E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashamiri dhe njohësi i artit dhe i letërsisë

Nga Prof. As. Dr. Lirak Karjagdiu më 03 korrik 2011 në ora 19:21

Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Ernest Heminguejit, një ndër shkrimtarët amerikan më zulmëmëdhenj dhe më të popullarizuar te shqiptarët.
(Rreth romanit “Përtej lumit, në hijen e drurëve” të Ernest Heminguejit)

Një personazh me obsesione

Vepra e Heminguejit e titulluar “Përtej lumit, në hijen e drurëve” u përkthye në shqip nga Artjan Guskiqi në vitin 1996, ndonëse ajo qe shkruar qysh në vitin 1950 dhe i është kushtuar gruasë së tij Maries. Para se të botohej si vepër komplete, ajo u botua më parë në revistën “Cosmopolitan Magazine”, prej shkurtit deri në qershor të vitit 1950. Kjo vepër u prit në dy mënyra nga kritika letrare. Nga një palë kritikësh, ajo u prit me reagime të ashpra, kritika të rrepta dhe u quajt vepër e ngatërruar, zhgënjyese dhe e dështuar, kurse nga pala tjetër, u prit me respekt, mirëkuptim dhe urime, madje pas disa muajve, vepra në fjalë u gjet në listën e bestselerëve të letërsisë amerikane.

Ç`është e vërteta, Hemingueji kishte shkruar një vepër që përputhej plotësisht me metodat dhe mënyrën e tij të shkruarit, ndoshta edhe jo veprën më të mirë, por megjithatë edhe kjo ishte një vepër më e mirë se disa vepra të tij të mëparshme që ishin pritur me dashamirësi prej kritikëve. Tema e veprës është mosha kritike dhe vdekja e ngadalshme e një ushtari plak. Personazhi është i vetëdijshëm se vdekja e tij është e paevitueshme por vendos ta sfidojë vdekjen, prandaj merr vendimin që t`i kalojë ditët e tij të fundit në Venedik dhe afër tij, duke shkuar në gjueti, peshkim dhe duke bërë dashuri me një vashë të re. Vepra kryesisht realizohet përmes monologut. Ushtari plak, ndërsa i përkujton me zemërim dhe pikëllim betejat e dikurshme, njëherësh mbushet plot hare dhe krenari në shoqërinë e dashnores së tij të re. Të gjitha ngjarjet janë shkruar me një gjuhë dhe stil të fuqishëm që është karakteristika kryesore e disa veprave të mirëfillta të Heminguejit.

Njëkohësisht, vepra “Përtej lumit, në hijen e drurëve”, të lë përshtypjen se është edhe fati i mallkuar i një filistini. Heroi i romanit është 51 vjeçar, kur njeriu i qytetëruar duhet të fillonte periudhën më të frytshme të jetës së tij. Mirëpo, ky personazh është lodhur, këputur dhe robëtuar nga ngjarje dhe aventura të ndryshme. Kantvelli, protagonisti i këtij romani e ka shkuar jetën jo vetëm me sporte, dehje e në aventura të dashurisë, por ka arritur të bëjë edhe karrierë, megjithëse tani dëshiron t`i harrojë të gjitha ato, sepse në vend të dekoratës, atë e ka pritur sëmundja e rëndë. Megjithë vetëdijen për këtë situatë patetike në të cilën gjendet, ai ende e ndien vetën si burrë të kulturuar dhe të ngritur i cili ka të drejtë ta gëzojë jetën deri në fund. Kontesha shumë e re, Renata e dashura e kolonel Riçard Kantuellit, është një vajzë e ëndrrave. Në këtë vepër rishtazi kemi personazhin që e shkon kohën duke pirë, duke ngrënë, në gjueti, në shoqëri intime dhe argëtime.

Roman me elemente autobiografike

Përkundër kritikave të bëra nga disa kritikë, protagonisti i kësaj vepre Kantuelli ka tipare simpatike dhe kontrakditore. Në këtë mënyrë ai herë duket si ndonjë torollak i guximshëm dhe herë i mërzitshëm, herë shakaxhi dhe herë i vrazhdë, herë egoist dhe herë komunikativ dhe herë i njerëzishëm e herë arrogant. Së këndejmi, ai mund ta nevrikos ndonjëherë edhe lexuesin. Ka diçka të snobit në kënaqësinë e tij, në të ngrënë e në të pirë. Ka diçka të tepërt kur ai rrëfen se ai ka qenë dashamirë i kamariereve, femrave në portineri; në raste të tilla lexuesi e ka përshtypjen se ato janë tiparët e njeriut të pagdhendur. Ka edhe mburrje të tepruar në oreksin e tij dhe dehjet e dëfrimet e kolonelit me femra të lehta. Autori i veprës na shpie ndonjëherë edhe në botën e ëndrrave të një adoloshence, kur heroi i veprës, i sëmurë dhe i moshuar i rrah dy djem dhe dy detarë të dehur, të cilët i janë ofruar të dashurës së tij. Koloneli ka zakon të flasë jo vetëm me Renatën por edhe me pikturën e Renatës që e ka në dhomë. Ai i drejtohet protretit duke i premtuar Renatës: “Unë do të jem djali më i mirë që ke parë deri më sot”. Heroi plak është krenar edhe me gjakun e tij të egër si të një derri. Ky hero romantik, i cili lundron me gondolë në Venedik me të dashurën e tij, pretendon se është një dashnor i vërtetë, i pashoq dhe origjinal, megjithëse ate vdekja e pret së shpejti.

