Arti në duart e çifligarëve
Gjatë qëndrimit të shkurtër në kryqytet, u ndal të na tregojë për edicionin e dytë të konkursit “Ardhje”, për Bienalen e Tiranës, klimën artistike. Por të na flasë edhe pak për veten. Sekretet e vogla të Edi Mukës
Kur vite më parë organizoi të parën Bienale, skeptikët nuk ishin pak. Edhe qeshën me artin e “çuditshëm” bashkëkohor, por kjo për Edi Mukën, nuk kishte shumë rëndësi. Do ta shihje gjithnjë duke vrapuar për të mbyllur një punë, duke pritur e përcjellë artistë të huaj. Por së fundi, duket se gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë këtyre anëve. Ajri i “rënduar” i metropolit, bajraktarët e vjetër e të rinj që “menaxhojnë” artin, duket se ia bllokojnë frymëmarrjen kuratorit, i cili ka zgjedhur ta ndajë jetën e tij mes Tiranës dhe Stokholmit. Sa herë që vjen në Tiranë sjell me vete edhe idetë për ndonjë ngjarje artistike. Gjatë qëndrimit të shkurtër në kryeqytet, Muka, u ndal të na tregojë për edicionin e dytë të konkursit “Ardhje”, për Bienalen e Tiranës, klimën artistike. Por të na flasë edhe pak për veten. Si është “gatuar” antikonformisti. Sekretet e vogla të Edi Mukës.
U kthyet në Tiranë, për të sjellë për të dytën herë konkursin "Ardhje". Si do na vijë kjo "Ardhje" këtë vit?
“Ardhje” do të vijë ashtu siç kemi premtuar vitin e kaluar, kur e filluam, me synimin për të ofruar mbështetje në vazhdimësi për ata që duan të guxojnë të provojnë utopinë e bukur (ose distopinë e trishtë) të të qenit artist në Shqipëri. “Ardhje” nuk është një ekspozitë e kuruar në mënyrë të mirëfilltë. Duke synuar zbulimin e krijimtarisë artistike përgjatë një periudhe prej një viti, përmes përzgjedhjes së artistëve të ftuar, në të synohet vlerësimi dhe shfaqja e kësaj krijimtarie në formën e një ekspozite, ku seicili artist ftohet të paraqesë më shumë se një projekt ekzistues ose të ri. Por natyrisht që “Ardhje” synon të përmbushë një mision të shumëfishtë, duke patur parasysh jo vetëm varfërinë e ngjarjeve në skenën e artit tonë, prezantimin krejtësishtjoprofesional dhe shkel e shko të punëve dhe në ato pak aktivitete që ndodhin, por në mënyrë të veçantë pamundësinë (financiare e rrethanore) të artistëve për të realizuar idetë e tyre. Misioni i TICA-s me çmimin “Ardhje” është pra të ofrojë një shans për të ekspozuar një krijimtari të vazhdueshme, të prodhojë punët dhe propozimet e artistëve të përzgjedhur me cilësi të lartë të mundshme në Tiranë (dhe madje kur është e mundur edhe jashtë Shqipërisë), dhe paraqitjen e tyre me standardet më të larta ekspozuese, në mënyrë që artistët të ndihen të vlerësuar për atë çka bëjnë, të ndihen të trajtuar në të njëjtën mënyrë sikur të ishin duke ekspozuar në një institucion të ngjashëm kudo gjetkë në Europë apo në botë.
“Ardhje” e sivjetme do të ketë pak a shumë të njëjtin numër artistësh, por do të ketë edhe disa risi. Së pari, ekspozita do të shtrihet në dy hapësira njëkohësisht: në Galerinë Zeta dhe në Galerinë e Akademisë së Arteve. Së dyti, juria që do të përcaktojë fituesin do të jetë ndërkombëtare. Së treti, që nga edicioni i sivjetëm “Ardhje” është e hapur edhe për studentët e vitit të fundit të Akademisë së Arteve, duke iu dhënë dhe atyre mundësinë e rezidencës 6-javore në NeëYork. Dhe së katërti, ne po përpiqemi ta shtrijmë jetën kulturore duke e shëtitur ekspozitën edhe jashtë Tiranës, dhe duket se pritës do të jetë qyteti dhe bashkia e Durrësit.
U bë ca kohë, që nuk po marrim lajme nga Bienalja e Tiranës. Çfare ka ndodhur? Ajo që (për fat të keq) ka ndodhur është e thjeshtë: Bienalja nuk është mbajtur dhe prandaj ju nuk keni dëgjuar për të. Unë e di që persona të caktuar, që e kuptojnë shtetin si mundësi për të abuzuar me pushtetin janë përpjekur ta uzurpojnë Bienalen e Tiranës, madje duke i shkuar dhe në shtëpi Giancarlo Politit, duke e ftuar të vijë në Tiranë dhe të bëjë sërish bienalen e tij me ta. Por këto përpjekje vetëm sa kanë zbuluar mungesën e aftësive dhe ideve si dhe dëshirën e pamatë për abuzim.
