E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merimanga artistike

Gjashtë autorë të ndryshëm nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Bosnja dhe Hercegovina i kanë shkëmbyer përvojat e tyre nga vizitat në qytetet e njëri-tjetrit. Tekstet e tyre do të përmblidhen në një libër. Gjithçka është zhvilluar në kuadër të projektit “Merimanga”. Nga Albana S. Muja më 03 korrik 2011 në ora 20:20

Nga prilli i këtij viti është krijuar një rrjet i quajtur “Merimanga”, një projekt nëpërmjet të cilit bëhen tri shkëmbime me gjashtë shkrimtarë nga Prishtina, Beogradi, Sarajeva dhe Shkupi.

Këta shkrimtarë për të krijuar një rrjet tё merimangës nga shkronjat, fjalët dhe tekstet, apo edhe piktura, duhet të kalonin nëpër disa faza. Autorë të ndryshëm nga Kosova kanë qenë në Beograd, Shkup dhe Sarajevë për të vizituar një autor lokal atje.
Ky autor lokal i tregon kolegut të tij kosovar qytetin e tij dhe jetën politike, sociale dhe kulturore, si udhërrëfyes. Në këmbim, ai vjen mysafir në Prishtinë dhe këtë herë autori kosovar, si zot shtëpie, i tregon të ftuarit qytetin e tij subjektiv edhe nën dritën e çështjeve që janë relevante për të. Pas qëndrimeve të tyre, përkatësisht në qytetet e njëri-tjetrit, ata regjistrojnë përvojat dhe përshtypjet për mikpritësin e qytetit në një ese.

Sipas Nita Hasanit, koordinatore e projektit, “Merimanga” ka filluar në prill, së pari me gjetjen e shkrimtarëve, ndonëse ka marrë formë në muajin maj me shkëmbimin e parë në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

“Nga Prishtina në Beograd ka shkuar Doruntina Basha, në Shkup ka shkuar Ballsor Hoxha, ndërsa në këtë muaj është duke u bërë shkëmbimi ndërmjet Sarajevës dhe Prishtinës. Nga Kosova në Bosnjë ka qenë Imer Mushkolaj”, njoftoi Hasani.

Tekstet e autorëve do të publikohen. Rrjeti “Merimanga” ka hapur konkurs për artistë - ilustrator, fotograf, piktor, dizajner - tё rinj, tё cilët kanë dëshirë tё bashkёpunojnё nё këtë projekt. “Merimanga” kërkon njё punim kreativ, imagjinativ, inspirues arti qё ndёrlidhet me titullin e projektit.

“Më 17 korrik mbyllet konkursi për artistët, të cilët konkurrojnë për ballinën e librit, ndërsa pas datës 17 vendoset kush është fitues i konkursit. Faza tjetër i takon përkthimit të teksteve në shqip dhe në gjuhët tjera, varësisht në cilin vend ka qenë autori”, theksoi Hasani.

Tekstet e gjashtë autorëve, tre nga Kosova dhe tre nga Sarajeva, Beogradi e Shkupi, do të botohen në një libër të vetëm. E sipas Hasanit, tekstet janë ende duke u shkruar.
Hasani thotë se “Merimanga” është krijuar me një qëllim: për të bërë një rreth apo një lidhje në mes të qytetarëve, veçanërisht autorëve nga Kosova dhe vendet tjera. Derisa edhe vetë emri, në njëfarë mënyre, të jep të njëjtin mesazh. Këtë projekt e ka organizuar Qendra Multimedia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›