Dëbimet e brazilianëve, Apolonia kërkon ndërprerjen e kampionatit

Albania-Sport - Klubi sportiv Apolonia i kërkon federatës shqiptare të futbollit ndërprerjen e kampionit kombëtar të Futbollit. Kjo kërkesë vjen pas ngjarjeve të fundit që prekën skuadrën e futbollit të Apolonisë së Fierit, nga e cila janë larguar 4 futbollistë brazilianë.
Sic dihet tashmë, forcat e policisë të qytetit të Fierit, morën ditën e martë nga stërvitja 4 futbollistët brazilianë dhe i dërguan në aeroportit të Rinasit për t'i larguar në vendin e tyre ne Brazil. Shtetasit brazilianë Renato Da Silva, Rosha, Zhunior dhe Uashington u futën në fugonin e policisë dhe u dërguan me rroba stërvitjeje drejt aeroportit të Rinasit.
Këta futbollistë vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot pas 48 orësh në sallën tranzit të aeroportit të Rinasit. Në letrën që drejtues të klubit Apolonia i dërgojnë federatës shqiptare të futbollit, sqarojnë se futbollistët në fjalë, kanë hyrë ligjërisht në vendin tonë në mesin e muajit janar dhe tri-katër ditë më vonë pasaportat e tyre janë cuar pranë komisariatit të policisë së Fierit, për të aplikuar për rezidencën e tyre në këtë qytet, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Nga kjo situatë e krijuar, disa prej këtyre futbollistëve janë të shokuar nga ngjarja e të martës dhe nuk pranojnë të dalin në stërvitje. "Si pasojë e këtyre veprimeve na ngelen në dispozicion vetëm 10 futbollistë të federuar, ndaj e kemi të pamundur të paraqitemi në ndeshjen e radhës që ekipi ynë duhet të luaj kundër Kastriotit në Krujë ditën e mërkurë", - shkruhej në deklaratën e klubit.