografia është e njohur përgjithësisht si një medium që me saktësi bart të dhënat e realitetit. Në fakt, megjithatë, aftësia e saj e pashembullt për të riprodhuar besnikërisht realitetin mund të vihet në efekt pikërisht të kundërt. Kjo karakteristike e fotografisë i ka dhënë rritje dëshirës për të zbuluar objekte që nuk mund të shihen me sy të lirë - me fjalë të tjera, për të fotografuar botën e padukshme.
Ekspozita e pranishme bën përpjekje për të futur qasje ndaj realitetit përmes veprave fotografike të artistëve bashkëkohorë japonezë. Ekspozita është e ndarë në dy seksione, bazuar në zgjedhjen e artistëve të subjekteve dhe të qasjeve. Njëri seksion quhet: "Të spastrosh: Një tjetër dukje". Në këtë seksion, synimi i artistëve është nxjerrja e ‘shpirtit’ qenësor të subjektit – qoftë kjo një bimë, gur, ose ndonjë gjësend tjetër - duke zbuluar një dimension të subjektit krejtësisht të tjetërsuar nga aspektet konvencionale. Në seksionin tjetër, "Të kthesh: Një tjetër relacion", artistët ndërmorën një qasje më sociale. Punimet në këtë seksion shqyrtojnë marrëdhënie me veten, të tjerët, dhe në fund të fundit me vendin e vet - me fjalë të tjera, ata përfaqësojnë përpjekjet për të përshkruar marrëdhëniet në mes të njerëzve nga një perspektivë krejtësisht të re.
Punimet në këtë ekspozitë nuk janë të destinuara që të shërbejnë si dëshmi të dokumentuara për ndonjë realitet të veçantë.
Artistët e seksionit të parë që do të paraqiten në këtë ekspozitë janë Eikoh Hosoe, Hiroshi Sugimoto, Miho Akioka, Miyuki Ichikawa, Akiko Sugiyama dhe Chie Yasuda. Ndërsa, artistët e seksionit të dytë janë Eikoh Hosoe, Kazuo Katase, Hiroko Inoue, Tomoko, Yoneda, Tomoaki Ishihara dhe Michihiro Shimabuku.