Në këtë moment unë nuk kam ende një informacion të saktë për ju në lidhje me kohën për të mbajtur edicionin e ardhshëm, por mund t’ju konfirmoj se ne po punojmë sërish me dëshirën e madhe për ta ringritur atë. Shpresoj që së shpejti t’ju jap një informacion më të saktë për idetë, kohën dhe pritshmëritë në lidhje me të ardhmen e bienales, e cila nëse gjasat janë të mira, do të mbahet vitin që vjen.
Me çfarë merreni gjatë kohës që nuk jeni në Shqipëri?
Hmmm, është e vështirë të përshkruaj gjithçka, por po përpiqem ta përmbledh me një fjali të gjatë, me shumë presje: kuroj, lexoj, studioj, ligjëroj, udhëtoj, takoj artistë dhe kolegë, gatuaj, vrapoj, aplikoj (fitoj / dështoj), jetoj / mbijetoj, përpiqem të gjej qasje dhe ide të reja për ekspozita, etj.
Si e gjeni klimën artistike në Tiranë, sa herë ktheheni?
Për fat të keq e gjej jo mirë, sidomos tani që mbaron dhe vera dhe fillon periudha e ftohtë dhe e zymtë e vitit. Shumë nga miqtë artistë janë të lodhur dhe për më tepër të zhgënjyer, sidomos nga ajo që ndodh në institucionet shqiptare të artit, nga sjelljet prej feudali të drejtuesve të tyre, dhe nga rënia e numrit, por sidomos e nivelit të veprimtarive artistike. Por ajo që më shqetëson mua dhe që ia përsëris miqve është mungesa e të bërit dhe të ndjerit të gjërave së bashku. Ky është problemi më i madh në Shqipëri, jo vetëm në fushën e artit. Përvoja e çdo vendi tjetër ka treguar se e vetmja mënyrë për të mbijetuar, forcuar dhe kërkuar individualitetin tënd si artist, qëndron te grupi dhe forca e tij. Në çdo periudhë historike dhe bashkëkohore, artistët (sidomos ata të rinj) mblidhen dhe ndajnë gjërat së bashku. Në këtë mënyrë merr kuptim të bërit e atij aktiviteti utopik – artit – sepse ti nuk ndjehesh vetëm, i braktisur dhe i pakuptimtë. Kudo në botë, madje dhe në vendet tona fqinje, artistët bëjnë diçka, të vogël apo të madhe, dhe më pas gjejnë hapësira, ose ftojnë miqtë në apartamentet apo studiot e tyre, në mini-ekspozita apo biseda dhe ngjarje të ndryshme të këtyre përmasave. Vetëm nga krijimi i këtyrë grupeve dhe kësaj “jete” mund të mbahet ajo që quhet “skena artistike”. Skenën artistike nuk e bëjnë institucionet, por njerëzit, artistët. Fatkeqësia në Tiranë është se apatia dhe individualizmi sundon, dhe artistët presin të bëhet ndonjë aktivitet që të kenë arsye për të punuar. Ndërkohë duhet të jetë e kundërta – duhet ata të bëjnë aktivitetet e tyre të vogla, të krijojnë jetën artistike dhe më pas t’iu kundërvihen apo të kërkojnë nga institucionet të shkundin apatinë. Në botë procesi shkon nga grupi tek individi (sepse kuptohet gjithkush do të ndjekë rrugën e saj / tij pas disa kohe), ndërsa në Tiranë ndodh e kundërta, dhe grupi nuk amalgamohet kurrë. Për këtë arsye mungon edhe opinioni i fortë publik, reagimi i fortë publik, ndërgjegjja e fortë publike e shqiptarëve në përgjithësi, sepse mungon aftësia për të parë avantazhin e interesit të përbashkët.
Por tek-tuk del ndonjë i ri që guxon të mbledhë “grupe”....
