E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bozhinovski kundërshtar i Haxhiristevskit

Shkup - Nga Këshilli Iniciativ për ndryshime në FFM është bërë publike në mënyrë zyrtare emri për Kryetar të ri të FFM-së. Kështu gjyqtari me licencë ndërkombëtare, Emil Bozhinovski do të jetë kundërkandidati i kryetarit aktual Haralampije Haxhi Risteski, në Kuvendin e ri të Federatës së Futbollit të Maqedonisë që do të mbahet në muajin e ardhshëm.
"Kjo është një garë dhe nëse më besohet kjo detyrë, atëherë me nderë do ta bëj", u ka thënë shkurt gazetarëve Bozhinovski.
Gjithashtu ky Këshill para gazetarëve ka prezantuar letrën me 8 nënshkrime të Lidhjeve Komunale, me anë të të cilave kërkohen ndryshimet në FFM.
Mirëpo "pluhur" është ngritur kur nga Këshilli Iniciativë u kërkua të japin përgjigje në pyetjen, se e kanë ose jo përkrahjen e shqiptarëve, dhe a thua mendojnë të kenë shqiptarë në Federatë, nëse ata vijnë në krye të FFM-së.
"Ne kemi ngritur këtë iniciativë, dhe s'na intereson se cka do të vendosin shqiptarët. Nuk i shikojmë ndarjet. Ne s'kemi përkrahje nga Tetova, por nëse vendosin për dicka, mund të na paraqiten", është shprehur Omeragiqi, njëri prej anëtarëve të Këshillit Iniciativë.
Ndërkohë në listën e atyre që kanë nënshkruar për ndryshime në FFM, janë kryetarët e Lidhjeve Komunale të Ohrit, Shtipit, Kumanovës, Gjevgjelisë, Sveti Nikollës, Kërcovës, Kratovës dhe Shkupit.

Reshat Ibrahimi

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›