Artistët shkodranë hapin ekspozitë në Durrës
Dje paradite në qytetin e Durrësit është hapur ekspozita e dy piktorëve nga qyteti verior i Shkodrës, e cila ka tërhequr vëmendjen e artdashësve durrsakë për tematikën e larmishme dhe për përmasat e mëdha të tablove. 13 punime të piktorëve shkodranë Fatbardh Mati Kalvari dhe Mensur Gushta do të jenë të ekspozuara për një muaj radhazi në mjediset e Torrës Veneciane të qytetit të Durrësit.
Piktori Fatbardh Mati Kalvari, në 10 veprat e paraqitura ka sjellë peizazhe nga vendlindja e tij si dhe disa natyra të qeta. Piktori nga Shkodra, prej 18 vitesh punon dhe jeton në Greqi. Ai është bashkëpunëtor në ikonografine bizantine dhe ka punuar në restaurimin e disa kishave në Greqi, Jeruzalem, Palestinë, Kanada dhe SHBA. Mati është paraqitur me ekspozitën e parë personale në Tiranë tre vjet më parë. Piktori 42-vjeçar Mensur Gushta, i cili është formuar në shkollën e mesme artistike Preng Jakova të Shkodrës paraqitet në ekspozitën e Durrësit me tre punime të përmasave të mëdha në akrilik. Edhe Gushta që nga fillimi i viteve 1990 punon në Greqi si ikonograf. Ai vjen përsëri para bashkatdhetarëve të tij pas ekspozitës së hapur në Tiranë në vitin 2005.