Artistët, në mbrojtje të pronësisë intelektuale
Robert Ndrenika, Alqi Kareco, Liljana Kondakçi, Rexhep Çeliku, Anita Tartari, Vasillaq Vangjeli, Tefta Radi, janë vetëm disa prej emrave të 300 artistëve të cilët i janë bashkuar nismës së Arben Duros për të ngritur në këmbë agjencinë e administrimit kolektiv të së drejtës së artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues. E themeluar me vullnetin e lirë të anëtarëve të saj, qëllimi i AKDIE, është të veprojë duke administruar të drejtat e artistëve për t‘u dalë atyre në mbrojtje bazuar në ligjin "Për të drejtat e autorit dhe të tjera të drejta të lidhura me të". Prej kohësh, Arben Duro, drejtor ekzekutiv i agjencisë, mendonte të ngrinte një organ i cili të vepronte në mbrojte të artistëve interpret. Praktika botërore i njeh mirë të tilla organizata, Shqipëria jo. Iu desh kohë që ëndrrën e tij ta përcillte te kolegët, të gjente mbështetje. Arti në Shqipëri po kalon kohë të vështira e artistët ndihen të pambështetur. "Shqipëria është anëtare e konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Në funksion të respektimit të kësaj pronësie, një vit më parë, në 2008-ën, ne paraqitëm në gjykatë një kërkesë për ta ngritur këtë agjenci. Në korrik të vitit të shkuar morëm licencimin e plotë, me firmën e ministrit të Kulturës, Ylli Pango, duke pasuar më pas me publikimin në Fletoren Zyrtare. Nga shtatori i vitit të shkuar ne ndërtuam strukturën mbi bazën e të cilës do të niste aktivitetin organizata jonë. Vitin që shkoi, shumë pak lëvizëm në terren, aq sa na duhej për të ndërgjegjësuar njerëzit se ka një lëvizje edhe në mbrojtje të artistëve", tregon drejtori i AKDIE-s, Arben Duro. Entuziast, ai thotë se artistët interpret ose ekzekutuesit në veprat letrare, artistike dhe shkencore, aktorët, këngëtarët, muzikantët, valltarët, drejtuesit e korit apo orkestrës, prezantuesit etj., tashmë e kanë një institucion që do të veprojë në mbrojtje të tyre. "Qëllimi i veprimtarisë së AKDIE-s është menaxhimi i të ardhurave nga përdoruesit audiovizualë, që përdorin të drejtat e artistëve të sipërpërmendur dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave pikërisht tek artistët. Nga ana e tyre, këta të fundit ia kanë kaluar të drejtat për administrim institucionit", shpjegon Duro. Megjithatë, agjencia është ngritur jo pa vështirësi për shumë arsye. Një prej tyre është edhe fakti se ky koncept, kjo lloj mbrojte, është e re për shoqërinë e artistëve tanë. "Për shkak të mungesës së informacionit, piraterisë së vazhdueshme, ndodh që të ketë dyshime kundrejt këtij institucioni, i cili është një risi për vendin tonë", vazhdon më tej Duro. Këshilli ekzekutiv i agjencisë ka nisur të informojë në terren të gjitha subjektet të cilat janë të detyruara të paguajnë një tarifë kundrejt përdorimit të veprave artistike, edhe pse të dhënat e para nuk kanë qenë pozitive mjaftueshëm. Për këtë arsye janë ngritur edhe grupe inspektoriale për të dhënë informacion e për të njohur përdoruesit me ligjin "Për të drejtat e autorit" dhe agjencinë e cila vepron duke u bazuar në këtë ligj.
"Të ardhurat që do të mblidhen prej subjekteve, do të derdhen në bankë në një numër llogarie. Të gjitha veprimet tona do të jenë tepër transparente. Sipas të dhënave të marra prej grupeve monitoruese, të ardhurat e mbledhura nga taksa do të shpërndahen tek artistët në bazë të shfaqjes dhe transmetimit të tyre në ekrane televizive radio apo produksione të tjera". Ndër të tjera, Arben Duro tregon se agjencia e së drejtës së artistëve interpret do të funksionojë e lidhur ngushtë me atë të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe atë të mbrojtjes së producentëve (kjo e fundit pritet të licencohet shumë shpejt). Sipas tij, së bashku ata do të veprojnë si një rregullator në tregun artistik shqiptar, duke i dhënë kategorisë së mësipërme të artistëve atë që u ka munguar prej kohësh: sigurinë dhe cilësinë!