Artim Pollozhani, dy gola kundër rusëve të Spartak Nalçik

Shkup– Artim Pollozhani po vazhdon me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme në fanellën e skuadrës Makedonija nga Gjorce Petrovi. Ai në ndeshjen kontrolluese të zhvilluar në Antalia të Turqisë kundër rusëve të Spartakm Nalcik ka shënuar dy gola spektakolar. Ndeshja ndërmjet këtyre dy ekipeve ka përfunduar me barazim 2:2, ndërsa strugani 24 vjecar ishte lojtari më i mirë i takimit.
"Kam zhvilluar një lojë shumë të bukur. Jo pse shënova dy herë, por vërtetë pata një paraqitje të mirë kundër ekipit rus Spartak Nalcik. Rusët kishin epërsi prej dy golave, por në pjesën e dytë ne bëmë një lojë të
mrekullueshme dhe ia dolëm të barazojnë rezultatin", është shprehur përmes celularit Pollozhani. Ai thotë se të dy golat ishin të bukur, sepse janë shënuar nga distancat e largëta, prej 25 metra.
"Nuk mund të them se ky ose goli tjetër ishin të bukur, ngase të dy i shënova nga largësia. Në të parin e bëra një slalom dhe zvogëlova rezultatin, ndërsa të dytin e realizova nga goditja e lirë. Portieri rus mbeti i shtangur, sepse ishte i pafuqishëm për të ndalur goditjet tejet precize", vijoi ai.
Skuadra e Makedonijës të enjten pasdite ka zhvilluar edhe një ndeshje tjetër kontrolluese, kësaj radhe me një ekip nga kategoria e tretë e Austrisë, Kicbill. Edhe në këtë lojë kontrolli Pollozhani premton lojë të bukur, e cila do të kurorëzohet me gola.
Reshat Ibrahimi