Shtëpia e gjuhëtarit, galeri arti
ELBASAN - Shtëpia e gjuhëtarit të shquar Aleksandër Xhuvanit, do të kthehet në një galeri artesh. Mbi bazën e një plani investimi nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Elbasanit, kjo shtëpi do të mund t’i shpëtojë shkatërrimit e do bëhet e vizitueshme. Rreth 16 milionë lekë të reja do të shërbejnë për restaurimin e çatisë, dhomave, dyshemesë, duke ruajtur modelin dhe muret e jashtme të shtëpisë. Vlera e këtij objekti, që nuk ka patur asnjë ndërhyrje në 20 vitet e fundit, qëndron më së shumti në brendësi. Veç mobiljeve të vjetra, të mbuluara nga pluhuri i viteve, dhoma më me rëndësi mbetet biblioteka. Në të mund të gjesh shumë libra nga vetë Xhuvani, por edhe shumë të tjerë të gjuhëtarëve si Thimi Mitko, por edhe fjalorë të bashkautorëve të njohur shqiptarë me Mahir Domin në krye. Sapo hyn të bën përshtypje tavolina e punës. Ende mbi të qëndrojnë dy fjalorë dhe vepra e Thimi Mitkos, si dhe tre libra të vetë autorit si “Fillimet e Pedagogjisë për shkollën Normale dhe mësuesit e fillores”, (Elbasan, 1926), “Libri i Gjuhës Shqipe për klasën e tretë të fillores” viti 1937, “Didaktika ose Fillime të Pedagogjisë e shtueme dhe e përmirësueme”. Veç librave të parë dhe ndihmësit, në anë të dhomës së bibliotekës qëndron fonoteka, që tregon edhe punën e madhe që bënte ky gjuhëtar, për të seleksionuar materialet që grumbullonte. Në sirtarë ndodhen skeda e materiale për gjuhën shqipe të ndara me numra dhe me kategori. Një mobilje e vjetër, por mjaft fisnike mban ende librat, që kanë marrë tashmë ngjyrën e verdhë dhe shumë prej tyre janë dëmtuar. Këtu ndodhet edhe biblioteka me libra kryesisht të gjuhës, por edhe vepra të tjera që bëjnë pjesë në fondin e gjuhëtarit elbasanas. Në fakt dhoma ku nuk mungojnë kolltuqet e vjetër është kthyer edhe në një magazinë të pikturave dhe objekteve të tjera për Xhuvanin. Kështu, në këndin e dhomës vazhdon të qëndrojë një skulpturë në mermer që poshtë mban emrin e Aleksandër Xhuvanit. Më tej ndodhen edhe dy koka të tjera skulturash pak të dëmtura. Objektet tashmë janë drejt një degradimi të plotë, pasi prej kohësh askush nuk kujdeset për to. Përfaqësues të trashëgimisë kulturore thonë se të paktën shtëpia e Xhuvanit është në një gjendje më të mirë se ajo e Kristoforidhit, e cila po shkon drejt shkatërrimit të plotë.
Por dhe pse fondi është akorduar, Bashkia Elbasanit nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë me shtëpinë muze. Mësohet se përfaqësuesit e saj kërkuan nga Ministria e Kulturës miratim për bërjen e një shtese pas shtëpisë së gjuhëtarit, por kjo nuk u miratua për shkak se në objektet që bëjnë pjesë në Kala, nuk duhet të ketë ndërhyrje që ndryshojnë formën e tyre. Megjithatë Bashkia ka vlerësuar të pamjaftueshëm fondin prej 10 milionë lekësh të reja, duke vënë në dispozicion edhe 6 milionë lekë të reja në shërbim të restaurimit të këtij objekti dhe përdorimit të ambienteve të tij, veç bibliotekës për galeri artesh dhe depozitim të materialeve të galerisë, që vazhdojnë të qëndrojnë të magazinuara në kushte shumë të vështira. Qëndrimet mbi këtë ide janë të ndryshme. Ka nga ata që e pranojnë përdorimin e këtij objekti si galeri, por duhet që më pas ky objekt të miradministrohet nga bashkia. Të tjerë kundërshtojnë që shtëpia të kthehet në një galeri, pasi do të ndryshonte komplet funksionin e saj. Elbasanasit kërkojnë që kjo shtëpi të jetë e hapur për turistët dhe të mirëmbahen objektet brenda saj. Madje kërkohet restaurohen edhe shtëpi të tjera muze si ajo e Kristoforidhit, që turistët të kenë çfarë të shohin teksa vizitojnë lagjen e vjetër të Kalasë. Përfaqësues të Bashkisë thonë se ende nuk është vendosur se ku do të ndërhyhet në këtë objekt, pasi projekti do të përfundojë brenda pak ditësh, por ajo që është diskutuar dhe që pritet të ruhet është vetëm studioja e punës e gjuhëtarit, ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë do të ketë një tjetër funksion.