E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxhaj: Ja si do t’i ndryshojmë tekstet e historisë

Ministri i Arsimit të Kosovës, gjatë një vizite në Shqipëri ka pohuar se, sistemet arsimore të dy vendeve tona do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre për të përçuar një kulturë të lartë shqiptare në rajon, e cila mund të konkurrojë me atë të universiteteve evropiane.

Zoti Enver Hoxhaj ka vizituar Tiranën në një vizitë private, e cila nuk mund t’i shpëtonte syrit të mediave. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, z. Hoxhaj u shpreh mbi situatën në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, qëndrimin e qeverisë “Thaçi” mbi kritikat e ashpra të zotit Haradinaj, sistemin universitar në Kosovë dhe tekstet e reja shkollore me elementet që do të ndryshojnë në përmbajtjen e tyre. 
Si ndjehet klasa politike kosovare me ecurinë e proceseve pas shpalljes së pavarësisë?
Shumë shtete e kanë njohur pavarësinë, po ashtu edhe vende të rajonit. Kjo ka qenë vala e parë, shpresojmë që të ketë një dinamikë më të madhe njohjeje edhe nga bota islame edhe nga Amerikane latine, por edhe vende të tjera të rajonit si Mali i zi dhe Maqedonia. Njohja e Kosovës, po të krahasohet me njohjen e shumë shteteve pas Luftës II Botërore ka pasur një dinamikë jashtëzakonisht shumë më të madhe sesa parashihej dhe ka nevojë për njohje më të madhe nga të gjitha shtetet, natyrisht pavarësisht se çfarë natyre kanë pushtetet e tyre. Sa më shumë njohje të marrim, aq më shpejt shpresojmë që Kosova të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara.    
Si e komentoni lirimin e zotit Ramush Haradinaj nga Gjykata e Hagës? 
Mendoj se kthimi i z. Haradinaj nga Haga është një element shumë më pozitiv për Kosovën, sepse vërtetohet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka bërë krime në Kosovë.
Si i shikoni kritikat e Z. Haradinaj për qeverisjen aktuale në të cilën ju bëni pjesë?
Qëndrimi i tij përsa i përket punës së qeverisë së Kosovës nuk është asgjë tjetër, veçse qëndrimi i një lideri të një partie opozitare. Gjuha e përdorur prej tij është e ashpër, Kosova ka një gjuhë më të lartë politike dhe besoj se, secili nga qytetarët e Kosovës mund të vlerësojë punën sipas asaj që shikon, ndërsa unë besoj se qeveria e Kosovës sipas programit që ka, stadit që ka dhe përbërjen e njerëzve që ka kryesisht në Këshillin e kryeministrit është një qeveri, e cila nuk mund të krahasohet me asnjë qeveri të vendit në të kaluarën.
Çfarë mund të na thoni mbi ndërhyrjen e z. Haradinaj për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, sipas planit të Ahtisarit?
Eshtë çasti në të cilin partitë opozitare, si në çdo vend reflektojnë në situata të caktuara, pavarësisht se çfarë ndodh dhe sa ndikon, kërkesa për zgjedhje është gjuhë e partive opozitare. Mendoj se zgjedhjet tashmë janë kryer në muajin nëntor dhe rezultati që pati PDK ishte dërrmues dhe i pashembullt dhe se është kritikuar vetëm programi reformues që kemi, qëndrimi pragmatist që kemi, ne nuk kemi premtuar të sjellim imazhin e perfeksionit, qëndrimi ynë ka qenë shumë pragmatik. Marrëveshja e Ahtisarit përmban shumë aspekte dhe shumë elemente që nuk rezultojnë me situatën politike më të cilën ne po përballemi sot në Kosovë. Kjo ka qenë një marrëveshje e cila është menduar të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që Rezoluta 1244 të mbetet në fuqi derisa të shpallet pavarësia, dhe Këshilli i Sigurimit pas shpalljes së pavarësisë të miratojë një rezolutë të re. Kështu që paragrafi që i referohet mbajtjes së zgjedhjeve ka qenë më tepër një preferencë për vitin 2007. Kosova ka nevojë të ketë stabilitet politik, të ketë mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë, ne jemi në një proces zhvillimi dhe do të ishte humbje kohe ta ndërprisnim për të pasur zgjedhje të tjera, do të ishte një vit humbje kohe. Kjo është një marrëveshje me të cilën është rënë dakord edhe më shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker dhe me liderët të partive fituese të zgjedhjeve, PDK dhe LDK, kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit Fatmir Sejdiu.
