Gjirokastër, përfundojnë 2 projekte restaurimi në Antigone
Restauratorët e Parkut Arkeologjik të Antigonesë në bashkëpunim me firmën ndërtuese të licencuar për kryerjen e ndërhyrjeve restauruese në monumentet e kulturës Leon-Construction shpk kanë përfunduar dy projekte për restaurimin e plotë të disa monumenteve antike brenda territorit prej 92 hektarë që përfshin ku park.
Drejtori i Zyrës për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik Antigone, Engjëll Seriani është shprehur se projektet që në vlerë kapin shifrën e 800 mijë lekëve të financuara nga MTKRS, janë ndër ndërhyrjet e para restauruese në këtë qytet antik, qysh pas funksionimit si park arkeologjik në mesin e vitit 2006, duke u fokusuar në disa nga monumentet më të spikatura të Antigonesë sikurse janë krojet antike dhe oborret e banesave me peristil. Sipas tij, qysh nga vitet '80, kur ekspeditat e kërkimeve arkeologjike të udhëhequra nga Profesor Dhimosten Budina zbuluan mjaft monumente dhe rrënoja, nuk ishin kryer punime restauruese në territorin e këtij qyteti të rëndësishëm antik të themeluar nga prijësi Piro i Epirit në fillim të shekullit të III para Krishtit. Projektet e fundit në Antigone kanë arritur të restaurojnë plotësisht dy kroje me arkitekturë origjinale antike, janë kryer pastrime dhe përmirësime në dy kroje të tjera, ndërkohë që janë ringritur katër kolonat në bllokun qendror të banesave me peristil, të cilat ishin restauruar në kohën e zbulimit të tyre rreth 35 vjet më parë, por që ishin rrëzuar sërish. "Sidomos ringritja e kolonave të banesave me peristil paraqet interes të madh për parkun arkeologjik, jo vetëm sepse këto objekte ishin nga monumentet më përfaqësuese në Antigone, por edhe sepse pas restaurimit parku ka fituar më shumë vertikalitet në monumentet më të vizitueshme të tij", theksoi drejtori i parkut. Një vit më parë në Antigone u kryen punime restauruese dhe konservuese në Mozaikun e Bazilikën Paleokristiane, ndërhyrje që synonin vënien në ruajtje të këtij monumenti i përket periudhës Paleokristiane dhe daton në shekullin V- VI pas Krishtit Ndërkohë, sipas drejtuesve të këtij parku, në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare të Arkeologjisë Shqiptare gjatë vitit 2008 janë realizuar edhe projekte të tjera për vendosjen e tabelave informative në mjediset e Parkut dhe pajisjen e qendrës pritëse për turistët me një gjenerator elektrik me fuqi 5,5 KË. "Parku arkeologjik Antigone vazhdon realizimin e projekteve restauruese sipas Planit të Menaxhimit që është hartuar dhe miratuar për periudhën deri në vitin 2012, ka përfunduar Seriani.