E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundjava gjakos rrugët e Durrësit

DURRES – Fundjava e gjen të gjakosur qytetin e Durrësit.

Një person gjeti vdekjen, ndërsa dy të tjerë u plagosën në tre aksidente automobilistike të shënuara mbrëmjen e së premtes dhe gjatë mëngjesit të djeshëm. Sipas të dhënave të policisë së Durrësit, bëhet e ditur se aksidenti fatal ndodhi rreth orës 22:00 në vendin e quajtur kryqëzimi i Pjezës, në rrugën nacionale Durrës-Tiranë. Makina “Benz” me targë TR 7510 H, drejtuar nga 48-vjeçari Vildan Mati, doli nga rruga duke u përplasur me murin rrethues të një pike karburanti. Goditja e fortë ka qenë vdekjeprurëse për shoferin. Po gjatë mbrëmjes të së premtes, në afërsi të sektorit “Hekurudha” në plazhin e Durrës, një makinë fuoristradë aksidentoi 36-vjeçaren L.D. Pas përplasjes makina me targë të Tiranës është larguar nga vendngjarja, ndërsa gruaja ka përfunduar me plagë në spitalin e Durrësit. Aksidenti i tretë ndodhi sërish në plazh, në vendin e njohur si rrota e kuqe. Një kalimtare 19-vjeçare u përplas nga një makinë “Benz”, drejtuar nga Ruzhdi Laçaj, duke u plagosur. Ajo u dërgua në spital, ku është jashtë rrezikut për jetën.                                      o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›