Vihet në gjendje pune më 21 maj, tuneli i Kalimashit

Tunel i Thirrës, në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin, do të jetë gati me 21 maj. Kështu u shpreh sot zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit, Ernest Noka. “Duke llogaritur se një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë dhe e emigrantëve shfrytëzojnë këtë tunel për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, ky tunel do të jetë i gatshëm për qarkullim”, tha Noka. Sipas tij, tuneli ka përfunduar së betonuari, janë hequr tërësisht armaturat dhe është në proces asfaltimi, ndërsa po punohet edhe për instalimin e të rrymës dhe aparaturave të ndryshme, si kamera etj. Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Tuneli u mbyll me qëllim që t’i jepej mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar për të cilën kontraktori po punon në vijimësi.
...