Kauzat e shenjta mbrohen vetëm me veprime fisnike
(“Ligji nxirret që i forti të mos bëjë si dëshiron”) - Ovidi
Botën e mban në këmbë dashuría njerëzore. Edhe perandoritë më të fuqishme i ka shembur urrejtja si kështjella prej rëre. Të gjitha pushtetet arrogante janë gjunjëzuar para mirësísë njerëzore. Gjithmonë virtyti e ka mposhtur vesin në sajë të madhështísë së tij. E keqja shpesh vetëshkatërrohet. Komunizmi provoi vetëm dështimin e “lumturísë” kolektive, pikërisht pse ngriti në piedestal gënjeshtrën. Përbetimi “Ja vdekje, ja lirí!” i solli shoqërisë vetëm prapambetje, izolim dhe vëllavrasje. Si montator intrigash “ideale”, komunizmi u bë i pamëshirshëm. Aventurierët e tij politikë kurrë nuk pyetën për fatin e njerëzve. Si gjithë xhelátët e papenduar, ata kanë mbetur edhe hakmarrës ndaj viktimave. Ky është paradoksi kriminal i “kauzave” të rreme. Gjithmonë njerëzit e përkëdhelur nga turmat e verbëra, bëhen ciníkë. Të paaftët kanë synuar kurdoherë gjunjëzímin e të aftëve. Edhe mashtruesit kanë artin e tyre. Duhet shumë përvojë të mos biesh në kurthet e intrigantëve. Kriter mbetet qëndrimi fisnik. Kush u ka besuar “kauzave” të hajdutëve të lirisë, i ketë paguar ato shtrenjtë. Civilizimi është arritur në luftë me frenuesit e tij. Komunizmi luftoi deri fund për të mbijetuar. Parazitizmi nuk shkulet nga shpirtrat e njerëzve të dhunshëm. Privilegjet e pamerituara e prishin njeriun. Milionerët perversë, që kanë shijuar “lumturínë” e diktaturës, ruajnë për të nostalgjí, edhe pse kanë qenë vetëm ca mjeranë të saj. Ndoshta dhe “gëzimet” mizore të tiranisë hyjnë në misteret e së keqes. Mos vallë prandaj dhe europianizimi i Shqipërísë i shqetëson sot kaq shumë pinjojtë e nomenklaturës komuniste? Se, kush e ka ndjerë një herë veten Perëndi, nuk pranon të barazohet me të tjerët para ligjit. Lufta e klasave vazhdon edhe duke kundërshtuar shtetin ligjor. Demokracia dëmtohet edhe duke i kërkuar asaj me dhunë të paarritshmen.
Edvin Rama e ka kuptuar përse e mbështesin “fantazmat” e sistemit të “kopaçes”. Jo më kot ai mban pranë grabitësit e pasurisë kombëtare. E di Rama pse njerëzit e lidhur me të kaluarën e kanë frikë transparencën e vërtetë. Hajdutët nuk mund ta duan pavarësínë e institucioneve. E di sharlatani Rama që mëkati i djeshëm jeton gjatë në shpirtrat e atyre, që, të llastuar nga diktatura, mbeten si peshku pa ujë. E di ky anarkist pse mafiozët kanë sot nevojë për një avokat, që t’i shpëtojë duke sajuar “kauza”, me të cilat të frenojë reformat shpëtimtare. Ndoshta prandaj ka mbledhur rreth vetes mëkatarë, që kanë frikë nga një e ardhme europiane. Se, mëkatarët e papenduar gjithmonë kërkojnë përjetësímin e rrethanave, që i kanë favorizuar të pasurohen me zullume. Edvin Rama e gjeti të përgatitur terenin për realizimin me dhunë të ambicies së tij për pushtet. Jo më kot derdhi aq mund e djersë për tetë vite P.S.-ja që ta shndërronte korrupsionin në sistem. Nuk kishte hakmarrje më cinike ndaj demokracisë ! Se nuk ka gjë më qesharake se sa kur harbutëria merr poza prej fisniku !...