Më duhet të them se jo pa kënaqësi kam vërejtur se kohët e fundit ka disa reagime dhe iniciativa të reja shpresëdhënëse. Kështu mund të përmend punën që po bën një kuratore shumë e re, Adela Demetja, që synon pikërisht organizimin e individëve në grupe, të cilat shkëmbejnë me të tjerë; apo punën dhe përkushtimin e Galerisë “Zeta”, dhe galeristes Valentina Koçi, e cila megjithë mungesën totale të tregut për artin bashkëkohor vazhdon të ofrojë mbështetje për të gjitha iniciativat e kësaj natyre; apo nismën më të re, konkursin ndërkombëtar të fotografisë, “Sotiri”, të iniciuar nga “Lindart”, dhe të kuruar me guxim nga një tjetër kuratore e re, Alketa Kurrizo, një aktivitet me nivel të lartë përzgjedhjeje, i cili po zëvendëson veprimtaritë e ngjashme, tashmë të asfiksuara nga institucionet që i organizonin (“Marubi”, “Onufri”, etj.). Pikërisht kësaj vale të re, këtyre përpjekjeve të brishta i duhet ofruar e gjithë mbështetja e mundshme, për t’i dhënë kurajë që të kristalizohen dhe të vazhdojnë, sepse janë “oksigjen” i pastër për ajrin e mbytur të “skenës” artistike shqiptare.
Ç’mendoni për ndryshimet që po ndodhin në Galerinë Kombëtare të Arteve?
T’ju them të drejtën, nuk i kam mësuar të rejat e fundit, dhe nuk i kam ndjekur idetë e rikonstruksionit dhe ribërjes së pavioneve. Kjo për arsye se prej disa vitesh situata në Galerinë e Arteve është më se qesharake. Vetëm ekipet e futbollit me pronarë fodullë dhe kapriçioze ndërrojnë trajnerët, po kaq shpesh sa galeria drejtorët. Dhe unë mendoj se për sa kohë drejtorët e institucioneve në Shqipëri do vazhdojnë të emërohen në bazë të shkallës së farefisnisë apo miqësisë familjare me ministrin apo kryeministrin (këtu përfshij edhe qeveritë paraardhëse), ata do jenë veç kukulla. Dhe ç’është më e keqja, ata do jenë mishërimi më i qartë i konsiderimit të shtetit si pushtet, si çiflig, dhe do të punojnë me moton “topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë”. Vetëm kur të ndërrojë mënyra e përzgjedhjes së drejtorëve, dhe vendosja e tyre në vendin e punës do të bëhet në bazë të një vizioni të paraqitur paraprakisht dhe me kontrata të qarta, të palëvizshme nga humori i ministrave apo kryeministrave, vetëm atëherë do të mund të diskutojmë për ide, platforma apo vizione. Por deri në momentin që kjo të ndodhë, nuk besoj se vlen të harxhojmë energji me këtë problem.
Sa do të ndihmonte punën e galerisë dhe sa do ndikonte në jetën e përgjithshme artistike, ngritja e një qendre arti bashkëkohor (piramida),?
Padyshim që do të ndihmonte shumë. Por pa dashur të përsëris veten, nëse situata që sapo përmenda më sipër nuk do të ndryshojë, edhe ngritja e kësaj qendre nuk do të ndihmojë aspak. Përkundrazi, vetëm sa do të shtojë një çiflig të ri.
Cili është kujtimi juaj më i hershëm?
Momenti kur pasi kisha kaluar vitet e para të fëmijërisë me gjyshen, prindërit vendosën të më çojnë në kopësht, dhe unë u përpoqa të fshihem duke u strukur nën jorgan, me shpresë që ata nuk do më gjenin dhe do më linin në shtëpi.
Cili person të gjallë admironi dhe pse?
Në këtë moment, Naomi Klein, për guximin e saj për të analizuar dhe zbuluar prapaskenat historike dhe aktuale të kapitalizmit global, në librin “Doktrina e shockut”, dhe Barack Obamën për fjalimin e tij në pranimin e kandidaturës në konventën e demokratëve në Amerikë.
Çfarë nuk pëlqeni tek vetja?
Paaftësinë për të marrë vendime radikale që mund të të përmbysin (apo ndryshojnë) mënyrën e të jetuarit.
Kush është thesari juaj më i çmuar?
Miqësia pa kushte.
Për çfarë iu detyroheni prindërve tuaj?
Për gjithcka, për jetën, shkollën, formimin, shtëpinë, makinën, për kush unë jam, dhe mbi të gjitha për dashurinë e tyre, që më ka mbrujtur dhe mbrojtur dhe që vazhdon ende të më mbrojë.
Cila është fjala juaj e preferuar?
??? (dmth nuk e di)
Cili është piktori/artisti juaj i preferuar?
Piktori: Francis Bacon; Artisti: Marcel Duschamp.
Cila është kënaqësia juaj që ju bën të ndiheni me faj?
Tradhtia (e njohur ndryshe si “dredhja”)
Si do ta përkufizonit dashurinë?
Jjjjjjjaeeaesssssssssss‘†‡‰nnn4q90643´3+4 •¨-..T.Q.,M+´´ (nuk ka fjalë)
Cili ka qenë zhgënjimi juaj më i madh?