Heroina e tij është një venedikase e re, një lloj axhameshe. Renata është njëra prej heroinave të fundit me tipare të rralla. Ajo i nënshtrohet plotësisht vullnetit, dëshirave, huçeve dhe epsheve të kolonelit plak, kurse ai i preokupuar me vetën dhe mbijetesën e vetë, nuk bën asnjë përpjekje për ta kuptuar atë. Kantuelli ka rënë në dashuri vetëm për shkak të ndjenjave që ajo zgjon në te, ajo në të vërtetë, është një heroinë romantike, sepse merr pjesë në një dashuri romantike, të pashpjegueshme dhe të çuditshme.

Duket sheshit se ndërsa po e shkruante veprën “Përmes lumit, në hijen e drurëve”, Hemingueji po përpiqej t`i shporrej ankthit dhe tmerrit të ngjarjeve që i kish përjetuar në Luftën e Dytë Botërore. Një gjë e tillë vërehet ngapak edhe nga sjelljet kontradiktore të personazhit të tij, nga grindjet dhe krahasimet e takimeve, të bisedave të dashurisë së Kantuellit dhe Renatës si dhe nga monologjet e tij për dashurinë e tij të rrallë e të fundit. Në të njejtën kohë, mbetën të pazgjidhura, skofia dhe vrazhdësia, si dhe zhvillimi i skenave të akteve të dashurisë.

Do thënë se koloneli është një dashamirë dhe njohës i artit dhe i letërsisë. Në fakt, ai është personazhi më i ngritur i Heminguejit. Ai është i dashuruar në bukurinë dhe botën magjepse të artit. Duke i shpalosur faqet e këtij romani dhe duke i lexuar monologjet e Kantuellit, lexuesi do të konstatojë se Kantuelli përmend me admirim emrat e këtyre piktorëve: Xhotos, Pjero dela Françeskas, Brugelit, Mantenjes, Ticijanit, Tintoretos, Gojës dhe Velaskezit. Nga muzikantët ka referenca për Bahun, Vagnerin dhe Pabllo Kazallaqin. Ndërkaq, koloneli aludon në një sërë shkrimtarësh, siç që janë: D`Anuncio, Brouningu, Bajroni, T.S. Elioti, Rembo, Uitmani, Verleni, Villoni, Xhon Vepste, kurse ndër poetët më të rëndësishëm për te janë Dante dhe Shekspiri. Veçse Kantuellit i zgjohet interesimi, frymëzimi dhe entuziazmi për të bukurën në art vetëm kur është i dehur. Kur Renata, hareja dhe lumturia e fundit e kolonelit plak, dashamirit të artit, por edhe të kënaqësive të jetës, ia përmend vdekjen Kantuelli i përgjigjet vetëm në një mënyrë:
“Këtë punë e bëjmë vetëm. Është njësoj si të shkosh në banjo”.
“Të lutëm mos u bëj i vrazhdë”.
“Dua të them se do të doja të vdes bashkë me ty. Por ajo është një proces shumë egoist dhe i shëmtuar”.
Sipas të gjitha gjasave, ndjenjat dhe idetë e autorit të moshuar janë mpleksur thellë në pikëpamjet e këtij heroi. Afër mendsh, Hemingueji nuk është Kantuelli, por megjithatë askurrë më parë ai nuk e ka mveshur protagonistin e tij me aq shumë tipare të tij pa i fshehur ato. Kështu, në këtë vepër Kantuelli është në moshën e Heminguejit, i ka hallet dhe brengat e jetës bashkëshortore si autori, ka mjaft tronditje, vrragë dhe trauma të jetës si të Heminguejit, ka oreksin, shijen dhe dashurinë ndaj alkoolit si të Heminguejit, ka vizituar shumë vende të botës dhe ka përjetuar aventura të ndryshme, e ka hipertensionin (nervozitetin) dhe hobit e Heminguejit, si dhe përvojen e Heminguejit nga të dy luftërat botërore, por mbi të gjitha ka edhe admirimin ndaj artit e letërsisë dhe një pasion dhe obsesion ndaj fenomenit të dashurisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›