E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, abuzimi me pensionet, 500 dosje dërgohen në prokurori

 

DURRES - Afro 500 “pensionistë” i vjedhin shtetit 400 milionë lekë. Ky është skandali për zbardhjen e të cilit, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Durrësit kërkon ndihmën e policisë dhe të prokurorisë. Ndërkohë, hetuesit e akuzës priten të marrin në dorëzim denoncimin mbi abuzime të mëdha me dosjet e pensioneve. Parregullsitë nisin nga dokumentacioni fals, rritja e moshës për efekt pensioni, lëshimi i vërtetimeve për kategori të përcaktuara si minatorë, invalidë në ish-NB-të e fermave, etj. Por vetëm gjatë këtij viti ka nisur verifikimi i dosjeve të trashëguara në vite, kryesisht për atë kategori ku edhe dyshohet se janë shënuar abuzime të rënda. Drejtori rajonal i ISSH-së, Frederik Tufa shprehet se institucioni i drejtuar prej tij ka pezulluar së fundmi 745 dosje pensioni. “Zyra rajonale e sigurimeve shoqërore në qarkun e Durrësit ka nisur fillimisht verifikimin e të gjitha dosjeve për ish-minatorët që banojnë aktualisht në Durrës. Afro 500 pensionistë duhet t’i kthejnë shtetit 400 milionë lekë të përfituara padrejtësisht nga këto shkelje. “Ne do të ndjekim të gjitha procedurat për vjeljen e të gjitha detyrimeve të marra padrejtësisht”, konfirmoi Tufa. Në qarkun e Durrësit numërohen mbi 45 mijë pensionistë dhe 4300 invalidë.             o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›