Mendoni se ministria shqiptare dhe ajo kosovare e Arsimit do të ecin në një linjë të përbashkët?
Bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës do të fokusohet në arsimin e lartë sidomos në karakterin shkencor edhe në bashkëpunim në nivelit akademik, akademikë nga Shqipëria dhe nga Kosova mund të japin mësim në universitetet reciproke, mund të ketë edhe shkëmbim të literaturës shkencore dhe akademike. Ne angazhohemi të nxjerrim jashtë territorit një nivel të lartë të kulturës shqiptare. Në një pjesë të Ballkanit Perëndimor që ka një hapësirë kulturore shqiptare siç ka në shumë vende të Evropës kulturë franceze etj., dhe ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë në fushën e arsimit, librave, kemi një vendosmëri për të bashkëpunuar me Tiranën dhe Prishtinën.
Cilët elementë të teksteve shkollore kosovare do të ndryshojnë? 
Për tekstet që nuk kanë lidhje me identitetin si gjuha dhe historia, ne kemi qenë të interesuar që të kemi tekste standarde perëndimore. Unë kam sjellë një vendim në Ministrinë e Arsimit    që të ketë sa më pak autorë nga Kosova, që tekstet e këtij viti si ato të kimisë, gjeografisë mund të përdoren edhe nga vende të tjera në arsimin fillor dhe të mesëm, të jenë sa më të standardizuara, pasi materia që ofrojnë këto lëndë nuk ka ndonjë ndryshim. Ndërsa, kur bëhet fjalë për lëndë si historia apo gjeografia, sidomos për ato që përfshijnë periudhën më të re të Kosovës, mendojmë se shtëpitë botuese do të ofrojnë versione më të reja të historisë, ku do të përfshihet shpallja e pavarësisë së Kosovës, deklarata e pavarësisë së Kosovës, kështu që edhe më të rinjve iu jepet një informacion më i mirëfilltë për atë që çfarë është dhe çfarë ka qenë Kosova. Marrëveshja e Ahtisarit sugjeron përdorimin e teksteve shkollore për minoritetin serb dhe do të përpiqemi ta respektojmë skajshmërish këtë marrëveshje. Ne nuk duam që të ketë një hendek që të ndajë jetën publike mes etnive dhe shpresojmë, që në të ardhmen shkollat që flasin gjuhën serbe të ketë tekstet tona shkollore.        
Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se, gjuhë zyrtare janë shqipja dhe serbishtja. A do të paraqiten tekstet tuaja shkollore edhe në gjuhën serbe?
Ajo çfarë thuhet në Kushtetutë ka të bëjë me atë që po përjetojnë politikat gjyqësore, është më tepër akomodim i grupeve të caktuara etnike. Tekstet shkollore jo patjetër duhet të reflektojnë atë që thuhet për politika të caktuara.
Si e parashikoni qëndrimin e Serbisë në të ardhmen?
Serbia duhet të pranojë realitetin që tashmë Kosova është një shtet i ri dhe nuk ndodhet më brenda kufijve të saj. Sa për njohjen e Kosovës do të jetë një proces i ngadalshëm, i gjatë dhe do të ketë ndikime të forta nga jashtë se sa do të jetë një vendim i lidershipit serb. Mbase pas këtyre zgjedhjeve, pasoi të përcaktohet fituesi i këtyre zgjedhjeve, ndoshta debati do të jetë shumë më dinamik, do të ketë një ballafaqim më të fortë dhe më konkret me të kaluarën dhe realitetin.
Cili është projekti më afatshkurtër dhe një projekt afatgjatë në fushën e arsimit
Ne reflektojmë një program të ri në fushën e arsimit, ne arsimin e kemi shndërruar në një prioritet kombëtar, gjë që reflektohet edhe me mënyrën se si hartojmë politikat, bashkëpunimin mes sektorëve, është një çështje komplekse dhe kërkon një qëndrim ndërsektorial. Vetëm gjatë këtij viti ne ndërtojmë 60 objekte  shkollore fillore e të mesme, modernizimi është prioritet, gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë me disa platforma të reja mësimdhënie, do të nisim procesin e gradimit dhe të licencimit të arsimtarëve, që do të shërbejë që për një sistem të ri të pagave të arsimtarëve bazuar mbi përvojën dhe kualifikim, edhe disa shkolla të reja profesionale në fusha të ndryshme, në arsimin e lartë kemi ulur taksat e studentëve, për të siguruara lirinë e plotë financiare në Universitetin e Prishtinës. Ndërsa projekt afatgjatë do të jenë reformat në vazhdimësi.