Shqipëría i ka medituar tashmë thellë metodat mashtruese të P.S.-së. Prandaj ia dikton menjëherë synimet e liga, madjé, edhe brenda klithmave për “kauza” të shenjta lirie. E di Shqipëría që P.S.-ja nuk mund të përfaqësohet as nga Rama, as nga pinjojtë e bllokut të ferrit komunist. Ajo e di që kërkesat e Ramës për të penguar liberalizimin e vizave, a për të frenuar integrimin e saj në B.E. janë fundi i ëndrrës së tyre të varrosur, që po tenton të shfaqet si “lugat” për të trembur përsërí një popull, i cili po hyn sot entusiast në rrugën e integrimit. Nuk mbrohen “kauzat” e shenjta me rrugaçëríra. Nuk shkelen të drejtat e të tjerëve për të arritur synime meskine.
Megjithatë, Edvin Rama me shokë nuk rreshtin së luftuari demokracinë. Si mashtrues profesionistë, krejt djallëzorë në artin e krijimit të “krizave” të paqena, këta arrijnë të sajojnë edhe nga hiçi “ngërçe”, madjé situata “dramatike”, në mbrojtje gjoja të liríve të dhunuara. Dhe janë mjeshtër në shpikjen e mjerimeve imagjinare; të tilla që do të mund t’i besonte dhe vetë djalli. Janë këta pinjoj të rinj të atyre “ustallarëve” të vjetër, që sajuan kundër shqiptarëve të pafajshëm mijra akuza të paqena, montuar me shpifje nga më monstruozet vetëm për krime imagjinare. Janë këta ithtarë të “vullneteve të lira”, që po u shembëllejnë sot atyre xhelatëve, që flakën dje në varreza masive mijra intelektualë, patriotë, ikonat të mirësísë shqiptare, deri dhe shërbestarë të fjalës së Zotit. Janë këta trumpetierë të “mosbindjes civile”, që po tentojnë të ringjallin përsërí frymën e “Prometejve” të errësírës, të shpifjes e të mashtrimit. Janë këta “avoketër” të votës së çertifikuar, që po veprojnë si etërit e tyre shpirtërorë, të cilët detyruan dje mijra shqiptarë të pafajshëm të pranonin me “daják” se gjoja qënkëshin fajtorë për krime, të cilat as i kishin menduar. Janë këta Edvin Ramë, me fytyra të zverdhura nga ambicia për pushtet, që po sajojnë sot “kriza” të paqena. Këta janë organizatorët, shpikësit dhe frymëzuesit e kësaj “kauzeje” antidemokratike. Janë këta që po e shpallin veten si shpëtimtarë të lirisë e të demokracisë, me qëllim që ta futin rishtas Shqipërínë në kthetrat e “sigurisë” së atij bunkeri të errët, për t’i garantuar Shqipërísë përsërí një jetë pa kuptim, pa të ardhme dhe brenda kufijve të një mashtrimi, që nuk do t’i kalonte caqet e vetëtalljes.
Po a mund ta mashtrojnë dot përsërí Shqipërínë ata që e lanë me dekada të izoluar ? Ata që ia shndërruan mundin e sakrificat në bunkerë ? Ata që ia bënë vdekjen më të ëmbël se jeta ? A mund ta mashtrojnë Shqipërínë ata që s’lanë gjë pa bërë për t’ia vonuar asaj procesin e integrimit? Jo! Se nuk mund ta mashtrojnë Shqipërínë vrasësit e papenduar. Antiperëndimorët. Ata që dhe sot po djegin flamurin e NATO-s.
Si mund ta bëjnë për vete Shqipërinë e martirizuar ata, të llastuarit e asaj diktature, që u tall me jetën dhe dinjitetin e bijve të saj ? Prandaj të gjitha tentativat e pinojve të bllokmenëve nuk janë veçse bumerangu i tyre fatal e qesharak; fundi i asaj ëndrreje, që tashmë është flakur në hedhurínat e Historísë !...
Kauzat e shenjta kanë kërkuar e kërkojnë gjithmonë vetëm gjuhë dhe qëndrime fisnike. Synimet banale prodhojnë shpifje, frikë, ultimatume dhe terror. Nuk fitohen zemrat e njerëzve duke i mashtruar. Nuk blihen dinjitetet njerëzore duke u premtuar privilegje të pamerituara. Madjé, as duke i tallur ata si “heronj” të flijimit për të rrëmbyer me anë të sinqeritetit të tyre pushtete të dalë nga “kopaçja”, nga shkelja e ligjit, nga nëpërkëmbja e institucioneve, apo nga krijimi i precedentëve të rrezikshëm të dyshimit edhe për zgjedhjet më të arrira, për të ralizuar kështu rikthim, në kushtet e reja, të tiranive të vjetra “idealiste”!...