Çfarë mund të na thoni për arsimin privat në Kosovë?
Sistemi privat është determinuar nga dy rrethana specifike. E para është se, Kosova pas vitit 1999 ka hyrë në një ekonomi tregu dhe pjesë e ekonomisë së tregut është edhe arsimi privat, i cili është fitimprurës, por edhe jo fitimprurës. E dyta, në çdo vit kemi rreth 20 mijë maturantë që nuk pranohen të gjithë në universitetin publik, një pjesë e mirë e tyre i drejtohen universiteteve private dhe biznesmenë i janë drejtuar kësaj iniciative dhe qeveria e Kosovës është e interesuar edhe për universitete private. Për këtë kemi nisur procesin e akreditimit të universiteteve private, gjë që në Kosovë do të kontrollohet nga Këshilli Britanik për Akreditim, një institucion që ka akredituar mbi 240 universitete në botë, i cili funksionon prej 24 vitesh dhe për çdo universitet do të dërgojnë ekspertët për të bërë akreditimin, mbi të cilin do të jepen edhe licencat e tyre që të jenë të krahasueshme edhe më universitete e tjera në Evropë.
Pra, universitetet private nuk janë të licencuara?
Një pjesë janë të licencuara nga Ministria e Arsimit, por janë të pa akredituara, dhe dhënia e këtyre licencave është dhënia e një copë letre pa e ditur se çfarë ofron ajo dhe ne jemi shumë të shqetësuar mbi këto institucione dhe duam që nxënësit ta ndjejnë  veten të përgatitur dhe ne jemi të mendimit që vetëm pasi të përfundojë procesi i akreditimit vetëm atëherë mund të ketë licenca të reja.
Si e shikoni sistemin arsimor në Shqipëri?
Sistemi arsimor në Shqipëri është një sistem i mirë, prej të cilit Kosova mund të marrë përvojat më të mira që ka kaluar Shqipëria. Mendoj që puna që po bën ministri i Arsimit Genc Pollo, është e shkëlqyer dhe reflekton trendet më të fundit të debateve arsimore në Evropë dhe politika e arsimit të Kosovës janë të inspiruar nga qëndrimi i z. Pollo. Sistemi i arsimit duhet të shihet si burimi i fundit i zhvillimit ekonomik. Ne jemi vende të vogla, nuk kemi pasur industrializim të fuqishëm, ne mund të konkurrojmë me të tjerët në rajon dhe në botë vetëm përmes një fuqie punëtore të kualifikuar.
Sa për qind i planit të Ahtisarit do të evitohet në Parlamentin e Kosovës?
Ne po zbatojmë dhe miratojmë një pjesë të mirë të ligjeve të orientuara nga Plani i Ahtisarit, pavarësia u bë në bazë të këtij plani, edhe miratimi i Kushtetutës gjithashtu. Procesi i implementimit të kësaj pakete duhet të përfundojë sa më shpejt dhe ne pas kësaj do të kemi mundësinë që të drejtohemi drejt një axhende të caktuar, që është udha e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Cili është Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj është ministri aktual i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës dhe anëtar i Asamblesë së Kosovës. Më parë ai ka punuar në Universitetin e Prishtinës. Ai është themeluesi i Institutit KODI, deri kur dha dorëheqjen në mars 2004, në kohën kur vendosi të bëhej anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Aktualisht drejton Komitetin e Asamblesë së Kosovës për Arsimin, Shkencën, Teknologjinë, Kulturën, Rininë dhe Sportet. Enver Hoxhaj ka studiuar në Universitetin e Vjenës nga viti 1994 deri në vitin 2000, ku ka marrë diplomë në histori, ndërsa ka shërbyer edhe në institutin e të drejtave të njeriut, Ludvig Boltzmann. Që atëherë, ai u bë profesor në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2003 2004 ai ka vizituar qendrën kërkimore të shkollës ekonomike të Londrës, qendra e studimit për qeverisje globale. Publikimet e tij mbi Evropën Juglindore përfshijnë studime mbi historinë, politikën, konfliktet etnike, nacionalizmin, shkeljen e të drejtave të njeriut, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe qeverisjen, që janë publikuar në shumë gazeta dhe libra të Perëndimit.          

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›